Futbollistë majmunë dhe jashtëtokësorë në stadiumet europiane?!

 

Nga Skifter Këlliçi

Më ftoi kohët e fundit një mik shqiptar në Bazel të Zvicrës, ku jeton prej vitesh si dhe unë në Boston të Amerikës , që të kaloja disa ditë në familjen e tij. Dhe unë ashtu bëra.  U kënaqa sa s’bëhet edhe qytetin dhe bukuritë natyrore për rreth e tutje me kodra e male që më sollën ndërmend bukuritë e Alpeve tona.

Si u ndava me mikun, vendosa të qëndroja nja dy ditë në Nion, qytet zviceran, në kufi me Francën.  Po përse, do të thoni ju, kur ky qytet prej më pak se njëzetetë mijë frymësh nuk është ndonjë qendër  kushedi se çfarë turistike me nam, sodoqë atje në dimër nuk mungojnë vizitorë nga vende të ndryshme të botës.  Por puna është se në Nion ndodhen zyrat e UEFA-s që ngërthen tërë federatat evropiane të futbollit, dhe ka për president të famshmin Platini, që edhe ne shqiptarët e kemi parë nga ekranet e televizorëve të luante me Juventusin me nam të viteve ’80-të të shekullit të kaluar dhe me kombëtaren franceze, mbretëreshë e Evropës më 1984.

Kësisoj, qëllimi im ishte ta takoja Platininë dhe të këmbeja me të ca llafe për arsyet që do t’i shkoqis më poshtë.  Mirëpo kjo ishte punë goxha e koklavitur, jo vetëm sepse selia e UEFA-s ruhej me policë të armatosur e syçeltësorë, por edhe sepse, kur dilte, ai shoqërohej nga ca bodigardë zgapa që një cikë të bëja unë për takuar lartmadhërinë e Evropës në lojën e topkëmbës, kur sa të hapësh e mbyllësh sytë, mund të gjeja veten rrezik majë degëve të një ca pishave që stolitnin kudo qytetin. . .

Por kur Platinia , si ngahera, i ndjekur nga bodigardët doli nga selia e UEFA-s, bëri më këmbë dhe e fut në një kafene aty pranë, i shoqëruar nga një dy kolegë, edhe unë bëra të njëjtën gjë.  Dhe kur ai me ata kolegë zuri një muhabet për shtatë palë qejfe, unë në një tryezë aty pranë zura t’i flisja italisht. Dhe, dukmeqenë se ka origjinë jo fort të largët italiane, Platinia ngriti veshët dhe ktheu kryet nga unë. Dhe, vec kësaj, ngaqë këtë gjuhë e kam mësuar ujë që i vogël, aq sa kur ia nis ndonjë bisedë me italianë më marrin për bashkatdhetarë të tyre, Platinisë i rrezitën sytë.

Dhe si të mos mjaftonte kjo, kur i ndërmenda sa e sa gola të shënuar prej tij me këmbë, gjunjë, kokë, supa dhe, po t’i kishte shënuar edhe me hundë a ndonjë pjesë tjetër të trupit, qoftë edhe sikur e turpshme të kishte qenë ajo, unë do t’ia renditja, Platinisë iu bë shumë qejfi dhe pa e gjerbur mirë kafenë, ma bëri me kokë që ta ndiqja pas, domethënë të shkoja në zyrën e tij.

Këtë prisja dhe unë. Kështu që të mos e zgjas, u ndodha ulur në një poltronë karshi tij, si dhe ai ulur karshi meje, me duar mbi syprinën e tryezës së tij të punës, tepër luksoze, siç ishte e kësillojshme gjithçka tjetër në atë zyrë.

Vazhdoi kështu të më dëgjonte buzagaz, duke rrotulluar qopklat e syve, i habitur nga fjalërrjedhja ime e paprashme për bëmat e tij nëpër fushat e futbollit. Mirëpo papritmazi muhabeti ngeci, kur dëgjoi nga unë ato që nuk i priste:

-Shumë i nderuar zoti Platini, a nuk ju duket se futbolli po bëhet çorbë me tërë këta të huaj që hyjnë e dalin nga një skuadër e një vendi, te një skuadër e një vendi tjetër, si në një han me dy porta, ku hyn e del derri dhe dosa?. .

