Etruskët dhe ilirët, a ka pasur kontakte midis dy qytetërimeve?

Dr. Niko Ferro

Tema që do trajtojmë në vijim nuk është bërë ndonjëherë objekt studimi apo kërkimi të mirëfilltë shkencor. Është një temë e veçantë, e pa rrahur më parë dhe si e tillë kërkon hulumtim të gjerë në tekste. Janë të shumtë librat që flasin për etruskët, për gjuhën e tyre “misterioze”, për kulturën e veçantë, mitologjinë e pasur dhe për traditat e hershme që e karakterizojnë si popull. Të tillë me shumicë ka edhe për ilirët. Por kur bëhet fjalë për kontaktet midis dy popujve të cilët për disa shekuj me radhë i ka ndarë vetëm një det nuk gjejmë asgjë të shkruar qoftë dhe një rresht të vetëm apo ndonjë detaj të vogël të shkruar kalimthi. Edhe ato pak shkrime që janë bërë nga autorë të huaj dhe të botuara së fundmi nuk flasin për këtë argument. A është kjo mungesë e qëllimshme apo vjen si rezultat i mungesës së informacionit për marrëdhëniet që mund të kenë pasur dy qytetërimet, vështirë se mund të jepet një përgjigje e saktë. Megjithatë na duhet të sqarojmë se paraqitja e kësaj teme nuk do të thotë se është më e rëndësishme se të tjerat, por të evidentojmë (mbështetur në gjetjet arkeologjike) nëse ka pasur kontakte midis dy qytetërimeve. Pikërisht këtë gjë synojmë të paraqesim në mënyrë koncize dhe pa u zgjatur në shkrime të tepërta. Më poshtë po rendisim vendet ku janë zbuluar objektet arkeologjike me origjinë etruske.
Objekte të zbuluara në Slloveni
1) Në qytetin e Novo Mesto është zbuluar një objekt arkeologjik i identifikuar si tripod (enë me tre këmbë) e derdhur në bronz, i përdorur për ceremoni fetare. Sipas arkeologëve slloven ky objekt mund të jetë prodhuar në qytetin etrusk të Vetulonisë. Ky objekt daton në shek. VII p. Kr.
2) Një kupë e prodhim etrusk i tipit “etruske-korintike” është zbuluar në afërsi të fshatit Striçna, Slloveni.
3) Një ojnohe e prodhimit etrusk e indetifikuar si tipi “etruske-korintike” është zbuluar edhe kjo në afërsi të fshatit Stična, Slloveni.
4) Dy Askos në formë shpendi nga Muzeu i Lubjanës. Sipas Stipčević “dy objektet e tipit aksos (pas studimit) u arrit në përfundim se kanë analogji të përbashkëta me një tjetër askos të zbuluar në Bolonjë.
5) Një helmet etruske me kreshtë dhe me zbukurim shek. VIII p. Kr (fig1) gjetur në shpellën “Musja Jama” në Škocjan afër qytetit Divača, Slloveni. Sipas akademikut kroat Mate Suič: “gjetja e këtij objekti (fig 1) tregon se bregdeti i Adriatikut Lindor, i kryesuar nga Liburnët kishte lidhje të hershme me territorin etrusk që në periudhën villanoviane.
Objekte të zbuluara në Kroaci:
6) Në ishullin Vis në Kroaci është gjetur një enë etruske (fig 2) kantharos e tipit “bucchero”.
7) Po në këtë ishull është gjetur një enë etruske e tipit aribal.
8) Në vitin 1925 pranë lumit Kupa në qytetin e Sisak, Croaci, u zbulua rastësisht një monedhë etruske (fig 3). Në “faqe” ka “rrotën” dhe në “shpinë” ndoshta “spirancën” paraqitet shumë e dëmtuar. Kjo lloj monedhe etruske datohet në gjysmën e parë të shek III p.e.s.
9) Në vitin 1955 në varrin n. 47 të nekropolit japodik të Kompoljes në afërsi të Otočac u gjetën 5 objekte të punuar në qelibar. Objektet i janë dhënë formë me tipare njerëzore, gruaje. Të gjitha figurinat kanë dimensione të vogla që fillon nga 0.5 cm në 1 cm. Pas studimit të bërë në atë kohë u arrit në përfundim se 5 figurinat prej qelibari nuk janë të prodhimit japod por janë mall importi. Krahasimi që u bë me të tjerat të gjetura në Itali mund të thuhet pa dyshim se atdheu i tyre është territori etrusk. Të tilla janë zbuluar në Bologna, Marzabotto, Roma, Vasto e të tjerë. Stipčević doli në përfundim se këto objekte kanë hyrë nëpërmjet rrugëve detare nga qyteti etrusk i Spinës.
Objekte të zbuluara në Bosnje Hercegovinë
10) Një fibul etruske e tipit Certosa zbuluar në Vrankamen vicino a Krupa, Bosnje Hercegovinë.
11) Një skyphos etrusk gjetur në afërsi të qytetit Sanski Most.
12) Një enë me mbishkrim etrusk (fig 4) gjetur në një kodër të vogël pranë Bugojno-s në Bosnje-Hercegovinë. Kjo enë me mbishkrim sot ruhet në Zemaljskog Muzeja, Sarajevë, Bosnje- Hercegovina.
Objekte të zbuluara në Malin e Zi
13) Në nekropolin e Gotovuša në afërsi të Pljevlja, qelibar të prodhimit etrusk.
Objekte të zbuluara në Serbi
14) Një kuti për mbajtje eshtrash e tipit etrusk (fig 5) është zbuluar në një varrë në qytetin e Atenica në Serbinë Qendrore.
Objekte të zbuluara në Shqipëri.
15) Në muzeun arkeologjik të Durrësit ruhet një amforë e veçantë e cila besohet se mund të jetë me origjinë etruske? Sipas arkeologut shqiptar Fatos Tartarit. “Ndonjë autor e përcakton atë në mënyrë shumë të përgjithësuar si greko-italike, tipike për transportin e verës gjatë shek III p.e.s; kurse në gjetje të tjera e gjejmë si amforë vere të prodhimit etrusk. Në Durrës kjo formë është gjetur qoftë në fundin e detit, qoftë në tokë. Ena ka përmasa mesatare me lartësi 67-72 cm e me diametër 37-40 cm.

