Fotografi shqiptar Gjon Mili dhe legjenda Frenk Sinatra
Nga Kistaq BALLI
Në fototekën gjigande e të vyer prej mijra e mijra fotosh të fotografit të shquar shqiptaro-amerikan Gjon Mili, nga të cilat një pjesë e tyre janë botuar në revistat “LIFE”, “National Geographic”, etj., madje shumë shpesh në ballinat e tyre, si dhe në katalogë, libra, muze, apo në shumë ekspozita të bujshme përfaqësuese të artit fotografik botëror një vend të posaçëm zenë edhe fotot e artistëve të shquar të asaj kohe, amerikanë, ose jo, të cilat mbeten shembuj të pashlyeshëm historikë e artistikë botërorë.
20 vjet më parë do të ndahej nga jeta në moshën 82 vjeçare Frenk Sinatra (1915-1998) – këngëtari, aktori, showmeni dhe producenti amerikan, një nga muzikantët dhe artistët muzikorë legjendarë më popullorë dhe me ndikim më të madh në botë në shek. XX. Ai mbetet një nga livruesit më të mëdhenj muzikorë të të gjitha kohrave me më shumë se 150 milion regjistrime në të gjithë botën. Ai e filloi karierën e tij muzikore në erën e muzikës “Swing” (ritmike). Fillimisht si amator e improvizues në disa klube e pastaj si profesionist i ri, por i paarsimuar dhe vetëm në sajë të talentit e veshit të tij muzikor, rreth vitit 1935 në audicionet skenike e radiofonike të Major Bowes Amateur Hours në të gjithë Amerikën, ai u bë këngëtari kryesor i grupit “Hoboken Four” (Rojek 2004, p. 40). Gjatë viteve 1935-39 Frank Sinatra këndon si pjesëtar i disa grupeve dhe perfeksinon zërin e tij, madje edhe regjistron me sukses disa këngë të mirëpritura si “My Buddy”, “It’s Funny to Every But Me”, “Ciribiribin”, “Every Day of My Life”, etj.
Më pas (1939-1942) ai u bë këngëtari kryesor i grupit të Tommy Dorsey, me të cilin ai këndoi dhe regjistroi 40 këngë (vetëm vitin e parë) dhe dhjetra të tjera gjatë viteve pauses, si “I’ll Never Smile Again”, “Oh! Look at Me Now”, “Dolores”, “In the Blue of Evening”, “The Song Is You”, “Lamplighter’s Serenade”,etj., me të cilat fama e popullariteti i tij u rritën, duke shënuar një pikë kthese në karierën e tij…( Kelley 1986, p. 67). Kjo e nxiti atë të fillojë të këndojë e inçizohet solo.
Gjatë viteve të Luftës II Botërore, ai nuk u rekrutua ushtar dhe vijoi karierën e tij si këngëtar, duke bashkëpunuar me kompaninë e njohur diskografike Columbia, u bë shumë i njohur në shoqërinë e lartë amerikane, u takua me Papën në Romë dhe publikoi këngët solo ”You’ll Never Know”, “Close to You”, “Sunday, Monday, or Always”, “People Will Say We’re in Love”, “Dream”, “Saturaday Night”, ”Nancy” etj. (Kelley 1986, p. 568). Ai u konsiderua si fenomeni “Sinatratics”,
“Sinatramania”, “Swoonatra”. Më1942 u quajt “Vokalisti mashkull më popullor në radio”
Ai ka pasur një aktivitet të gjatë e të suksesshëm në emisionet muzikore të radios dhe më pas me show televizive. Bashkëpunimin me radiot e ka filluar më 1935, ndërsa me televizionin rreth vitit 1950. Në vitin 1965, me rastin e 50 Vjetorit të tij, kanali CBS News me emisionin “Frank Sinatra: Një njeri dhe Muzika e Tij” fitoi çmimet Emmy dhe Peabody (Sinatra 1986, p. 306.)
Albumin e parë “The Voice of Frank Sinatra” e ka realizuar më 1946 (Rojek 2004, p. 43), të dytin “Songs by Sinatra” një vit më vonë, të tretin më 1948 (Granata 2003, pp. 47–48) e kështu me radhë me shumë kompani diskografike botërore.
Vitet 1953-1962 konsiderohen për Frank Sinatrën si nga më produktivet, apo “një faze e re dhe brilante” (Summers & Swan 2010, p. 188), e mbushur me këngë, koncerte, role në filma, albume e nominime për çmime dhe renditje artistike dhe si “pretendent i pozicionit të padronit (il padrone) në Hollywood. Suksesi i krijimtarisë së tij si këngëtar, showman e producent i siguron atij famën botërore të kontributeve të çmuara muzikore, sidomos për rininë, ndërkohë që revolucioni teknologjik kompjuterik dhe digjital i realizimeve ia shtonin dhe zgjeronin kufijtë e influencës së tij. Bashkëpunimet, koncertet për bamirësi në Meksikë e Izrael, Gjermani, Angli, anonçimi i këngëve dhe interpretimeve të shumta e dinjitoze që qëndronin për kohë të gjatë në top listat e emisioneve e konkurimeve muzikore ishin bërë stili dhe mënyra e tij origjinale kreative artistike.
