Hajrie Rondo rikthehet në skenën e teatrit në komedinë shqiptare “Tre dhëndurët”

 

Shfaqja teatrore “Tre dhëndurët” vepër e Dionis Bubanit do të jetë premiera që do të vijë në skenën e teatrit të Metropolit gjatë këtij sezoni artistik.

Me regji nga Sonila Kapedani, komedia do të interpretohet në skenë nga një kastë aktorësh të njohur dhe të rinj të talentuar të teatrit, të cilët kanë nisur prej një jave provat për vënien në skenë të kësaj shfaqje.

E veçanta e kësaj premiere, që pritet të jetë në skenën e teatrit është dhe pjesëmarrja e veçantë e aktores së njohur Hajrie Rondo me rolin e Sanijes në vepër.

Pas rolit që pati në një tjetër shfaqje në skenën e teatrit “Bylis”, aktorja rikthehet sërish në skenën e teatrit, pasi i mungoi për disa vite, ku roli i Sanijes në komedinë “Tre dhëndurët” është i dyti brenda harkut kohor dy vjeçar.

Në role të tjera në vepër interpretojnë aktorët Gëzim Rudi-Mentari, Pjerin Vlashi-Dudumi, Aleksandër Kondi -Xhevahiri, Lindar Kraja-Beniamini, Roerd Toçe-Zenuni, Marget Caushi-Eduardi, Linda Jarani-Flutura si dhe Elona Hyseni-Sanija II.

“Tre dhëndurët” është komedi e shkëlqyer karakteresh e situatash e vendosur në një familje shqiptare gjatë përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Më herët gjatë muajit qershor për këtë komedi ashtu si dhe për të tjera vepra teatrore në teatrin Metropol janë zhvilluar audicione. Kjo vepër vjen në skenë edhe si një homazh kushtuar autorit të saj. Hajrie Rondo ka luajtur rreth 120 role në teatër dhe mbi 20 role në filma.

 

Ndërsa është e vlerësuar në skenën e teatrit me rolet e saj, ka interpretuar dhe në filmat si Ballkan Pazar (2011), Ne dhe Lenini (2009), Dhimbja e dashurisë (2008) serial, Tifozët (2004), Borxhliu (1999), Dashuri në krisma (1997), Gjithë fajet i ka paraja (1996), Pesha e kohës (1988), Një vit i gjatë (1987), Përrallë nga e kaluara (1987), Kush vdes në këmbë (1984), Një emër midis njerëzve (1983), Nëntori i dytë (1982) etj..

SHKARKO APP