Përfundimi
Ndonëse janë vetëm pak objekte ato janë të mjaftueshme për të dëshmuar se midis etruskëve dhe ilirëve ka pasur kontakte gjatë fazës II –III të Hekurit. Mendojmë se duhet të ketë të tjera objekte që ruhen në muzetë e shteteve të përmendura më lartë. Përfshirja e tyre kërkon punim më të zgjeruar dhe gjithëpërfshirës. Pa dashur ta mbyllim me kaq po sjellim edhe një shënim të ilirologut të shquar Aleksandër Stipçeviq “Pavarësisht se disa objekte të cilat kanë tipare të artit vendas ilirë; ato i detyrohen shumë ndikimit etrusk”.

Bibliografia

1- S GABROVEÇ. Etruskischer Niederschlag in Slowenien. Vol V. Wien. 1992
2- J. M. TURFA. The Etruscan World. Routledge Taylor & Francis Group, London and New York 2013
3- M. SUIĆ. Jadranska obala u protohistoriji: kulturni i etnički problemi : simpozij održan u Dubrovniku 1976
4- A. STIPČEVIĆ. Arte degli illiri. Edizione del Millione. Milano 1963
5- L. BONFANTE. Etruscan Life and Afterlife. A Handbook of Etruscan Studies. Warminster: Aris & Phillips, 1986
6- S. HAYNES. Etruscan Civilization: A Cultural History. J. Paul Getty Publications. Los Angelos 2005
7- M. MARTELLI. “Scrigni etruschi tardo-arcaici dall’Acropoli di Atene e dall’Illiria”. Prospetiva 1988-1989
8- ARCHAEOLOGIA IUGOSLAVICA. Volume 15 1974 f. VIII
9- R. VASIÇ. Gli Autariati, la tribu illirica piu grande e piu forte, nella storia e nell’archeologia. Gli Illiri e L’Italia. Convegno internazionali di Studi. Treviso 2004
10- R. VASIÇ. An Etruscan bone box from south-west Serbia and the problem of Late Archaic imports in the central Balkan area. Arheoloski Vesnist nr 43 1992
11-Fatos Tartari. Amforat e Muzeut arkeologjik të Durrësit (përpjekje për një katalog të tyre). Iliria nr 2, 1982
12- Z. DUKAT. I MIRNIK. Etrušcanski i Umbrijski novci u arheološkom muzeju u Zagrebu. Vjesnik Arheološkog muzeja u Zagrebu, Vol.19 No.1 Rujan 1987.

SHKARKO APP