Pa pritur, një hije zymtane mveshi fytyrën e tij të sojme.  Por sidoqoftë, pa e prishur terezinë filloi të më shkoqiste, madje gazmorisht se ja tanimë, me miratimin e ligjit Bosman, të quajtur kësisoj me emrin e atij futbollistit belg që kishte fituar davanë të hidhej, hop, nga një klub në tjetrin, sepse kështu e thoshte edhe ai ligji i qarkullimit të lirë të punëtorëve në Evropën e Bashkuar, kështu pra edhe UEFA më 2005 kishte rënë në ujdi që jo më tre futbollistë, por të tërë në një skuadër mund të ishin doj e sorollop nga një ose shumë vende të botës.  Dhe si shembull më solli “Internacionalen” e Milanos ku sakën se kishte pasur më 20010-ën një futbollist vendalinj dhe, madje, kjo skuadër që veç emrin kishte italian kishte bërë atë…tripletën, pra kishte futur në xhep kampionat e kupë të Italisë , dhe ca më pas dhe Kupën e Ligës së Kampionëve. , kur kombëtarja ishte fundosur që në ndeshjet e grupeve të Botërorit Jug-afrikan të po asaj seneje.  Dhe po këtë sene vazhdonte të kishte vecse lojtarë të huaj.

Ta pret mendja që këto unë i dija ezberce, se gazetar i thekur prej dekadash isha dhe jam, ndaj ia prita:

-Por ne shqiptarët nuk e honepsim këtë të ashtuquajtur ligj; neve na ka ëndja që të paktën 6 futbollistë të një skuadre të jenë vendalinj dhe vetëm 5 jabanxhinj…

Kisha shkelur pa dashkëza në dërrasë të kalbur, (por desh zoti, pa u vithisur teposhtë), sepse menjëherë sytë e Platinisë xixëmuan dhe, ai pa pritur që unë t’i mbaroja llafet e fundit që tashmë mezi po më shqiteshin buzësh, m’i preu drutë shkurt:

-Pse nga… nga… Shqipëria qenkej zotrote?

At-botë kujtova se atij sa nuk i kishte rënë tavani mbi kokë, kur kishte marrë vesh që gazetarët tanë, midis të cilëve dhe unë nga faqet e kësaj gazete, i kishim dhënë një dajak që ta mbante mend për jetë këtij Platinisë, për vendimin e parë dhe aq të padrejtë të UEFA-s që si përfaqësues sonë, ashtu dhe asaj të Serbisë t’u hiqeshin nga tri pikë, kur duhej që fitorja të na jepej neve në tryezë dhe tifozët sërbomëdhenj të dënoheshin paq për trazirat shtazarake që kishin shkaktuar në stadiumin e Beogradit, vendim që fatmbarësisht e kishte përmbysur gjykata e kësaj organizime, duke na dhënë atë që kishim hak, fitoren, kurse atyre- shqelmin pas mullaqeve.

-Takimi me ju mori fund- bërbëliti pastaj i pari I UEFA-s, duke kërkëlitur dhëmbët.

U ngrita dhe bëra të dal nga zyra, pa pritur që ai t’i binte ziles së alarmit e kësisoj ndonjë nga bodigardët të vinte dhe këtë radhë të më degdiste si leckë, jo më mbi ndonjë degë pishe, por nga dritarja e katit të dhjetë, nga ku do të bija mbi asfaltin e rrugës, për t’u ndarë nga kjo dynja, por me të vetmin ngushëllim se ato që kisha shestuar në mëndje, ia kisha tefterosur më në sy lartmadhërisë së UEFA-s.

Mirëpo nuk qenkej thënë të lija zyrën e tij, sepse befas mu në derë, si me magji, u dha një majmun i racës gorillë, i gjatë dhe i gjerë sa dera dhe, mbi të gjitha, i veshur me kostum, këmishë mëndafshi, papion, këpucë që feksnin shkëlqimtarisht, i cili u ndal para Platinisë, që mbeti i gurësuar, si ndonjë përmendore e Napoleonit.

