Harry dhe Meghan i përgjigjen urdhrit të Mbretëreshës
Pak ditë më parë u bë me dije se Mbretëresha dhe zyrtarët e lartë do t’u ndalojnë Dukës dhe Dukeshës së Sussex, Harry dhe Meghan, përdorimin e termit “royal” (mbretëror) në organizatat që do të themelojnë apo në kanalet e komunikimit publik. Sot, çifti publikoi një deklaratë për shtyp në të cilën sqaron qëndrimin në lidhje me këtë vendim.
“Duka dhe Dukesha planifikojnë themelimin e një organizata jo-fitimprurëse, por duke pasur parasysh rregullat e qeverisë britanike rreth përdorimit të fjalës ‘mbretëror,’ ranë dakord të mos e përdorin togfjalëshin ‘Sussex Royal’ apo ndonjë variacion të ngjashëm.
Për arsyen e lartpërmendur, aplikimet për të ruajtur të drejtën e përdorimit që u dorëzuan si masë mbrojtëse porsi ndodhi në rastin e Fondacionit Mbretëror të Dukës dhe Dukeshës së Cambridge, janë tërhequr,” shkruhet në faqen zyrtare të Princ Harry dhe Meghan Markle.
Në fjalë të tjera, çifti tha se aplikoi për të ruajtur të drejtat e togfjalëshit Sussex Royal, siç bënë në kohën e tyre Ëilliam dhe Kate.
Në paragrafin më poshtë, thuhet se Monarkia nuk ka asnjë të drejtë mbi mbikqyrjen e përdorimit të termit “mbretëror” jashtë kufijve të Mbretërisë së Bashkuar, por sidoqoftë, Harry dhe meghan s’do ta përdorin.
“Edhe pse Monarkia apo Zyra e Kabinetit nuk ka juridiksion mbi përdorimin e termit ‘mbretëror’ jashtë kufijve, Duka dhe Dukesha e Sussex nuk kanë qëllim të përdorin ‘Sussex Royal’ apo ndonjë variacion të fjalës ‘mbretëror’ në asnjë territor (brenda apo jashtë Mbretërisë së Bashkuar),” vijon deklarata.
Prononcimi mbyllet me lajmin se në pranverën e këtij viti, kanalet digjitale të çiftit do të rifreskohen dhe do të prezantojnë fazën e rradhës.