Forcat e Armatosura, 103 vjet lavdi dhe përdorim politik

 

SPECIALE-Nga Safet N. Ramolli/

Ushtria Shqiptare në rrugëkalimin më shumë se njëshekullor, ka bashkëshoqëruar zhvillimet në tërësi në Shqipëri duke ecur krah për krah me ato. Në raport me komunitetin në tërësi përbëjnë një grup shoqëror specifik, por me qëllim dhe interesa të përbashkëta. FA-të janë një bashkim njerëzish, me profesion të njëjtë a të ngjashëm, të organizuar në mënyrë të posaçme, por edhe të armatosur, për t’i shërbyer bashkësisë në tërësi. Ato kanë lindur që në fillesat e organizimit shtetëror, si strukturë në shërbim të tij. Historikisht janë përbërë nga armë dhe shërbime të ndryshme, të integruara në qëllim të përbashkët për çështjen kombëtare. Gjithëherët kanë punuar në kushte të vështira dhe të privuara nga mjaft të drejta, janë përballur me sakrifica, që shpesh u kanë kushtuar edhe jetën. Por si një absurd të skajshëm, politika këtë ndarje shoqërore të punës, e ka gjykuar, dhe vlerësuar papërgjegjshmërisht nga këndvështrime ideologjike të skajshme, herë-herë fyes dhe ofendues. Por gjithsesi është pranuar si datë krijimi 4 dhjetori 1912, që kushtëzohet nga shpallja e pavarësisë  më 28 nëntor 1912 dhe krijimin e Qeverisë së Përkohshme nën kryesimin e Ismail Qemal Vlorës.

Pararendja e Ushtrisë Shqiptare

Përgjatë historisë së ekzistencës së paraardhësve tanë, kanë qenë të pranishme në sasi dhe cilësi të ndryshme forca të armatosura, me mision: mbrojtjen e tërësisë territoriale. Ilirët, paraardhësit tanë, kanë pasur të organizuar një forcë të armatosur të. Atë  e gjejmë prezente që në shek. IV p.e.r, kompletohej me qytetarë të aftë për të përballuar veprime luftarake. Në shek. XV-të, në trojet e të parëve tanë për gati 25 vjet drejtoi Skënderbeu, cili krijoi një forcë të armatosur të përhershme mjaft të fuqishme për kohën, por që kur rreziku ishte eminent, gjithë shtetasit e aftë mobilizoheshin dhe organizoheshin në reparte ushtarake ose në çeta. Prandaj edhe u mundësua që Gjergj Kastrioti Skënderbeu, doli fitimtar në përballjet me forcat osmane në 23 beteja, duke pësuar vetëm 2 humbje. Më vonë, në periudhën e Pashallëqeve dhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, FA-të, marrin pamje më të plotë, misioni i tyre bëhet edhe më i qartë. Shekulli i XIX shërben si kufi ndarës midis periudhës së pashallëqeve dhe fillimin e periudhës së re e epitetuar: “Rilindja Kombëtare Shqiptare”, e cila nga studiues shqiptarë, por jo vetëm, është çmuar si periudhë historike, kur ndjenja kombëtare ishte në lulëzim dhe jeta ishte në ecje vijë përpjetë. Në qytetet kryesore si Shkodra, Peja, Prizreni e Janina qeverisin pashallarë shqiptarë edhe me të drejtë trashëgimie, ashtu sikurse patën lulëzim të mirë edhe FA-të. Gjatë sundimit otoman, vendi ynë udhëtoi krahas dhe në një trase me fqinjët, por edhe sipas një farë “paracaktimi” disi më të imponuar nga Fuqitë e Mëdha. Në vitet 1832-1859-1878 “Çështja Lindore” përfshihet nga tri kriza. Ky evoluim i dha Lëvizjes Kombëtare Shqiptare brënda dhe jashtë territorit dimension më të qartë politik. Në prill 1878, në Janinë, në një mbledhje të personaliteteve nën drejtimin e Avdyl Frashërit, iu kërkua Portës së Lartë njohja dhe shpallja e autonomisë të territoreve shqiptare të bashkuar në një elajet të administruar nga nëpunës vendas, ku gjuha e administratës dhe e shkollës të ishte shqipja.

