Gentian Çala: Rilindja ka braktisur fshatin
Kryetari i LSI-së në Pogradec, Gentian Çala, ka denoncuar mungesën e investimeve dhe lënien e fshatrave të kësaj zone në mëshirë të fatit.
Në një reagim në Facebook, Çala shprehet se në fshatin Alarup të Njësisë Administrative Çërravë, banorët kanë mbetur pa ujë për shkak, prodhimet janë dëmtuar nga koha e keqe dhe qeveria nuk u ka dhënë asnjë mbështetje.
Në këto kushtet shumica e banorëve mendojnë vetëm ikjen duke braktisur një nga zonat më prodhuese të vendit.
“Në Alarup të Njësisë Administrative Çërravë, ku banorët duken më të dëshpëruar se kurrë nga hallet që i kanë zënë. Burimi i fshatit ku uji pihet prej 130 vitesh, analizat e kanë nxjerrë të papijshëm. Prodhimet e frutikulturës ua dëmtoi era dhe breshëri, ku nuk morën asnjë mbështetje nga shteti. Një familje me asistencë duhet të shkojë në Çërravë për të firmosur burrë e grua (krejt e pakuptimtë) për të marrë 2800 lekë të reja, ku vetëm makina për ti dërguar te zyrat e Njësisë do 800 lekë dhe të tjerat që mbesin janë vetëm për energjinë elektrike. Rrugët janë mbyllur dhe djemtë e fshatit nuk mund të ikin dot për punë sezonale. Të gjitha shtigjet për mbijetesë duken të mbyllura dhe shpresa është vrarë, sepse askush nuk mendon për jetën rrëzë Malit të Thatë. Qeverisja ka humbur çdo ndjeshmëri ndaj fshatit dhe problematikës së tij, ku njerëzit diskutojnë vetëm mbijetesën”,- deklaron Gentian Çala në një postim në Facebook.