Galdini: Kriteret e LDE për kandidatët dhe përfaqësuesit e saj në zgjedhje

Nëpërmjet një postimi në profilin e tij në facebook, pedagogu Arian Galdini i cili është edhe Kryetar i LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë, ka bërë publik shkëmbimin e mesazheve në inbox me një të njohurin e tij nga Vlora.

Pas thirrjes që Galdini kishte bërë për qytetarët, aktivistët, simpatizantët dhe dashamirësit e LDE ngado në Shqipëri që janë të interesuar e të gatshëm për të konkuruar në zgjedhjet lokale me siglën e kësaj partie, shumë mesazhe kanë vërshyer në inboxin e tij.

Ndër të tjera ishte edhe mesazhi i një zotërie nga Vlora.

Pedagogu Arian Galdini e ka veçuar dhe publikuar këtë mesazh pikërisht sepse ka dashur të bëjë të qarta për këdo kredon dhe kriteret e LDE për njerëzit që përfaqësojnë këtë sigël.

Ja edhe postimi i plotë i Arian Galdinit në facebook:

Më shkruan një i njohuri im nga Vlora.
Dikur kur kam jetuar në Vlorë e kam pas takuar e kemi pas pirë edhe kafe asokohe në fillimet e viteve ’90, je pse ishim miq ne të dy, por sepse kishim miq të përbashkët që qëllonte tê na puqnin në tavolina rastësore.
Unë isha Kryetar i Forumit Rinor të PD nga 1991 deri 1994, për qytetin e Vlorës.

Ky ishte skafist.

Tani është binzesmen.

Kisha së paku që në vitin 1995, kur ika nga Vlora me familjen dhe erdhëm me banim në Tiranë, që as e kisha parë më e as kisha dëgjuar më për të.

Madje e kisha fshirë fare nga kujtesa.

Mirëpo sot, çuditërisht pas thirrjes dhe njoftimit që bëra unë në facebook pak orë më parë për miqtë e dashamirësit e LDE që duan e janë të gatshëm të kandidojnë me siglën e LDE në zgjedhjet lokale të qershorit në Bashkitë e tyre, mes shumë mesazhe që kam marë në inbox, lexoj edhe mesazhin e këtij zotërisë.

“Galdini, po deshe vota në Vlorë, vetëm ne shokët e vjetër dimi ti marim. Po më mban mend, jam ai që u dilja zot detrave kur pak kishin guximin. Tani jemi familjarë e kemi bërë para e biznese. Dua ti hyj politikës se edhe me shkollë jam bërë këtu tek Universiteti ynë i Vlorës. Nuk na mungon gjë vëlla. Minimumi 2000 vota i mar vetëm nga punëtorët e bizneseve të mia. Maksimumi 5000 vota po të hedhim edhe ca lekë. Dua ta provoj kësaj rradhe për Këshill Bashkiak, që pastaj të hidhem për deputet. Si thua? Edhe ndonjë financim të mirë për LDE e fushatën, jemi të gatshëm ta hedhim. Tê presim në Vlorê e hamë edhe ndonjë peshk të egër andej nga bregu. Nr i tel….”

U mendova gjatë para se ti përgjigjesha.

E në fund i ktheva këtë përgjigje tê cilën po e bëj publike, që të vlejë njëlloj për të gjithë të singjashmit e këtij zotërisë nga Vlora.

I dashur zotëri,

Të falenderoj që më shkruajte e sidomos që e ke parë me interes siglën e LDE.

Të falenderoj edhe për gatishmërinë që ti të kandidosh në Vlorë me siglën e LDE.

Por më lejo të të them disa gjëra krejt ndershmërisht.

1. E shkuara jote si skafist, nuk të ndalon as mundësinë as të drejtën për të ndryshuar, e për tu bërë një qytetar i ndershëm e madje as edhe si kontributor publik, por jo nëpërmjet LDE. Ti je krejt e kundërta e asaj çka LDE është. Ti je e shkuara që ke blerë të tashmen por nuk mund ta blesh dot të nesërmen. Nëse ti do ti bashkohesh LDE, shko në organet kopetente e dëshmo që ke qenë skafist, dëshmo e deklaro edhe burimet e të ardhurave të tua, e nësr do të të duhet të vuash ndonjë dënim, bëje. Pastaj edhe mund ta konsiderojmë të të pranojmë në LDE.

Ne si LDE nuk kemi punë fare me horra, banditë, të fortë, cuba, skafistë, ish-skafistë, etj, etj.

Fare, fare, fare.

Ne jemi besëlidhja e të mirëve dhe merituarve.

Më mirë marim vetëm 10 vota në gjithë Shqipërinë, ama 10 vota të ndershme e të pastra e të lira, sesa 100 mijë vota me zengjinë horra qytetesh, lagjesh e fshatrash.

Kemi hyrë në maratonë e për udhë të gjatë.

Nuk e kemi sprint me pengesa.

2. Nuk i duam as 2000 e as 5000 votat e tua. Njerëz si ty e mendësi si kjo, janë krejt e kundërta e arsyes pse ekzistojmë ne si LDE.

Ne jemi kundër horrave që bëhen zengjinë e biznesmenë, e pastaj hapin sipërmarrje dhe bëjnë edhe tregëti votash.

Nëse LDE do të jetë në pushtet, njerëz si ty duhet të jenë para drejtësisë.

3. Njoftimi e thirrja ime dhe e LDE është vetëm për njerëz e qytetarë të mirë e të thjeshtë, të ndershëm e të papërlyer.
Paçka se sot mund të jenë të dobët e të pafuqishëm.

Ne sot nuk duam fuqinë me vota, as me horra e as me banda, as me para e as me zengjinë të paligjshëm.

Ne duam fuqinë morale.

Këtë po ndërtojmë, këtë duam të ndërtojmë, këtë do të ndërtojmë.

Shpresoj të të vijë keq nga ky mesazh.

Por më mirë të mërzitesh ti sesa të kalbet shpirti i LDE.

Na quaj humbës, dështakë, idealistë, delirantë, idiotë, çfarë të duash.

E rëndësishme është që ne nuk jemi si ty e ti nuk mund të jesh me ne.

Kaq

SHKARKO APP