Familja “kurban” i ISIS, prindërit dhe fëmijët kamikazë pas masakrës në Indonezi

Një familje prej 6 anëtarësh, mes tyre një vajzë e mitur vetëm 9 vjeç, qëndrojnë pas serisë së shpërthimeve që kishin në shënjestër 3 kishat në qytetin indonezian Surabaya.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se të paktën 13 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmet e së dielës.

Sipas policisë, një nënë dhe dy fëmijët e saj hodhën veten në erë në një kishë, ndërsa babai dhe 3 djemtë e tjerë morën në shënjestër kishat e tjera.

Sulmi është më vdekjeprurësi në Indonezi që nga viti 2005. Grupi i Shtetit Islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë për shpërthimet.

Shefi i policisë, Tito Karnavian, tha se familja i përkiste një grupi të frymëzuar nga i ashtuquajturi Shtet Islamik, Jemaah Ansharut Daulah (JAD), dyshohej se qëndronte pas sulmit.

Raportet sugjerojnë se familja mund të ketë kaluar kohë me ISIS në Siri.

Kryefamiljari shpërtheu një makinë bombë në bazën e Kishës Pentakostale të Qendrës Surabaya, tha policia.

Ndërsa gruaja dhe dy vajzat e saj, të moshës 9 dhe 12 vjeç, të veshura me eksploziv hodhën vetën në erë në Kishën e Krishterë Diponegoro të Indonezisë.

Djemtë e familjes, të moshës 16 dhe 18 vjeç, ishin mbi motoçikleta në Kishën Katolike të Santa Marias kur shpërthyen eksplozivët.

Ky ishte pikërisht sulmi i parë, i cili u regjistrua rreth orës 07:30, sipas orës lokale. Pesë minuta më vonë, u pasua nga dy sulme të tjera.

Zyrtarët raportojnë se kanë parandaluar sulme kundër kishave të tjera.

Agjencia indoneziane e shërbimeve sekrete tha se shpërthimet kishin gjasa të lidheshin me një incident, më herët këtë muaj, kur pjesëtarë të forcave të sigurisë u vranë gjatë një përleshjeje 36-orëshe me militantët islamik, që mbaheshin në një burg të sigurisë së lartë në periferitë e kryeqytetit Xhakarta.

SHKARKO APP