Fondi në italisht në Bibliotekën e Lezhës pasurohet me 235 tituj nga Domenico Massa

Fondi i librit në italisht në Bibliotekën Publike Lezhë, u pasurua me 235 ekzemplarë të rinj, dhuratë nga biblioteka personale e z.Domenico Massa (13.3.1930 -29.6.2016 ) humanist i besimit marianist, i cili shërbeu në Lezhë për më shumë se 16 vite, që para viteve 2000 deri në 2016, kur ai ndërroi jetë, duke ndihmuar njerëzit me aftësi ndryshe, kryesisht personat me probleme shikimi. Enciklopedi për fëmijë e të rinj dhe shkencorë, fjalorë dhe botime nga fusha të ndryshme të dijes njerëzore, tituj artistikë e atlase të botimeve “De Agostini”, pjesë e bibliotekës së tij, që vijnë si dëshmi e një njeriu të kulturuar si z.Domenica Massa, i cili frymoi duke dhuruar dije dhe ndihmë, ndërsa la pas një emër, që përveçse zë vend nderi në Bibliotekën e Lezhës do të ruhet në kujtimet më të mira të atyre që e kanë njohur, të kësaj biblioteke dhe të lexuesve të saj të shumtë.

Drejtorja e Bibliotekës Publike Lezhë, znj. Suela Mino Bala falënderoi z.Gëzim Gjonaj, që u kujdes t’i sillte këto libra në Bibliotekën e Lezhës, duke shprehur mirënjohjen, respektin dhe vlerësimin për një model njerëzor si ai i z. Domenico Massa, i cili kontribuoi pa u kursyer në Lezhë në gjallje të tij, duke ndihmuar njerëzit me aftësi ndryshe, ndërsa ky  fond librash mbetet një dhuratë e vyer për qytetarët dhe intelektualët e Lezhës dhe lexuesit e kësaj biblioteke. “Pak e secilit, vlen shumë për të gjithë”, është shprehur Massa, i cili prej sot ka në Bibliotekën e Lezhës një gjurmë që do e lidhë gjithmonë me këtë qytet dhe njerëzit e tij që e respektuan e që iu shërbeu për vite me radhë. Dhurimi i 235 titujve në italisht, u organizua në Bibliotekën Lezhë nga drejtorja Suela Bala.

Ajo përcolli falënderimet, mirënjohjen dhe vlerën që mbart kultura, qoftë edhe e një individi si z.Domenico Massa dhe kur kjo kthehet në pasuri për gjithë komunitetin, intelektualët dhe lexuesit e shumtë të moshave e profesioneve të ndryshme në këtë bibliotekë. Drejtori i Arsimit dhe i Kulturës në Bashkinë Lezhë, z.Ardian Laçi, pasi falënderoi për dhuratën, tha se, ky fond librash mbetet një dhuratë e vyer për banorët e Lezhës dhe bibliotekën e Lezhës, duke shprehur edhe vlerësimin për kontributin e madh të një humanisti të besimit marianist si z. Domenico Massa, i cili kontribuoi pa u kursyer, duke ndihmuar njerëzit me aftësi ndryshe dhe ata në nevojë në qytetin e Lezhës.

Jak Rrozhani

SHKARKO APP