Hamit Boriçi, “Njeriu i madh” i gazetarisë shqiptare
Një kartolinë urimi në 86-vjetorin e lindjes/
Nga Gjovalin Gjeloshi-
Shumë njerëz, burra e gra të shquara të shkencës, artit e kulturës, largohen nga kjo botë atëherë kur, ata apo ato, kanë akoma për t’i dhënë fushës së tyre që kanë studiuar gjithë jetën. Shumë të tjerë jetojnë akoma, por vitet si për çdo njeri të natyrshëm, kanë bërë punën e tyre dhe nuk ndjehen më aktiv. Të tjerë megjithëse të aftë në rini të tyre apo në moshën e mesme, në moshën e tretë dembelosen e më tepër i tërheq tavlla e dominoja shoqëruar me erën e qofteve të pjekura se sa dera e bibliotekës. Por ekziston edhe një grup tjetër që duke pasur tituj e grada shkencore, shto këtu edhe vitet e gjata të përvojës, kujtojnë se janë vetëm ata “maja e piramidës së diturisë” dhe bëhen “baballarët” e mërzitjeve nëpër takime të ndryshme. Ndërsa dikush tjetër vlerëson vetëm thinjat e veta dhe të ndonjë kolegu bashkëmoshatar dhe nuk “dorëzon” asgjë te kolegët më të rinj në moshë… dhe më keq akoma: një shkrimtar, artist apo shkencëtar i madh, sulmon të tjerët, po të mëdhenj rreth e rrotull, para e mbrapa në kohë, për të mbetur vetëm…
“Baba”, “axha” apo njëri prej profesorëve të gazetarisë?
Në një prej kanaleve televizive që Hamit Boriçi ka qenë i ftuar shpesh viteve të fundit, gazetari i emisionit i drejtohet:
-Profesor, jeni etiketuar si babai i gazetarisë…
-Jo,- i përgjigjet ky me shaka dhe me atë modestinë brilante që e karakterizon, më largo pak më tutje, jam “axha”…
Kur shkruhet për figura të tilla, nuk kursehen etiketimet apo glorifikimet, me apo pa të drejtë. Vetëm thjesht mosha nuk të bën më të diturin dhe aq më tepër nuk të jepet e drejta të quhesh “babai” apo “ati” i asaj fushe që të etiketojnë. Sepse pastaj na del se, “kjo fusha” na paska shumë baballarë dhe nuk dimë se cili është ai i vërteti. Se shtypi dhe gazetaria shqiptare, nuk ka lindur dje (pas viteve ‘90-të), as më 25 gusht të vitit 1942 dhe as me “Përlindjen e Shqypnisë” më 1912. Ai ka më tepër kohë, shkon më larg në vite… Gazetaria jonë fillon me De Radën e personalitete të tjera arbëreshe, vijon me Sami Frashërin, Faik Konicën, Fan Nolin, Nikolla Naçon, Ernest Koliqin, Gjergj Bubanin e të tjerë burra që punuan me mish e me shpirt nga diaspora e larg atdheut atje, ku kishin emigruar. Konsolidohet me Gjergj Fishtën e të tjerë të shquar nga Kleri katolik që botuan periodikë me zë e që vijojnë të botohen edhe sot. Konsiderohet “babai i gazetarisë”, Jorgji Meksi për punën që i përkushtoi kësaj fushe dhe për botimin e gazetës “Demokratia” në Gjirokastër, titull për të cilin nuk do të ishte as ai vet dakord, se kishte si veten edhe Branko Merxhanin, Vangjel Koçën apo Nebil Çikën etj..