Më 10 korrik 1878 u krijua Organizata Nacionaliste e Lidhjes së Prizrenit (LSHP) me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të katër vilajeteve dhe nga tre besimet fetare, me nismën e Avdyl Frashërit. Ajo, posë të tjerash, krijoi edhe Ushtrinë Kombëtare me rreth 50.000 luftëtarë, vullnetarë  dhe atdhetarë këta të ardhur nga i gjithë vendi. Synimi ishte të garantohej paprekshmëria e territoreve shqiptare në Hot e Grudë, Plavë, Guci e Ulqin. Një forcë e tillë e armatosur nuk është e pakët për rrethanat e kohës. Shpallja e pavarësisë më 28 nëntor 1912, krijoi kushte të reja për të ngritur e mëkëmbur Shtetin Shqiptar me gjithë institucionet dhe hallkat e domosdoshme. Prandaj edhe u shënua një hap cilësor për organizimin dhe konsolidimin e FA-ve. Më 4 dhjetor 1912, bëhet publike, krijimi i Kabinetit Qeveritar. Krahas institucioneve të tjera, konstituoi edhe Ministrinë e Luftës, e barazvlerëshme me Ministrinë e Mbrojtjes së sotme; prandaj kjo datë është vlerësuar si Dita e Krijimit të Forcave të Armatosura. Në krye të saj u përzgjodh gjeneral Mehmet Pashë Dërralla. Edhe në të pastajmen, gjatë vitit 1913, kreu i Shtetit Shqiptar, realizoi organizimin e xhandarmërisë dhe një bërthamë ushtarake për t`u bërë ballë sulmeve të andartëve grekë. Patriotit të dëgjuar dhe me influencë në krahinën e Vlorës, Sali Vranishtit, i ngarkoi detyra të rëndësishme në FA-të, por edhe detyrën e komandantit të Trupës së Rojeve të I. Qemalit dhe të Qeverisë së Përkohshme. Komandant i xhandarmërisë u caktua Alem Mehmeti nga fshati Tragjas i Vlorës, i cili fillimisht ishte edhe komandant i repartit të kavalerisë. Në Qeverinë e Vlorës ishte prezente edhe struktura që merrej me grumbullimin e materialit informativ, për të mundësuar, sa të ishte e mundur, që të mos ndodhte asgjë e papritur. Forca e armatosur përbëhej nga  4.000-5.000 vetë, si mbrojtëse e parë ushtarake për qeverinë e re. Por kjo mbetet edhe meritë e posaçme e gjeneral Mehmet Pashë Dërrallës, me cilësinë e ministrit të luftës. Në këtë sipërmarrje kishin ndihmuar edhe ushtarakë të ardhur nga Evropa, sidomos një trupë oficerësh holandezë nën drejtimin e gjeneral De Vor (De Vveer). Në përbërje të ushtrisë ishin disa batalione vullnetarësh në krahinat e Vlorës, Kurveleshit, Kolonjës, Skraparit, Elbasanit. Por zhvillimi i Luftërave Ballkanike dhe i Luftës I Botërore, ndikuan drejtpërdrejt në dobësimin deri në shpërbërje të FA-ve. Megjithatë, edhe në vitet 1914-1920 realizohet diçka në organizimin e FA-ve. Më 1919 Qeveria e Përkohshme e Durrësit grumbulloi disa oficerë, që i vuri nën komandën e Ismail Haki Kuçit, kapiten i parë, me karrierë pozitive në ushtrinë e Perandorisë Turke. Ai formoi një trupë xhandarmërie “… për të  mbajtur qetësi”, – shprehen dokumentet e kohës.

