Global Woman: “Ermonela Jaho vjen nga Shqipëria, por tani i takon botës”,

“Ermonela Jaho vjen nga Shqipëria, por tani ajo i takon botës”, nis artikulli i revistës së njohur londineze “Global Woman”, për sopranon e njohur shqiptare.

Jaho në një intervistë për këtë revistë shpalos detaje të fillimit të karrierës së saj dhe rrugëtimin që ka ndjekur për të arritur aty ku është sot: një divë e skenës operistike. Rrugëtimi, siç e përshkruan ajo, nuk ka qenë i lehtë.

E rritur në Shqipërinë komuniste, gjithçka nisi kur ajo do t’i thoshte vëllait të saj se nuk do të donte të vdiste pa kënduar të paktën një herë operën, “La Traviata”. Tani, kur kujton vitet që kanë kaluar dhe sa herë është ngritur nëpër skenat më të mëdha botërore të operës, kuptohet se ëndrra e saj ka marrë dimension tjetër.

Në fakt pranon se të gjitha ëndrrat i ka realizuar, por kjo për të nuk do të thotë se do të përfundojë gjithçka. Përkundrazi. Një gjë e tillë e shtyn që të vazhdojë të punojë me veten, me teknikat dhe gjithçka tjetër rreth prezantimit të saj skenik deri në ditën kur më nuk do të ketë zë.  “Global Woman” e përshkruan Ermonela Jahon si një yll me zë magjik.

SHKARKO APP