-Nuk desha ta linja të hynte, bos, – u dëgjua zëri i firuar i njërit prej bodigardistëve që po dridhej si purtekë.

U drodha dhe unë, madje u rrëkuta në qoshe të poltronës, i llahtarisur, se, mos o zot, gorilla sa një katana, do ta përmblidhte Platininë e gjorë në krahët e tij të gjatë dhe të hatashëm dhe do ta shtrydhte e ta bënte pelte e pastaj po kështu të bënte dhe me mua bjerrafatin… Mirëpo u habita kur ai zuri… t’i fliste, po, po, të fliste, madje përgjërueshëm:

-Zoti president i UEFA-s , ju lutem shumë të më jepni mundësi të llafos me… me ju.

Dhe llafosi në frëngjishte!. . Një gorillë!…. .  Si ishte e mundur?. .

-Pa tjetër! – nëpërdhëmbi Platinia me sy të shqyer sa një filxhan.

-Ju habiteni, -vijoi gorilla që unë flas frëngjisht, -por së bashku më shumë majmunë të racave të tjera majmunore, si shimpanze e orangotangë në pyjet tropikale të Afrikës, kemi mësuar të flasim jo vetëm frëngjishten, por edhe anglishten, italishten, spanjishten…

Platinia, tashmë i tulatur në kolltukun e tij të butë, veçse dëgjonte si i ndërkryer ligjërimin e gorillës, ashtu si edhe unë palmuc në poltroon, ashtu si dhe bodigardi, që sado që shtatlartë e shpatullan, shëmbëllente bri tij si liliput para Guliverit.

Nuk dua t’i bezdis lëcitësit e këtij rrëfimi me pyetje-përgjigjet platinio-gorillore që më dëgjuan veshët, ndaj po rrekem t’i përmbledh ato.

Gorilla zuri të dëftente shtruar se si vite të shkuara, kur kishte qenë çunak, një ndajmbrëmjeje kishte hipur në degë peme, për të këputur si zakonisht arra kokosi, dhe kishte mbetur pa mend, kur kishte parë përtej dritares së një shtëpie përballë se nga një si pasqyrë këtërkëndëshe dukeshin njerëz që qorolliseshin në një fushë bleroshe pas një topi disi të bardhë , një palë me fanella të bardha e të tjerë të kuqe, për ta vërtitur atë top me këmbë a me kokë, në dy porta kundruall njëra-tjetrës, të ngulura në fundet e kësaj fushe, rreth së cilës të ulur në shkallë mizëronin qenie frymore. I mrekulluar sa nuk bëhet, gorilla çunak u kishte bërë shenjë shokëve të vet majmunë të ndiqnin edhe ata këtë dëfrim të hallkut mbi shkallë, që gërthitnin si të ndërkryer, sa u ngjirej zëri, kur topi mend çante rrjetat e vendosura pas njërës a tjetrës portë. . . 

Kështu, avash-avash, majmunët e racave të ndryshme që perëndia u kishte falur jetë atyre viseve begatore, nga dritare shtëpish të tjera rreth e rrotull, ngulur mbi degë pemësh, kishin nisur të soditnin pamje larushitëse që vinin nga plot e plot televizorë e kësisoj të marroseshin edha ata pas kësaj loje, që na u quakësh futboll!

Nuk kishte mjaftuar kjo, por kishin marrë edhe televizorë të hedhur në plaçkurina nga të zotë shtëpish të pasanikëve që banonin në rrethinat e qyteteve, që i kishin zëvendësuar me të tjerë, me ekran shumë më të madh, dhe, meqë punuekeshin me një lloj mjeti që quhej bateri, kishin nisur edhe ata të shihnin futboll nga vende të ndryshme.  Kështu me kalimin e kohës kishin nisur të luanin edhe ata futboll, madje kishin prerë dhe pemë dhe kishin sajuar fusha futbolli, pa le, po kishin nisur të bënin edhe kampionate, ndeshjet e të cilave ndiqeshin nga qindra e qindra majmunë që vinin nga ana e anës, tutje e tëhu… Dhe, meqë shihnin stacione televizive nga vende të ndryshme , kishin nisur të mësonin e të flisnin gojëlirshëm edhe gjuhë evropiane. 