“Mjeshtër i Madh” për kryemjeshtrin e gazetarisë dhe publicistikës”–shkruhej nga një gazetë me rastin e dhënies së këtij titulli një gazetari vërtet të dëgjuar. Po pse duhet t’i dërgojmë njerëzit të vetëm në majë, kur ata nuk i pranojnë vetë cilësime të tilla sepse kanë pasur afër ndoshta kolegë edhe më të zot. Nëse kemi “kryemjeshtër” të publicistikës, ku t’i çojmë të tjerët që janë aq të aftë sa ai apo edhe më të mirë. Çfarë t’i themi Dritëro Agollit, Vangjush Gambetës, Timoleo Mërtirit, Petro Markos, Niko Nikollës e të tjerëve afër tyre? Të vijmë më pas. Edhe pse në periudhën moniste, shtypi kalonte në “vrimë të gjilpërës”, gazetaria dhe publicistika jonë pati penat e saj “të forta”, pak të përsëritshme sot: Spiro Dede, Duro Mustafaj, Mehmet Elezi, Astrit Nuri, Frrok Çupi, Mitro Çela, Qemal Sakajeva etj., etj., që lëvruan me mjeshtri të gjitha gjinitë e publicistikës dhe ngritën probleme madhore e që për disa pati edhe represione ndaj tyre.
Duke u kthyer te Hamit Boriçi, atij nuk i pëlqejnë cilësime të tilla, megjithëse për stadin shkencor e akademik që ka arritur sot, do t’i meritonte të gjitha. Atë mund ta përkufizosh si njërin nga intelektualët më të fuqishëm në fushën e gazetarisë dhe publicistikës shqiptare. “Emblema e gjallë e kësaj fushe”, e ka quajtur Xhevdet Bashllari, drejtues i njërës prej shoqatave të gazetarëve në Shqipëri. Ose “I madh që nuk “i sulmon” të mëdhenjtë dhe përkrah në maksimum “të vegjlit””. Është një ndër themeluesit e drejtuesit e shkollës (katedrës) së gazetarisë dhe pedagogu i parë i saj. Është ndër historianët e pakët që ka shtypi shqiptar e megjithatë nuk preferon të quhet “babai”. E pra, gazetari Hamit nuk ishte reporteri më i mirë, investiguesi më i mirë, eseisti apo fejtonisti më i mirë i kohës së tij. Shtypi shqiptar kishte më të mirë se ai në shkrimin e këtyre gjinive publicistike, por ai ishte dhe është profesori i gazetarëve të djeshëm e të sotëm. Është ai që vuri mbi baza shkencore publicistikën dhe gazetarinë shqiptare. Forca e tij intelektuale e pashtershme është shndërruar në vepra mësimore, shkencore e publicistike. Hamit Boriçi në rrjedhën e më se 45 viteve është titullar i disa lëndëve mësimore në departamentin apo Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin Tiranës e në disa universitete jopublike.
Njeriu që ndihmonte, shefi që falte
Çdo kohë, qoftë edhe ajo e monizmit të egër shqiptar, kishte njerëzit e saj të mirë, “shefat” e punës që dinin të punonin me njerëzit dhe nuk e fillonin e ngrysnin ditën me partinë në gojë, që shikonin tek njeriu punën individuale, talentin e jo biografinë e gjyshit a xhaxhallarëve. Kishte drejtues që mund të mbështeteshe te ata se nuk ishin të politizuar ekstremisht. Drejtues politik të kujdesshëm, liberal të heshtur që nuk lexonin midis rreshtave të veprave të shokut Enver, të mençur sa të mos ia kthenin vetes “tytën e pushkës” dhe shpirtmirë sa bashkoheshin me hallin që kishte tjetri, vartësi. Por edhe guximtarë, sa të mbronin kur tentohej të bëhej gjyq kolektiv, kur mendohej se ti ke gabuar në mësimet e partisë. A ishin pak apo shumë kjo kategori shefash? Kjo është një çështje tjetër, por e rëndësishme është se në mesin e tyre ishte edhe Hamit Boriçi, shefi (kryeredaktori) i gazetës së përditshme “Bashkimi” për 14 vite me radhë.
