Filmi “Përjetësisht Fëmijë” edhe në gjashtë festivale të rëndësishme

Placeholder Image

Filmi me metrazh të shkurtër “Përjetësisht Fëmijë” me skenar dhe regji të Lorena Sopit, film ky që trajton raportin e rrënuar familjar mes babait autoritar dhe djalit të mitur me emrin Moni, është përzgjedhur në programet zyrtare edhe të gjashtë festivaleve të rëndësishme ndërkombëtare.

Kështu, nga data 4 deri më 7 gusht filmi “Përjetësisht Fëmijë” do të shfaqet në festivalin bregdetar të Italisë “Cortosplash Film Festival”, i cili mbahet në Nova Siri të Italisë, për të vazhduar në festivalin e njohur amerikan, Accolade Global Film Competition, i cili mbahet në La Jola të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga data 1 deri më 5 shtator, pastaj nga data 21 deri më 24 shtator do të shfaqet në festivalin prestigjioz, “European Film Festival”, i cili mbahet në qytetin turistik Nidden të Lithuanisë nga data 23 – 30 shtator do të shfaqet në “Sose International Film Festival”, i cili mbahet në kryeqytetin e Armenisë – Yerevan, kurse nga data 5- 10 tetor do të shfaqet në njërin ndër festivalet më të njohura të filmit të shkurtër, pikërisht në edicionin e 15-të jubilar, në Festival of Mediterranean Short Film Tangier në Marok.

Është me rëndësi edhe përzgjedhja e filmit “Përjetësisht Fëmijë” në listën e shkurtër të programit garues të festivalit të madh “Short of the Year”, i cili organizohet nga platforma e njohur ndërkombëtare Promofest në Madrid të Spanjës.

Filmin “Përjetësisht Fëmijë” gjatë muajve të vjeshtës e presin edhe shumë evente tjera. Deri më tani, filmi është përzgjedhur nga 22 festivale ndërkombëtare dhe ka fituar pesë çmime të ndryshme.

Në rolin kryesor të këtij filmi paraqitet aktori i njohur Xhevat Qorraj dhe Miran Zymberaj. Në rolet e tjera vijnë Sheqerije Buqaj, Beslidhje Bytyqi, Kosovare Hoti, Joni Thimi, etj.. Drejtor fotografie është Latif Hasolli, montazhier Nexhmi Mehmeti, kostumografe Samka Ferri, mjeshtër zëri Gëzim Rama, skenograf Uran Duli dhe kompozitor Naim Krasniqi.

SHKARKO APP