Pyetjeve të Platinisë të cilit tani i kishte ardhur çehrja në vend duke e stolisur fytyrën e tij më buzagaze ëmbëlake, se si i kishin mësuar gjuhët, gorilla u përgjigjej ezberce se, ngaqë njeriu e kishte prejardhjen nga majmuni, nuk kishte qenë edhe aq e zorshme që ata të mos mësonin dhe të llafosnin kështu evropianisht.

– Por nuk e kuptoj se përse keni ardhur te unë, – pyeti tek e mbramja Platinia me oborrësi duke marrë poza të e të parit të futbollit të kontinentit të moçëm.

-Meqë klubet e vendeve tuaja harxhojnë para sa qimet e kokës, për të blerë lojtarë si K. Ronaldo, Mesi e turlifarë lojtarësh të tjerë, -ia ktheu po me oborrësi gorilla, – unë, tashmë president i Federatës Afrikane të Futbollit, ju blatoj juve lojtarë majmunë, me të cilët të mbushni më të mirat skuadra tuajat duke filluar nga “Internacionalja”e Milanos, deri te skuadrat angleze, që janë dinga nga lojtarë të huaj. Pra, falas…

-Falas! – e ngriti zërin në kupë të qiellit, domethënë në kupë të tavanit të zyrës së tij Platinia, duke u ngritur edhe vetë hovëzueshëm nga kolltuku, ku deri ca dekika më parë ishte rrasur si i pëgerë. – Po ç’nivel paskëshin futbollistët tuaj majmunë?!

Fjalët e fundit ai i shoqëroi me një lëvizje mengjarashe të kokës dhe me një ngërdhejshje lojcake që lëvriu në cepat e buzëve.

Gorilla nuk e zgjati, por nxori nga çanta që mbante në dorën e djathtë ,  një videokaste, të cilën e vuri në televizorin e stërmadh të Platinisë dhe veç e kur në ekran u dha një ndeshje midis dy skuadra majmunësh. . 

Ç’të shihje!. . . .  Dredhkat, gjuajtjet, pasimet dhe golat e Mesit me shokë ishin hiçmosgjë para mjeshtërisë mbresëlënëse të majmunëve dhe të gorrillës , president, asohere në rolin e portierit, që i zgjaste krahët, sa preknin shtyllat anësore, ndërsa kaptina sa nuk i ndeshte traun e portës.  E ç’ishin para tij rusi Jashin dhe italiani Bufon?!. .

Doemos që lartmadhëria e futbollit evropian u mahnit nga këto pamje dhe diç deshi të nxirrte nga goja, por se si ktheu kryet nga dritarja e madhe e zyrës,  zhgarepsi sytë dhe nga goja sa nuk i shpëtoi një klithmë brrengëmadhe.  Ktheu kryet andej edhe gorilla, edhe bodigardi dhe, edhe ata sa nuk u lebetitën. Po kështu edhe unë, sepse në qiell u duk një qenie jashtëtokësore që duke flatruar nëpër qiell, u ul pingul, shi në ballkonin e madh të zyrës së Platinisë. 

Atëherë si me magji u hapën kanatat e dritareve dhe jashtëtokësorasi që dukej si një copëzë dielli shkrumbues, u ndodh para tryezës së Platinisë, bri gorrillës dhe bodigardit, që nuk bënë as gëk, as mëk.  Platinia e pësoi daha më ligsht, sepse mbeti ca çaste si jo i kësobotshëm. Por neve të tërëve në atë dhomën na shkriu gjaku, kur jashtëtokësori zuri të fliste, por habitërisht jo si gorilla në frëngjishte, por… në anglishte:

-Mirë se ju gjej, i nderuar president i UEFA-as. Vi nga Sanlandi, ose Solelandi, në italishte, pra një krahinë që perëndia ka krijuar prapa diellit, por jo me temperatura milionë-gradëshe, por si në parajsë dhe ku , veç të tjerash, me anë të teleskopëve tanë shumë më të përkryer se tuajet, kemi mësuar nga ju, të kësaj bote njerëzore, të luajmë edhe futbollin dhe, mbi të gjitha, ju kemi njohur edhe ju, shumë i nderuari president Platini .