Kush ka pasur njohje me kolektivin apo me redaksinë e “Bashkimit” aso kohe, ka vënë re se atmosfera e punës në zyrat e kësaj gazete ndryshonte kryekëput me të përditshmen tjetër që i kishte zyrat përball në bulevardin me emër të ndryshuar, “Zogu I”. Kjo ishte meritë në radhë të parë e shefit të kësaj redaksie, i cili dinte të ruante ekuilibrat e brishtë mes “oreksit të eprorëve” që kontrollonin gazetën, ruajtjes së platformës së detyruar të gazetës që drejtonte dhe gazetarëve që mbushnin faqet me shkrimet e tyre. Në “Bashkimi” nuk përfundoi asnjë gazetar “i djegur”. Përkundrazi ata që “digjeshin” diku tjetër, e ndjenin veten mirë në gjirin e këtij kolektivi i cili dallonte në një gjë të rëndësishme: drejtuesi i kësaj redaksie nuk e shikonte me lupë partishmërinë e vartësve të vet, nuk tentonte t’i vinte në shtrungë sjelljet e lira të gazetarëve dhe nuk vinte lapsa të kuq mbi artikujt e tyre.
Kryeredaktori i gazetës i gjurmonte talentet (pa u interesuar më përpara për biografinë politike) atje ku ishin: në auditoret e universiteteve apo në sferat e ndryshme të prodhimit. Edhe kur i dilte pengesë “biografia” e këtyre personave, në Tiranë e më tepër nëpër rrethe, ai nuk jepej. Nuk lodhej edhe nëse do t’i shkonte disa herë “për lutje” sekretarit të parë të partisë të rrethit. Dhe kur i ndodhte që nuk e çante “digën” e biografisë, i jepte zemër e shpresë vet kandidatit për gazetar; e takonte jo një herë atje në baltërat e fushës e kudo të ishte dhe e nxiste: “shkruaj, shkruaj, unë do të të botoj”. Edhe gazetarët që dënoheshin për guximin e tepruar në ndonjë organ tjetër qendror, ky i mbante afër dhe ndërhynte deri në organet e larta partiake të atij rrethi ku ky “do të vuante” dënimin.
Kjo pozitë e shefit të gazetës dhe klima që ai krijonte në redaksinë e saj, u reflektua qysh në fund të vitit 1990. Vet Hamit Boriçi refuzoi në këtë kohë ftesën e një lideri kryesor partiak duke i thënë: “Partia, anëtarë të së cilës ishim deri sot unë edhe ti, dështoi në misionin e saj. Si “dënim” e reflektim unë nuk duhet të mbajë më asnjë lloj tesere në xhep”. Duke thënë këto fjalë, ai u largua përfundimisht nga zyrat e gazetës tre muaj përpara datës zyrtare të pensionit. Reflektim i punës së tij disavjeçare me shpirtgjerësi e pa korniza politike, edukimi që kishin marrë nën kujdesin e gjatë të këtij njeriu, ishte edhe drejtimi që morën gazetarët e gazetës “Bashkimi” në fillim të vitit 1991. Një grup prej tyre, ndër më të mirët, u bënë promotorë të shtypit demokratik në Tiranë: Mitro Çela, Filip Çakuli, Napoleon Roshi, Genc Tirana etj., qenë në bërthamën e gazetës “Rilindja Demokratike” qysh me themelimin e saj. Po kështu shumë korrespondentë të saj në rrethe punuan në gazeta lokale, botime të shtypit demokratik: Izet Duraku në Kukës, Pëllumb Sulo në Shkodër, Frano Kulli në Lezhë, Ilir Buzali në Korçë, Tomorr Jolldashi në Elbasan, Thoma Nika në Sarandë etj.. Qemal Sakajeva pas marsit të vitit 1992 drejtoi televizionin shqiptar, ashtu siç edhe Shyqyri Skënderi u bë shef redaksie në këtë televizion etj.. Drejtime pak a shumë të tilla patën edhe gazetarët Petro Dhimitri, Agim Xhafka, LLazar Parangoni, Fiqri Shahinllari, Ilir Dhima etj..