   Kongresi Kombëtar i Lushnjës (janar 1920), i ngjashëm me atë të Vlorës më 1912, kompozoi një qeveri me patriotë në zë por edhe të dijshëm. Në krye u vendos Sulejman Delvina, statist i mirëfilltë, bashkëpunëtor i I. Qemalit. Ky shtet u njoh nga ndërkombëtarët si Shteti Modern Shqiptar. Edhe kjo qeveri organizoi një ushtri kryesisht prej vullnetarësh e atdhetarësh të komanduar prej Bajram Currit. Ajo kishte në dispozicion një resurs të kufizuar forcash ushtarake,me gati 3.200  xhandarë, 1.200 këmbësorë, 600 trupa xheniere, por që gjithsesi, të komanduar nga oficerë italianë, francezë, austro-hungarezë dhe turq. Kjo forcë e vogël plotësohej prej forcave të parregullta të fiseve të kontrolluara kryesisht prej Ahmet Zogut, atë mot ministër i Brendshëm. Në vitet 1921-1924, qeveritë e shumta, të përkrahura, sipas preferencave të drejtuesve nga Italia apo Jugosllavia, krijuan ushtri të kufizuar në numër. Ndërkohë janë prezente edhe forca që ishin nën kontrollin e kryetarëve të fiseve apo të njerëzve me influencë në krahina të ndryshme si B. Curri, E. Isufi, e të tjerë, të cilët në ndonjë rast u kundërviheshin edhe forcave qeveritare. Përfundimi është i qartë, FA-të në vitet 1920-1924, kanë qenë të kufizuara dhe jo me efektivitetin e duhur.

Në qershor 1924 pati zhvillime të pazakonta. Vendi u përfshi nga lëvizje të armatosura, që palët politike i kanë emërtuar “Revolucioni Demokratik i Qershorit 1924”, apo “Revolucion i armatosur regresiv”. U krijua një kabinet qeveritar nën kryesimin e Fan. S. Nolit, i cili në lëmin e forcave të armatosura, në përgjithësi, ruajti ndërtimin organizativ dhe përbërjen e ushtrisë së mëparshme, e cila rezultoi pas gjashtë muajsh jo efektive. Në fund-dhjetori 1924 krijohet kabineti qeveritar nën kryesimin e Ahmet Zogut, personalitet mjaft kompleks në vitet 1920-1939. Kjo qeveri pati mendimin se, në vitet 1912-1924 ushtria kishte kaluar caqe të ndryshme, në të cilët mbizotëroi elementi i një tërësie të shpartalluar vullnetarësh. Më 7 janar 1925, koloneli Ahmet Zogu, krijoi një kabinet qeveritar në të cilin thirri personalitetet më të preferuara prej tij. Vetë fillimisht u quajt kryeministër, dhe pak më vonë president. Programi i qeverisë në fushën e mbrojtjes përfshinte: suprimimin e Ministrisë së Luftës; shpërndarjen e ushtrisë ekzistuese dhe ngritjen e një xhandarmërie të fortë. FA-të u organizuan mbi bazën e sistemit të Milicisë në përmasat me rreth 3.000 veta, si dhe duke pasur asistencën e organizatorëve të huaj si p.sh. kolonelët Mirach e Stirling, gjenerali Percy, (i pari austriak, dy të tjerët anglezë S. R), e mjaft të tjerë. Në Statutin e Republikës Shqiptare legjitimohej, që kryetari i Republikës të ishte edhe komandant i përgjithshëm i Fuqive Armate. Asistenca e specialistëve të huaj mbetet prezente deri më 1938.

Ndërkohë FA-të marrin pamje dhe përmbajtje më të plotë: kompletohen me bazë ligjore të huajtur nga perëndimi, me resurse njerëzore që stërviten sipas përvojës perëndimore, trajtohen financiarisht dhe moralisht në nivele të kënaqshme. Komponentë përbërës të tyre ishin dy: Ushtria Kombëtare dhe Xhandarmëria, ashtu si komandimi i tyre ishte unik. Më 24 qershor 1928 u muar Ligji i Parë Organik i Ushtrisë dhe Xhandarmërisë, si bazë për organizimin dhe funksionimin e tyre. Komanda Eprore e Fuqive Armate ishte nën drejtimin e Kryetarit të Republikës. Për mbajtjen e trupave ushtarake, konsumohej gati 48,03% e buxhetit të shtetit. Por, në çastin tragjik, më 7 prill 1939, forcat ushtarake rezultuan të paafta, të paorganizuara mirë dhe të komanduara joprofesionalisht.

