Fshati me 15 kisha, vendasit i falin Zotit jetën e tokës dhe të parajsës
Libofsha e Fierit është fshati i rrallë në të gjithë vendin, në të cilin ndodhen 15 kisha. Ndërsa për vendasit ato janë gjithçka, për vizitoret ky vend mbetet i panjohur. Libofsha, ndryshe nga fshatrat e tjerë në Myzeqe. Aty gjenden thesarët e trashëgimisë kulturore që mbart. Në Fier e njohin si fshati i shkollës së parë shqipe në Myzeqe. Kurse vendasit e quajnë fshati i kishave. Në Libofshë janë 15 të tilla, si në asnjë vend tjetër. Disa nga to janë ndërtuar 240 vite më parë. Falë tyre, sot Libofsha është shpallur fshat turistik. Kjo është kisha e Shën Kollit, monument kulture. E vogël e ndërtuar në vitin 1777 nga vetë banorët e Libofshës.
Arkitekturë të veçantë, tipike të kishave myzeqare të shekullit 17-18 dhe me afreske mahnitëse të vëllezërve grabovarë Cetiri. Ngjyrat e forta të Cetirëve, figurat biblike të ruajtura mrekullisht në afresket e kishës, bëjnë Shën Kollin një nga kishat e rralla të Myzeqesë së Fierit, që fatkeqësisht shumë pak njihet dhe nuk vizitohet. Shën Gjergji, monument kulture kisha ikonë e Libofshës, e ndërtuar në vitin 1776, plot 243 vjeçare. Bukuria, arkitektura, afresket mahnitëse të artistëve korçarë të shekullit të 18-të, Kostandin dhe Terpo Zografi e kanë bërë atë kishën më të lakmueshme për historianët, studiuesit e kulteve fetare, por edhe për regjisorët shqiptarë. Në këtë kishë, në vitet ’80 u luajt filmi “14 -vjeç dhëndër”.
Shën Kozmai dhe Shën Maria. Me një histori të lakmueshme njerëzore, që fillojnë me emrin e Ali Pashë Tepelenës, ai që bëri të mundur ndërtimin e saj në vitet 1814-1815, deri tek përpjekjet shekullore të vendasve për përhapjen e gjuhës shqipe në konaket e manastirit.
Kishat e Libofshës kanë një komunikim gati hyjnor hierarkik midis njëra tjetrës. Në krye të tyre mbizotëron manastiri i Ardenicës, i njohur ndryshe monarku shpirtëror i Myzeqesë, shumë pranë Libofshës dhe poshtë tij vijnë kishat e Shën Kollit, Shën Gjergjit, Shën Kozmai, Shën Maria, dhe gjithë kishat e tjera. Vendasit u kanë falur shpirtin kurse për vizitorët duhet të nxitojnë t’i shohin kishat e Libofshës. /Abc News/