Ja pra se çfarë mund ta konsiderojmë gazetën “Bashkimi” nën drejtimin e Hamit Boriçit: një shkollë e shtypit demokratik, “studentët” e së cilës qysh me lindjen e këtij shtypi pas vitit 1990, i patën diplomat në xhep.
Drejt bibliotekës…
Me librezën e pensionit në xhepin e brendshëm të xhaketës dhe me një dosje të bardhë nën sqetull, Hamit Boriçi qëndroi disa minuta përpara portës së jashtme të redaksisë që e kishte drejtuar aq vite. (Ishte përshëndetur përfundimisht në marrëdhënie pune edhe me Luanin, shoferin e tij korrekt). Në të djathtën e vet kishte shtëpinë, majtas biblioteka kombëtare. Këmbët e çuan majtas. (Jo për forcë të zakonit se kishte qenë anëtar i një partie super të majtë). Biblioteka kishte qenë për të prej vitesh “shtëpia e dytë” dhe orët e pakta të lira i shfrytëzonte aty. Tashti lumturia e tij ishte e pamasë, sepse nuk do të kishte më detyrime rraskapitëse, nuk do të rrinte më me zemër të ngrirë duke pritur me ankth çdo mëngjes, se si ishte “lexuar” gazeta “atje lart” dhe nuk do të shkonte më në mesnatë në shtypshkronjë para se të futej gazeta në rotativët e printimit.
Idealin e tij të studimeve të mëtejshme në fushën e gazetarisë e publicistikës dhe të historisë së shtypit shqiptar, nuk e ndalën as dy probleme themelore jetësore, për çdo njeri “që han bukë e pinë ujë”, thotë populli: vlera që shënohej në librezën e pensionit ishte më e ulët se sa ajo e librezës të sanitare Sanijes që kishin punuar bashkë në “Bashkimi” dhe ç’është më e rëndë, Hamit Boriçi mbeti pa shtëpinë që të gjithë shqiptarët e privatizuan me 350 lek në vitet e para të demokracisë. Apartamenti i tij ndodhej në një pallat që u privatizua tërësisht nga ish pronari. (Ligjore kjo e dyta). Por i pastrehu nuk përfitoi kurrë një banesë nga ligjet e shtetit demokratik edhe pse disa prej kolegëve të tij që i kishte mbajtur aq afër, ishin ngjitur në pushtetin e pas ‘90-tës. Në këto kushte ai emigroi në Zvicër: djali i tij Artani, punonte në një projekt shkencor atje dhe falë pagës së tij të lartë, tashmë Hamit Boriçi do të kishte një shtëpi të vetën në Tiranë, ku mund të vijonte punën e pandërprerë asnjëherë.
Faqet e panumërta me skeda e shënime të mbajtura gjatë të gjithë kohës, u kthyen në libra të njëpasnjëshëm. Nëse deri në vitin 1990 Hamiti ishte autor i 4-5 librave, kryesisht tekste universitare e jashtë universitare për studentët e fakultetit të gazetarisë dhe gazetarët aktiv, tashmë numri i librave është shtuar dhe gama e tyre është zgjeruar: tekste gazetarie, libra publicistik dhe histori të shtypit shqiptar.
Mik i universiteteve, bashkëpunëtorë i gazetarëve…
Nëse zyrtarisht profesori doli në pension në vitin 1990, kjo ishte thjesht një shkëputje e marrëdhënieve financiare nga drejtimi i gazetës “Bashkimi”. Emri dhe firma i tij, jo vetëm në fillim të viteve ‘90-të, por edhe sot mbeten të kërkuara në fakultetet e gazetarisë apo departamentet e komunikimit dhe të mediave në universitete të ndryshme. Përveç kësaj ai mbetet udhëheqësi shkencor i pakonkurrueshëm për mjaftë doktorantë të fushës së gazetarisë brenda e jashtë Shqipërisë. Nga fillimet e deri më sot, ai mbetet anëtar i këshillave shkencore të disa fakulteteve a departamenteve të gazetarisë e komunikimit, të filologjisë e historisë etj..