Merret me mend se sa u gazmend Platinia, të cilit madje iu ngritën leshërat e kokës përpjetë nga lezeti , sa u duk se ato do ta ngrinin edhe atë hopthi përpjetë.

-Erdha këtu me një anije kozmike, -vazhdoi jashtëtokësorasi, -anije me shpejtësi më të madhe se shpejtësia e dritës, ju e dini, 300 mijëkilometra në sekondë, sepse me anë të një teleskopi të stërfuqishëm ju pashë dhe dëgjova ç’kuturisnit me presidentin e Federatës së Futbollit të Majmunëve Afrikanë, (dhe vështroi ëmblas nga ai), që t’ju kumtoj se edhe unë, si president i Konfederatës se Futbollit të planetëve Mars, Pluton, Neptun… dhe ta pret mendja dhe Sanland, ju bëjmë juve të njëjtin propozim, pra, ju blatojmë futbollistë nga tanët, që kështu klubet evropiane që ju drejtoni, të mos bëjnë shpenzime marramendëse si PSG-ja e Parisit që kërkon të blejë dhe ta paguajë atë qafirin portugez, Ronaldo, me 385 mijë euro në javë!…

-Ju paskeni futbollistë më të mirë se ai?- guxoi dhe pyeti syvëngërosh Platinia.

Jashtëtokësorasi, që mua më shëmbëlleu me Heliosin, perëndinë e Diellit, i cili pasi perëndonte tutje malit të Olimpit, shndërrohej e merrte përmasa njerëzore, me kapelë e rroba të praruara, nuk iu përgjigj, por nxori nga gjoksi një videokasetë dhe ashtu si gorilla qëparë, e vuri poshtë televizorit të madhërisë së futbollit evropian.

Mua sa nuk më luajti tepeleku i kokës, kur në stadiume të papërfytyrueshme nga hijeshia, sytë më panë futbollistë prej Kozmosi, që loznin po aq mirë sa futbollistët majmunë, të cilët i përmenda më sipër, marsianë, nëptunas, plutonianë dhe, ta pret mendja, sanlandas, që shquheshin nga të tjerët , sepse edhe ata ishin të praruar si jashtëtokësorasi, që këqyrte me qesëndi Platininë me sy të capëlyer.

-Shkëlqyeshëm, -tha pastaj Platinia. -pra, edhe ju dashkeni t’u blatoni klubeve evropine futbollistë të tillë?

-Sepse kemi pa hesap, -ia priti jashtëtokësorasi qejfpaprishur.

Por Platinia zoritej diç i cimbiste shpirti, diç rrekej t’ thoshte e, megjithatë rrinte si mumje. 

-Mos keni dert, -vazhdoi jashtëtokësorasi, si të nënkuptonte ç’përsiaste tjetri, – sepse presidentët e klubeve nga milionat e kursyer do t’ju dhurojnë juve…

-Oh , jo, jo, nuk e kisha fjalën aty, -brofi Platinia, por tashmë i nuritur, -se unë dhe Blateri, presidenti i FIFA-s nuk njohim atë që quhet… ko. . ko. . rrup. . sion…

Por befas nga ekrani i televizorit, në skajp,  u shfaq bash ky Blateri, që kishte në gojë. Pa e ditur që në zyrë ishin dhe të tjerë, ai si t’i ishin mbytur gjemitë, rënkoi:

-Mik i dashur, Platini, ata të Komisionit Etik të FIFA-s na kanë pezulluar të dyve për 90 ditë, për ata të mallkuara 2 milionë franka zvicerane që të dhashë shpërblim më 2011-ën. 

Platinia nuk përmbajti një sokëllimë që më kalli datën dhe unë nga poltroni ku isha rrëkutur dhe kisha përjetuar tërë ato që përshkrova fije më sipër, habitërisht e pashë veten në shtratin tim. . .

Ia kisha këputur gjumit dhe kisha parë këtë ëndërr… Sidoqoftë, një gjë ishte zhgjëndërr- që veç së vërtetës hidhurake, që futbolli i kontinentit tonë të fismë është bërë çorbë e bajatepsur me lojtarë nga çdo nahi e botës mbarë, edhe çifti i i myteberëve. . . ".

SHKARKO APP