“Grand Hotel Tirana”, projekti i francezëve i vitit 1923! “Profecia” e deputetëve në Kuvend

*Nga Kreshnik KUÇAJ

Kur Tirana u shpall kryeqytet, do të përballej me problematikën serioze të akomodimit të nëpunësve për ofrimin e shërbimeve publike por edhe me nevoja të mëdha për strehimin e tyre.

Me të njëjtin problem ishte përballur më herët Vlora në 1912 apo Durrësi në 1914. Në të dy rastet, zgjidhja e ofruar ishte ajo e ndërtimit të hoteleve të mëdha; oferta që erdhën kryesisht nga të huajt.

Edhe në rastin e Tiranës, në fillim të viteve ’20, pati një ‘bum’ kërkesash për ndërtime, të paktën në letër.

Në listën e gjatë të kërkesave e nevojave për të ndërtuar ishte edhe ajo e një hoteli të madh, ngjitur me zonën e Shallvareve në Tiranë.

Në prill të vitit 1923, Ministri i Financave Kolë Thaçi miratoi një marrëveshje me dy francezë për dhënien e një e sipërfaqeje toke pranë qendrës së Tiranës, me qëllim ndërtimin e një hoteli të madh dhe të disa godinave përreth tij.

Si në studimin e Haxhi Shkozës “Financat e Shqipnis”, si në katalogun e Arkivës së Shtetit ashtu edhe të Bisedimet Parlamentare nuk jepen emrat e plotë të dy koncesionarëve por vetëm mbiemrat e tyre Allegorides dhe Palleron. Ata ishin nënshtetas francezë që banonin në Tiranë.

Kontrata parashikonte se ministria e Financave jep me qira për 30 vite të lartpërmendurve një tokë shtetërore “në mahallën e re prej 7 mijë metra katrorë të kufizuara nga lindja me dëbojën e ushtrisë, nga veriu me rrugën e Kavajës e nga perëndimi me lulishten e bashkisë e nga jugu me Shallvaren (pasuri shteti për të ngritur një hotel e disa ndërtesa të tjera anekse hotelit sipas planit të paraqitur”.

Për ndërtimin e ndërtesave, marrëveshja parashikonte se qiramarrësit francezë detyroheshin të shpenzonin të paktën 1 milion franga franceze.

Në mbarim të afatit 30 vjeçar, francezët do t’ia kalonin të gjtihë ndërtesat shtetit shqiptar pa ndonjë shpërblim apo kusht.

Kontrata parashikonte që ndërtimi të fillonte në një periudhë 6 mujore pas miratimit të marrëveshjes nga parlamenti e do të përfundonte 3 vite pas nisjes së punimeve.

Kontrata parashikonte gjithashtu detyrimin që punëtorët të ishin shqiptarë ndërsa teknikët të huaj.

Një detaj i kontratës ishte qiramarrësit kishin të drejtë që të përfitonin nga dekovili nga Tirana në Breg të Lumit.

Diskutimi i kontratës në parlament

Me 26 maj të vitit 1923, kontrata e nënshkruar mes ministrisë së Financave dhe francezëve do të kalonte për diskutim në Kuvend. E ajo që bie në sy në fjalimet e deputetëve, është se pothuajse asnjë prej tyre nuk e besonte se kontrata do të realizohej!

Gjatë diskutimeve, del në pah fakti se negociatori i francezëve me qeverinë shqiptare ishte Mehmet Konica, politikan e diplomat i njohur i Shqipërisë në ato vite.

Në fjalimin e mbajtur në Kuvend, Ali Këlcyra ngre pikëpyetje nëse projekti do të realizohet dhe se pse nuk i ishte dhënë e njëjta mundësi edhe shqiptarëve.  Të njëjtin shqetësim shpreh edhe Qazim Koculi.

Ndërkohë, Syrja Pojani ‘profetizon’ kur thotë se “pse humbasim kohën kot? Ta pranojmë në princip se jam i sigurtë se ajo shoqëri s’ka për të ardhur”.