Me përvojën shumëvjeçare të themelimit e drejtimit të katedrës së gazetarisë qysh më 1964 në Tiranë, ku vijoi të japë mësim deri rreth mesit të viteve 90-të, ai kërkohet në Kosovë, në fakultetin e gazetarisë “Faik Konica”. Atje një tjetër personalitet i gazetarisë shqiptare, Ramiz Kelmendi “e luste” që të ishte në stafin akademik-shkencor të fakultetit jopublik të gazetarisë. Me peshën e viteve, por me vrullin e një të riu, ai nuk përtonte të udhëtonte çdo javë drejt Prishtinës. Këtë kërkesë ai e plotësoi me dëshirë dhe e vlerësoi si kontribut që e kishte për detyrë ta jepte për gjysmën tjetër të Shqipërisë.
Kontributin e Hamit Boriçit kanë në themel të ngritjes së tyre edhe dy departamente të tjera të gazetarisë: i pari është departamenti medias e komunikimit në Universitetin jopublik UFO (Albanian University) në Tiranë, të cilin e drejtoi disa vite dhe departamenti i gazetarisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër. Edhe sot vijon bashkëpunimin me këto universitete, jo vetëm si mik i tyre, as thjesht si anëtar apo profesor nderi, por si bashkëpunëtor aktiv shkencor për të gjitha problemet që kanë përpara universitetet: simpoziume e konferenca shkencore (kombëtare e ndërkombëtare), strukturën lëndore, stafin pedagogjik-shkencor etj.
“Gjeografia” e bashkëpunimeve të profesorit me kolegët dhe “nxënësit” e tij rrok të gjithë hapësirën mbarëshqiptare dhe diasporën: në Shkup me Emin Azemin, botues i gazetave shqiptare të Maqedonisë; në Prishtinë me gazetarët, publicistët dhe botuesit Sulejman Dermaku, Sherif Konjufca, Sadri Ramabaja etj; në Ulqin me botuesin e revistës “Buzuku” Simë Dobreci, publicistin Gjekë Gjonaj; në Tuz me klerikun dhe botuesin e “Zani i Shna Ndout”, Padër Pashko Gojçaj; gazetarët e RTV të Malit të Zi, Fran Camaj e Gjokë Dukaj, me Anton Gojçaj në “Koha Javore”; në diasporë në SHBA me Dalip Greca, kryeredaktor i “Diellit”, publicistët Zef Përgega, Lulash Palushaj, Rush Dragu etj. Emri i Boriçit nderohet e kërkohet në Zvicër, Gjermani, Suedi, Rumani e gjithkund ku diaspora boton gazeta e revista në gjuhën shqipe. Hamiti është anëtar apo kryetar nderi në të gjitha shoqatat e gazetarëve që operojnë sot në Shqipëri.
Biblioteka dhe studioja vetjake e Boriçit në Tiranë, krahasohet me një bibliotekë publike dhe me një lloj “studioje këshillimore” për të gjithë studentët, gazetarët dhe pedagogët e gazetarisë. Aty mund të marrësh gjithçka falas dhe me shumicë: literaturë, skeda, shënime, ide, tema shkencore, projekte. Por mbi të gjitha ke në dispozicion profesorin me të gjitha përkushtimet e tij në të gjitha orët e ditës. Interesant! Asgjë nuk mban, asgjë nuk kursen. Ai vepron me kolegun apo studentin sikur ia ka borxh dhe me gjithë shpirt mundohet ta ngrejë në nivelin e vet. Ai vepron me një bujari të pashembullt.