Forcat e Armatosura në Sistemin Monopartiak (1941-1990)

Pushtimi i vendit nga Italia fillimisht, dhe Gjermania më vonë, shtroi përpara forcave përparimtare detyrën imediate për organizimin e luftës çlirimtare. Gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, u krijua gradualisht një forcë e armatosur, e cila mori mbi shpinë barrën e rëndë për çlirimin e vendit nga pushtuesit. Rritja shkallë-shkallë e Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare (UNÇSH) kaloi në tre faza kryesore.  E para, përfshin kohën: nëntor 1941-korrik 1943, gjatë së cilës si forcë e armatosur konsiderohen fillimisht grupet dhe njësitet e vogla guerilje, mandej çetat dhe batalionet e rregullta partizane, si dhe çetat dhe batalionet vullnetare territoriale të vetëmbrojtjes të popullit. Kjo forcë përbëhej afërsisht nga 10.000 luftëtarë, të inkuadruar në 22 batalione dhe në një numër më të madh çetash ushtarake të zonave të lira dhe të atyre të pushtuara.  Faza e dytë përfshin periudhën korrik 1943-maj 1944, kur është krijuar Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH. U krijuan formacione të mëdha ushtarake: Brigadat Sulmuese, Grupet Partizane, Shtabi i Zonës së I Operative dhe Shtabet e Qarqeve. Në fund të kësaj faze forcat e armatosura u emërtuan Ushtri e Rregullt me gati 35.000 luftëtarë të organizuar në 9 Brigada Sulmuese, në 10 Grupe Partizane, dhe në 14 Batalione të veçuar. Por kishte edhe Batalione Vullnetare Territoriale, Njësi Guerilje në qytete e krahina.

Faza e tretë konsiderohet periudha maj-nëntor 1944, kur UNÇSH kaloi në shkallën e saj më të lartë, duke u shndërruar tërësisht në Ushtri të Rregullt. Me krijimin e Komandës së Përgjithshme u kalua në formacione të mëdha ushtarake, operative dhe operativo-strategjike, në krijimin e Divizioneve dhe të Korparmatave. U organizuan edhe 16 Brigada Sulmuese të reja, duke rezultuar e gjithë ushtria e inkuadruar në 8 Divizione dhe 3 Korparmata, me gjithsej gati 70.000 luftëtarë e luftëtare. Nga shumica e atyre që kanë qenë pjesëmarrës në këtë luftë, por edhe nga misionet ushtarake të Anglisë dhe jo vetëm, pranohet se Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare u udhëhoq nga Partia Komuniste Shqiptare, e cila, për fat të keq, më vonë e degradoi misionin çlirimtar dhe demokratik duke vendosur një regjim totalitar. Por Historia e Ballkanit dhe ajo e Europës pohon qartazi se, në Shqipëri ishte prezente një forcë e armatosur, e cila edhe u ndihmua nga anglo-amerikanët me armatim e veshmbathje. Kjo forcë bënte pjesë në Koalicionin Antifashist Botëror të udhëhequr nga tre të Mëdhenjtë e Kohës: Ruzvelt, Çurçill dhe Stalin. Ky Koalicion funksionoi efektivisht, por me disa “plasaritje”, deri në mposhtjen përfundimtare të forcave regresive fashiste, naziste dhe militariste. Në 10 korrik 1945, UNÇSH u quajt Ushtria Kombëtare Shqiptare. Më vonë u quajt Ushtria Popullore, duke u pasuar nga epitetime që mori vetë shteti, përfshi edhe “socialiste”. Deri në vitin 1983 ato ishin organizuar në 7 Korpuse dhe 2 Grupime Operativo-Strategjike (këto të fundit quheshin Rezervë e Komandës së Përgjithshme S.R. Në shkurt 1983 u bë riorganizimi i Forcave të Armatosura dhe njësia më e madhe ushtarake ishte Divizioni (u krijuan 22 Divizione S.R). Në vitin 1986 u krijua hallka e Komandave të Drejtimeve Operative (ishin tre të tilla, S.R, të cilat drejtonin disa divizione. Gjatë pranisë së Shtetit Komunist, forcat e armatosura, u vunë në shërbim të plotësimit të detyrave të vëna nga ky shtet; por kjo nuk do të thotë kurrsesi se, mijëra shtetas që shërbyen në ‘to, kanë edhe përgjegjësinë edhe detyrimet e padrejtësive që bënë drejtuesit e vendit. Kontributi i çmuar dhe i vyer që luftëtarët e lirisë dhanë, deri duke bërë sakrifica sublime, nuk mund të mohohet nga askush. Ata meritojnë mirënjohje dhe respekt për vullnetin dhe gatishmërinë që treguan për t’i dalë zot Vatanit. Ata meritojnë të kujtohen me obligim dhe të përjetësohen në Lapidarin e Nderit të Popullit Shqiptar, ata meritojnë edhe dekorime herë pas here dhe askush nuk ka përse të bëhet “xheloz” për këtë vlerësim, sepse ata firmosën çlirimin e vendit jo vetëm me sakrifica të pafund, por edhe me gjak.

