Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë çelet me “Qellin e heshtur”

“Qiell i heshtur”, çel Festivalin Mbarëkombëtar të Komedisë “KoKo Fest” në Korçë. Komedia romantike e Teatrit Metropolit, e vënë në skenë nga regjisorja Armela Demaj është shfaqja e parë, që çel edicionin e tretë të festivalit, në datën 4 shtator, ora 19:30.

 “Qiell i heshtur”, e shkruar nga autorja amerikane Loren Gunderson, flet për jetën mahnitëse të astronomes Henrieta Levit; një nga astronomet e para në Harvardin e 1900-ës dhe grave të tjera që realizuan hartën e yjeve në univers, vjen për herë të parë premierë në Shqipëri. Këmbëngulja, energjia, pasioni dhe vizioni e bëjnë një vajzë të brishtë nga Bostoni të ndjek ëndrrën e saj.

 “Qiell i heshtur” është një ndodhi njerëzore, që i flet shoqërisë, dje dhe sot. Është nje vepër, që trajton marrëdhëniet familjare, besimin në fuqinë e mendjes dhe shpirtit, mbështetjen dhe solidaritetin, këmbënguljen për të kërkuar dritë në thellësitë e pandriçuara dhe mënyra shprehëse të reja me qëllim një pamje më të qartë dhe kontribut në begatinë e njeriut.

Ngjarja zhvillohet kryesisht në Observatorin e Harvardit dhe skena dominohet nga prania e yjeve, pasionit të njerëzve që e duan punën dhe dashurisë së tyre për njëra-tjetrën. Puna dhe pasioni i Levit, vuri themelin astronomik të matjes së distancës së dritës në univers dhe provoj se universi nuk ishte thjesht galaktika Udha e Qumështit, siç supozohej deri në atë kohë. Me punën e saj dhe të kolegëve, Henrieta,  lufton kundër stereotipeve për aftësitë dhe kontributet e grave në fushën e shkencës.

Henrieta Levit, është një figurë femërore që ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në botën astronomike, studimet e së cilës kanë shërbyer për vazhdim të eksplorimeve nga shkencëtarë të tjerë, vjen në skenë nga aktorja Nigela Ruka.

Margarita, është motra e Henrietës, një vajzë e devotshme, që jeton sipas rregullave të komunitetit dhe kujdeset për pjesëtarët e familjes ndërkohë, që nuk lë pianon dhe kompozimet pas dore, vjen në skenë nga Sonila Kapidani.

Dy figura të tjera, mjaft me rëndësi në botën e shkencës, Eni Kanon dhe Amina Fleming, që sjellin dy përvoja të tjera jetësore po aq këmbëngulëse dhe po aq luftarake në mënyrat e tyre, vijnë në skenë nga Jonida Beqo dhe Verjana Abazaj.

Ndërsa Piter Shoo, një personazh romantik i trilluar nga autorja, që e ka rehatinë e një terreni të gatshëm ku mund të punojë dhe një kornizë të përgatitur nga prindërit në të cilën do të jetojë, por që bie në dashuri me Henrietën, interpretohet nga Redjan Mulla.

Edicioni i tretë i “KoKo fest” në Teatrin e Korçës, pret trupa të ndryshme nga Shqipëria, Maqedoni dhe Kosova në datat 4-17 shtator.

SHKARKO APP