Ja se çfarë kujton me këtë rast një prej studentëve të tij të hershëm, Thoma Nika, gazetari i njohur i Sarandës dhe jugut të Shqipërisë:
“Ora e leksionit me prof. Hamitin ishte ndriçuese dhe aftësuese për të qenë një gazetar i dijshëm, vëzhgues i vëmendshëm i realitetit dhe depërtues në të. Ishte i pari pedagog i gazetarisë që urtësisht refuzoi të japë “Teori gazetarie” me përkthim shabllon të dispensave ruse. Leksionet e tij dallonin prej të tjerëve, pasi ai fuste vetveten në to, eksperiencat personale dhe të kolegëve të gazetës “Bashkimi”, hulumtimin dhe konkluzionin, studimin e thelluar dhe transmetimin në mënyrë bindëse të argumentit. Kishe dy mundësi për ta takuar profesor Hamitin: ose në kohën e leksionit, ku nuk mund t’ia lejoje vetes të mungoje, ose në sallën e studimit të Bibliotekës Kombëtare. Qysh katër dekada më parë, ai ushqente ambicien dhe punonte pa u ndalur për të qenë i pari studiues shqiptar në fushën e teorisë dhe praktikës së gazetarisë, duke u bërë fondamental për çdo kurs gazetarie pas nesh dhe për të gjithë ne që përfundimin e këtij kursi nuk e quanim fundin e dijeve profesionale.
Në praktikën time në bërjen e gazetarit të terrenit, ndihesha mirë që kisha mundësinë ta pasuroja në proces me referenca për situata të ngjashme që i gjeja në manualet e botuara me autor Boriçin. Në këtë kontekst, mjaft prej mundësive të mia për të përmirësuar vazhdimisht diçka në portretin e gazetarit në formim dhe në qasjen time ndaj asaj që ofron realiteti, ia dedikoj mësimeve të vyera që kam marrë nga studjuesi im i preferuar prof. Hamit Boriçi. Me mençurinë dhe cilësinë komunikative të tij kam të lidhur edhe temën e diplomës, mbrojtur me “Informacioni dhe titulli në gazetë”. Pa këshillimin e vyer dhe të dhënë bujarisht e profesionalisht nga prof. Boriçi, kjo temë e karakterit thellësisht profesional, do të ishte një dështim. Në fakt, ia dola të paraqes një studim hulumtues dhe argumentues për informacionin dhe titullin, që në fakt janë “gjaku dhe nervi” i gazetarisë në çdo kohë.
Për të gjitha sa solla në kujtese në këtë ditëlindje të 86-të të tij, ndjehem mirë, sikurse më gëzon shëndeti që ka edhe sot, vitaliteti dhe prodhimtaria publicistike e shkencore e profesorit tim më të dashur. T’i uroj, “Edhe 100”, sipas urimit standard, më duket se i vë tavan dhe limite të pamerituara vitalitetit të tij. Nuk po e uroj kështu, edhe nga që prof. Boriçi vetëm ka thyer standarde. Pse të mos shënojë edhe rekorde jetëgjatësie?! Do ta dëshironim të gjithë!
Urime i dashur profesor, profesori i të gjithë gazetarëve shqiptarë të të gjitha kohërave. Edhe i atyre që vijnë, jam i sigurt. Jetëgjatësia juaj është e siguruar përmes veprës studimore për profesionin e gazetarit, që do të jetojë gjatë.
Faleminderit duhet të të themi të gjithë. Urime zemre gjithashtu”!
“I madhi” që ngre në piedestal të mëdhenjtë…
Atë Kolë Berishaj, françeskani i ndjerë i Tuzit, vetëm një herë u takua me Hamit Boriçin në vitin 1991 në Tiranë. Tema e diskutimit midis dy burrave të shkencës ishte ajo e redaktimit dhe botimit të veprës etnografiko-folklorike të françeskanit, i cili midis shumë volumeve të shkruara, kishte botuar në Ferizaj vetëm njërin prej tyre. Një kafe dhe midis tyre u krijua një lidhje miqësore mes kolegësh që zgjati përgjithmonë. Edhe tash që At Kola nuk jeton prej kohësh, Hamit Boriçi merret me botimin dhe ribotimin e veprës së tij. Këtë punë profesori e çmon si një amanet dhe në krye të redaksisë që po drejton prej vitesh në përgatitjen për botim të veprës voluminoze etnografiko-publicistike të tij, ai jo vetëm udhëzon e ndihmon kolegët, por edhe punon vet deri në faqosjen e librit a procese të tjera që kërkon vepra për të dalë në dritë.