Forcat e Armatosura në Shoqërinë Pluraliste

Pas vitit 1990, edhe FA-të po integrohen hap pas hapi në shoqërinë pluraliste. Kjo periudhë, tashmë një çerekshekullore, është e njohur për lexuesin shqiptar, sepse evoluimin e tyre, e ka përjetuar hap pas hapi, dikush drejtpërdrejt dhe dikush indirekt. Duhet nënvizuar domosdoshmërisht se, përafrimi me simotrat e Perëndimit, ka nxjerrë mjaft probleme, të cilat po kapërcehen, jo vetëm me vështirësi, por edhe me “dhimbje” për efektivat ushtarakë dhe familjet e tyre. Forcat e Armatosura janë përballur me mjaft probleme të panjohura më përpara, rrjedhimisht edhe të vështira. Kryesorja ndër to mbetet e ashtuquajtura “reformë”, e cila ka mbajtur në gjendje ankthi personelin e shërbimit ushtarak dhe familjet e tyre. Politika shpesh herë ka gatuar “çorbën e prishur” jo vetëm për vetveten,por për gjithë mjedisin. Kjo sepse, sa herë që në parlamentin shqiptar ka ndryshuar raporti i forcave, po aq herë, por edhe më shumë, ministrat e mbrojtjes kanë “gatuar” nga një “reformë”, pasojat negative të të cilave i kanë mbajtur mbi supe ushtarakët dhe familjet e tyre. Pra në përgjithësi çdo e ashtuquajtur “reformë”, e reklamuar si një e ardhme më e mirë, në fakt në përgjithësi ka prodhuar një produkt gati të pakonsumueshëm jo vetëm për ushtarakët, por edhe për vetë politikëbërësit. Janë qindra kuadro me vlera, por që janë paragjykuar politikisht, që janë zëvendësuar me të tjerë “të vlerësuar” të përshtatshëm për të realizuar progres Janë sajuar struktura e nënstruktura, të ideuara qëllimisht për të mënjanuar kuadrot e aftë, janë bërë deri edhe emërime në detyrë jashtë kritereve të përcaktuara duke ndërhyrë arbitrarisht deri në kompetencat e kreut të shtetit. Problem shqetësues ka rezultuar administrimi i pronave të ushtrisë, ai i administrimit të armatimit e municionit, i shërbimit inteligjent, e mjaft të tjera. Objektet ushtarake të nxjerra jashtë funksionit, nuk u kanë shërbyer ushtarakëve për strehim apo çështje të tjera, por janë dhënë në përdorim apo nxjerrë në shitje të dyshimta. Ka pasur edhe akuza për keqpërdorimin e shërbimit inteligjent të ushtrisë apo për abuzime me armatimin dhe municionin luftarak, deri në shitje armatimi në shërbim të regjimeve militariste ose në vatra të nxehta; për prodhim të armatimit dhe municionit jo në përshtatje me detyrimet e anëtarësimit në NATO, për blerje armatimi “të kripur”, por që është vënë dorë në pajisjet e tyre etj.. FA-të janë para detyrimit, që të kenë jo vetëm qartësinë e misionit në kushtet e reja, të armatosen me armë dhe pajisje bashkëkohore, por edhe të aftësohen profesionalisht për të përballuar detyrat me dinjitet si brenda vendit edhe jashtë, në kuadrin e bashkëveprimit me forcat e NATO-s, ku edhe bëjnë pjesë. Duhet pranuar dhe pohuar se FA-të, nga koha në kohë, po hedhin hapa të sigurt për t’u integruar denjësisht me simotrat e tyre dhe për të kontribuar me profesionalizëm deri edhe në misione ndërkombëtare, duke shënuar edhe Heroin e Parë, të ndjerin kapiten Feti Vogli, i cili pushon i qetë në krah të paraardhësve të tij luftëtarë të lirisë.

SHKARKO APP