Më 1970 ai realizoi albumin “Watertown”, më pas presidenti Nikson e angazhoi me këngë në fushatën e dytë presidenciale, më tej, në vitin 1973 botoi albumin “Ol’ Blue Eyes is Back” për të vazhduar turnetë në Amerikë, Europë, Lindjen e Afërt dhe Australi, Brazil, Egjipt, si dhe realizimin e albumit të famshëm “Trilogy: Past, Pesent, Future”
Pas vitit 1980 zëri i konsumuar i Frank Sinatrës filloi të ashpërsohet dhe të humbiste fleksibilitetin e kordave (Santopietro 2008, p. 431). Megjithatë, ai e zotëroi atë edhe për shumë vite të tjerë që do të shënonin e mbanin lart perfeksionin interpretues dhe do të shënonin të pazëvendësueshëm origjinalitetin dhe atletizmin fizik e artistik të tij. Koncerti i tij i fundit publik u mbajt në Fukuoka Dome në Japoni, më 1994. Po këtë vit ai u vlerësua me çmimin “Legend Award”.
Angazhimi i Sinatrës në kinematografi i përket viteve 1941-1952, kur ai mori pjesë si aktor në role të ndryshëm kryesorë apo episodikë në filma muzikorë, të tillë si “Las Vegas Night”, 1941, “Charles Barton‘s Reveille with Beverly”, “Higher and Higher”, “Step Lively”, 1943, “Anchors Aweigh”, “Till the Clouds Roll By”, “Take Me Out to the Ball Game”, 1949, “Double Dynamite” (1951), “Guys and Dolls” (me Marlon Brando), 1951, “Joseph Pevney‘s Meet Danny Wilson” (1952)… (Santopietro 2008, pp. 128–129; Knight 2010, p. 77.), “From Here to Eternity, 1953”, “Young at Heart” , “The Man With The Golden Arm”, (1955), ”The Tender Trap”, ”The Pride and the Passion” (1957), etj., në disa prej të cilëve ai ka fituar apo është nominuar për çmime të rëndësishme kinematografike amerikane e ndërkombëtare. Filmi i fundit i përket vitit 1980, “The First Deadly Sin”, ku ai pati një nga rolet më të arritura të karierës së tij kinematografike.
Emisione e kontribute të vyera i atribuohen Frank Sinatrës si protagonist dhe showman në emisione të shumta televizive të stacioneve të mëdha e të njohura televizive amerikane, ku ai shpërfaqte jo vetëm kontributin e tij si këngëtar, por edhe kapacitetet e tjera artistike e humane në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me sudiot dhe publikun e gjerë të radios e ekranit të vogël.
Gjon Mili, fotografi shqiptaro-amerikan (nga Korça), që surprizoi opinionin publik fotografik me inovacionet e tij revolucionare të teknologjive, teknikave e niveleve artistike të fotografimit të paimagjinueshme deri nga vitet ‘30, midis të tjerash, ndër më se 100 artistët famozë bashkëkohorë që ka fotografuar, sigurisht që nuk ka lënë jashtë vëmendjes edhe Frank Sinatrën, madje e ka shoqëruar udhëtimin artistik të tij që prej fillimeve të afirmimit të tij dhe e ka patur atë si një objekt të punës dhe krijimtarisë së tij artistike (kryeisht kinematografike) edhe për llogari të revistës “LIFE”, për të cilën ai punonte. Si përfaqësuese e fotove të Milit për Sinatrën konsiderohet një fotoportret i quajtur nga kritika si portret ekselent i Frank Sinatrës, i vitit 1963 në filmin “Come Blow Your Horn”. Portreti artistik dallohet për bukurinë dhe gjuhën e shpehjes kompozicionale origjinale, si dhe për paraqitjen me elementë komunikues të ngrohtë e shumë ekspresivë të fytyrës idolatrike në kohën artë të aktrimit të tij. Sinatra dallohej për shijën e stilit të tij pamor. Ai vishej në mënyrë serioze, me veshje të shtrenjta e perfekt edhe në jetën private edhe në atë profesionale, me ego për t’iu paraqitur audiencës sa më mirë e sa më dinjitoz. Kjo e bënte që ai të ndjehej i pasur dhe i rëndësishëm. Sytë e tij me ngjyrën blu të thellë i kishin ngjitur epitetin “Ol’ Blue Eyes”. Për kritikun Sanpietro, “Sinatra ishte personifikim i Amerikës të viteve 1950 …kryelartë, …optimist dhe plot domethënie mundësie…”. “Ai zotëronte ‘forcën e brendshme të madhe’ dhe konsiderohej ‘vigani’(Jo-Caroll Dennison). Ai ishte i njohur, gjithashtu për bujarinë dhe fisnikërinë e tij. Sinatrës i atribuohej referimi si “këngëtari më i madh i shek. XX dhe popullariteti i tij u barazua më vonë vetëm nga Elvis Presley, Beetles dhe Michael Jackson. Frank Sinatra vijon të mbetet një nga ikonat e shek XX dhe ka tre yje në Hollywood Walk of Fame për veprën etij në filma dhe muzikë.
Pikërisht këto atribute artistike e humane është përpjekur që të evidencojë edhe fotografi ynë universal, Gjon Mili, në dhjetra e dhjetra foto për të, sidomos në fushën e kontributit filmografik, pse jo edhe në atë të veprimtarisë muzikore, sidomos gjatë 50 viteve të parë të jetës së tij me prodhimari artistike shumë intensive.