Kur prof. Hamiti në përbërje të një redaksie të ngritur nga enti botues “Gjergj Fishta” në Lezhë, punonte me pasion për qëmtimin dhe përgatitjen për botim të publicistikës së kolosit At Gjergj Fishta (në fakt redaksia punonte për ribotimin e kolanës së plotë të veprave të Fishtës), pati prej atyre “shqiptarëve” që thane për nën hundë: “Ç’don një “Hamit” me një prift”? “Qitja” nuk është e largët për t’u kuptuar: “Çfarë don një muhamedan me një françeskan”? Por Hamiti me gjysh e stërgjysh, është lindur malësor i Shkrelit (atje ku është lindur edhe Dasho Shkreli) dhe sheh njëlloj, si priftin edhe hoxhën. Natyrisht në mes të dyve a sado qofshin ata, vlerëson intelektualin, gazetarin, publicistin, etnografin…
Dy vjet me radhë (2007-2009), një redaksi e përbërë nga pesë anëtarë dhe mbi 70 bashkëpunëtorë, punoi për të përgatitur për botim veprën voluminoze të shkencëtarit të shkencave veterinare, bujqësore e shoqërore, të publicistit, aktorit e futbollistit Vafsi Samimi (Visoka). Të gjithë këta punonjës të angazhuar dhe 28 volumet e botuara me rreth 15 mijë faqe kishin drejtues dhe kryeredaktor Hamit Boriçin. Prapë edhe këtë punë e quajti obligim, detyrim. E kishte njohur vet dhe e kishte çmuar gjithmonë. I vlerësonte sidomos librin ( për të cilin u dënua autori) “Nëna Kosovë”.
Sot profesori mendon për Selami Pulahën, nesër për Sotir Pecin, pionierin e shtypit shqiptar në Amerikë, pasnesër për …, a ka pushim ndonjëherë ky njeri?…
“Të pushosh duke punuar…”
Siç nuk pushon vet, nuk i lë të pushojnë as njerëzit me të cilët bashkëpunon apo thjesht ka miqësi me ta. Akademikja Floresha Dado, duke e vlerësuar Hamit Boriçin “si një mik dhe bashkëpunëtor shembullor”, në një tubim kushtuar profesorit, tregonte edhe “belanë” në të cilën të futë ky njeri:
-Floreshë, si je, me se po merresh?
-Po ja, e mbarova librin që kisha dhe e kam dërguar në shtypshkronjë…
-Mirë, mirë, po me se po merresh, çfarë ke në dorë tani?
-Po…ja… librin pra…
-Jo, jo të pyes për sot…
Në të vërtet kjo histori i ka ndodhur çdonjërit që ka të bëjë me njeriun e palodhur, me mikun bujar dhe me shkencëtarin skrupuloz, Hamit Boriçi. Kolegët e tij më të afërt si Bashkim Gjergji, Mark Marku, Qemal Sakajeva dhe dhjetëra kolegë e bashkëpunëtorë më të rinj, kujtojnë të njëjtat telefonata apo biseda. Në stilin e punës së tij është “të pushosh duke punuar”. Duhet të fillosh dy-tre punime njëherësh – është metoda e punës së tij. Kur lodhesh me njërën, pushon duke punuar me tjetrën. Kur mbaron një punim dhe e dërgon në shtyp, nuk humbë kohë duke menduar se, me çfarë do të merrem tani.