Nga ana tjetër, Skënder Pojani vlerëson se kushtet e kontratës janë tepër favorizuese për shtetin shqiptar por edhe ai ngre pikëpyetje nëse dy francezët do ta finalizojnë marrëveshjen.

Nuk besoj se ata do ta bëjnë këtë punë se jam i sigurtë se ata nuk kanë me tepër se 100 mijë franga kapital e se këtu kanë kërkuar akcionarë” shprehej Skënder Pojani.

Mehdi Frashëri  në fjalimin e mbajtur në Kuvend e cilëson si të pakuptimtë rrugën e ndjekur nga francezët për të marrë tokën në Tiranë, ashtu sikurse edhe pretendimin e deputetëve të tjerë që në ndërtimin e hoteleve duhej t’u jepej prioritet shqiptarëve përpara të huajve.

Më vjen çudi që disa vetë thonë që çështja të vihet në ankand edhe disa të tjerë thonë t’i jepet një shoqëri shqiptare. Në ankand vihet atëhere kur qeveria ka një mall për ta shitur dhe kështu veprohet kudo në botë.

Vijnë ca njerëz dhe marrin inicativën dhe propozoj që të bëjnë një gjë e tani ne ngrihemi e propozojmë që ta vëmë në ankand, më duket një gjë fare e çuditshme.

Të huajt kanë një budallallëk se pandehin se toka shqiptare ndryshon prej tokave të tjera dhe shtyhen të bëjnë të tilla kontrata e se ata munden si çdo privat të vijnë e të blejnë një copë tokë e të bëjnë një hotel pa pas nevojë me i pagu shtetit.

Në është se ka shqiptar që duan të bëjnë hotele, i lutem unë qeverisë si parlamentar që këtyre t’u japë tokën edhe badihava.

Po ku janë shqiptarët?

Prandaj jam i mendjes që për këtë çështje nuk është nevoja të bëhen shumë fjalë po të shkojë në komision e të marrë fund çështja” u shpreh Mehdi Frashëri.

Skënder Pojani e rimerr sërish fjalën në Kuvend duke përforcuar edhe më tej parashikimin e tij duke përmendur precedentin e mëparshëm me koncesionin e duhanit, për të cilin u zhvilluan disa muaj bisedime e u nënshkruan kontrata por që në fund nuk u konkretizua.

Pojani në fjalimin e tij evidenton se shpeshherë të huajt ‘mbivlerësohen’ në rastet e shqyrtimit të kërkesave për kontrata koncesionare.

Një ditë kur u ndodha në ministrinë e Financave u paraqitën dy veta për çështje banke nga të cilët nuk mund t’u shpresonte shumë se nga pantallonat që si kishin hekurosur më se 8 muaj e dukeshin se ç’njerëz ishin.

Zotërija e tij thotë se kjo shoqëri do të prishë 1 milion për ndreqjen e këtij hoteli dhe thotë se shteti shqiptar fiton por më duket se zotërija e tij harron që ata prej këtij 1 milioni do të nxjerrin 10 milion.

Pra unë jam i mendjes së përpara  të pranojmë principin e dhënies së tokës me qira për ndreqje hotelesh duke vënë në ankand por duke preferuar shoqëri shqiptare” u shpreh Pojani.

Pas dikutimeve, marrëveshja u pranua me shumicë votash.

Çfarë ndodhi me projektin

Në fakt, ajo që parashikonin deputetët do të konkretizohej. Hoteli nuk  u ngrit kurrë. Haxhi Shkoza te ‘Financat e Shqipnis’ shkruan se shkaku i mosndërtimit të hotelit “nuk shihet i shprehur në aktet e dosierit që patëm në studio”.

Por sipas informatave, shkruan Shkoza, rezulton se kontraktuesit kanë vënë si pretekst më vonë mospëlqimin e vendit të caktuar për këtë qëllim.

*Material i përgatitur posaçërisht për televizionin  SCAN nga gazetari Kreshnik Kuçaj

SHKARKO APP