Unë e them shpesh në biseda me fëmijët e mi apo edhe me miqtë e shokët, fjalën e urtë që ka për autor “Don Hamitin”: “Nëse je i mërzitur, lexo; nëse të vjen për të qarë, lexo; nëse të ka marrë malli për njerëzit e afërm kur ti jeton në konvikt a diku larg, prapë lexo, nëse dikush të ka bërë një padrejtësi, lexo, lexo, do të të kalojë nervozizmi; nëse je i lodhur, lexo, do të të kalojë; edhe kur je i gëzuar dhe të vjen t’i përqafosh të gjithë, lexo; por edhe nëse ke gjumë, lexo. Le të të zërë gjumi mbi libra.
Historiani i veçantë i gazetarisë…
Një 86- vjeçar që rri pak në apartamentin e tij në Tiranë. Kjo falë shëndetit të plotë që i ka dhuruar Zoti, por edhe kujdesit të imtë që tregon familja për të: Artani, Mirela edhe nipi, Dalini, por veçanërisht nusja e tij, Myzi. Myzejeni është profesore e shkencave meteorologjike, por ajo ka kohë që qëmton në fushën e mjekësisë alternative. Pak për veten e më shumë për të treguar kujdes në shëndetin e të shoqit. Gratë nga natyra janë më konkrete, mendojnë më shumë për familjen se sa burrat, kështu që ankesat e saj për “bujarinë ideale” të burrit, kanë marrë pak si pezëm. Sepse në shumicën e rasteve, gratë e bëjnë pazarin dhe ato i dinë çmimet, koston reale të jetesës…
Kur mori përsipër hartimin e fjalorit “Gazetarë dhe publicistë shqiptarë”, Hamit Boriçi shëtiti “me këmbë” dhe me shpenzimet e veta të gjitha trevat shqiptare: Tiranë-Shkup-Prishtinë-Podgoricë. Në çdo kryeqytet u ngrit një redaksi. Ky ishte në krye. Kreu gjithçka vet, përveç shpenzimeve të shtypshkrimit. Një volum pune që mund ta përballonte vetëm pasioni i një njeriu si ai. Fjalori është aty, i botuar. Është në duart e lexuesve dhe në “arkivën e historisë” së shtypit shqiptar. Ka mangësitë objektive të tij, por është edhe i shënuar në planet e ardhme për t’u ripunuar. Kohë pas kohe grumbullohen të dhëna të reja: cv gazetarësh, foto, “gërmohet” në jetën e gazetarëve që nuk jetojnë.
Tashmë skedat e plotësuara për 30 vjet me radhë në arkivin e periodikëve shqip të bibliotekës kombëtare në Tiranë, do të marrin jetë shumë shpejt në një libër voluminoz ku do të përfshihen të gjithë periodikët shqip: gazeta e revista të botuara qysh nga “Shqiptari i Italisë” i De Radës e deri te çdo gazetë a revistë shkollore që botohet në Shqipëri, Kosovë a Maqedoni. Nën kujdesin dhe këshillat e Hamit Boriçit, është krijuar një rrjet bashkëpunëtorësh në të gjithë diasporën shqiptare ku botohen periodikë shqip deri në Zelandën e Re dhe Australi. Për herë të parë do të dalë e plotë “gjeografia” në kohë dhe në hapësirë e periodikëve shqip të botuar…
Sado faqe gazete të kesh në dispozicion, nuk mund të shterohen ato që do të thuash për këtë njeri të madh e të veçantë, por unë do ta mbyllë këtu me fjalët që thotë akademiku Gjovalin Shkurtaj për të:
“Një dashamirë i gjuhës së bukur shqipe që i shkojnë plotësisht për shtat cilësimet më të larta pozitive të fjalorit të kësaj gjuhe: Një burrë i rrallë e me shpirt të madh, me dije të gjera e zemër të bardhë. Njeri i ndershëm e serioz, burrë, mik e shok që lum kush ka pasur të bëjë me të; familjar shembullor, shkodran fisnik, qytetar e atdhetar shqiptar. Veprimtar shoqëror i spikatur.
Edhe njëqind miku ynë i shtrenjtë. Ju paçim midis nesh edhe për shumë mot kështu si sot: me forca të pashtershme e shpirt të paplakshëm”.