Heronjtë e harruar të qytetit tim
Nga Ilir Levonja /
1) Vitet e fundit, qyteti im është shpesh objekt i kronikave të krimit. Televizionet sikur vrapojnë të shpallin mandate, autorët e krimit, viktimat në rrugë etj. Ky është pjesë e këtij grupi, ky i grupit tjetër. Hakmarrja e radhës, vrasje e porositur etj. Megjithëse është qyteti i një plejade artistësh apo intelektualësh deri me shkenctarë në fushën e bujqësisë. Ka patur dikur një nga Institutet më në zë të vendit, me kotribut amerikan. Madje kujtoj se si një intelektual me emrin Vladimir Bano, luftoi me nerva e plot argumenta që ky objekt të ruhej, të mos jepej kurkund, të bëhej Universitet. Dhe ishte mëse e logjikshme, jemi hambari i Ballkanit. Po kujt i fliste…, ata që janë anëtarësia, janë një kontigjent që të mbysim me urrejtje dhe jo me argumenta. Mund të kesh flori në duar, por duart e kujt janë?
2) Vitet e socializmit e dërrmuan deri diku Lushnjen e vjetër. Kjo në moton e ndërtimit me kontribut dhe njeriut të ri, apo qytetit të ri. Në demokraci u përvëluam nga fondacionet dhe ligji 7501, ku nuk mbeti kamarier a shitës pa u bërë pronar. Një reformë agrare e dytë aq sa ka futur në konflikt gjithkënd me ata që ka përreth. U përvëluam edhe nga letrat e me vlerë, ku ndërrmarrjet i blenë njerëzit më pa vlerë. Kurse kulturës i është dashur të mbijetoj, duke kontribuar me shpenzimet e xhepit, ashtu si thuajse 99.99% e autorëve në gjithë Shqipërinë. Them se pikërisht këta mëtonjës janë edhe heronjtë. Kam parasysh edhe veten se si në një përgatitje shfaqeje, vjen një grup të fortësh dhe më marrin orkestrën. Jo që nuk më pyetën, por as që m’i hodhën sytë. Ishin kohë të vështira post 97-ta. Kultura ime apo e një regjisori si Haxhi Rama, nuk u hynte në punë të fortëve.
3) Herojtë e kulturës, shkencës, bujqësisë janë sot statuja të harruara. Megjithëse në kapërcyell etapash kanë luajtur rol të madh. Në shkurt të vitit 1991, një shkrimtar me emrin Halil Jaçellari, i shkruan nga Lushnja një letër të hapur Ramiz Alisë. Mund të ketë qënë një nga letrat më të guximshme dhe që luajti një rol të fuqishëm në jetën e vendit, gazeta Republika u shit e gjitha e në një kohë rekord. Sot këtë material nuk e gjen të ekspozuar gjëkundi. Të paktën Muzeu i Qytetit duhet ta disponoj. Me domosdo. Eshtë hstoria e tij. Për më tepër që u shkruajt aty. Por vite më parë, konformizmin a shabllonitetit e kohës, e kishte trazuar edhe një intelektual tjetër, poeti Faslli Haliti. Me poemën Dielli dhe rrëkerat 1972. Kur bisedon me një palë e quajnë poetin të majtë, një palë tjetër të djathtë etj. Në fakt Faslliu nuk ishte as njëri dhe as tjetri, për arsyen e thjesht, prirja a vokacioni shpirtëror. Ishte thjesh poeti. Dhe normalisht kontraversi me sistemet, është fryma magjike ajo që e bën këtë diferencë. Eshtë poetllëku.
4) Heronjtë e harruar janë me shumicë, megjithatë janë mundur nga anëtarët e partive. Kjo është më se normale kur ke rënë poshtë. Kur të del nami me grupet. Për më tepër kur të gjithë forumet si nga e majta dhe djathta, kanë urrejtje për krijuesit. Njohin vetëm një logjike, o me ne, o kundërshtar. Megjithëse vet këta, i kishin kapërcyer me kohë këto barriera. Madje kuvendonin gjatë në kafene. Njihet fakti se si një inxhinjer poet si Vasil Bozo, u jepte strehë shkrimtarëve të persekutuar si Sherif Bali apo Baki Nezha. Apo shkrimtari Fatbardh Rustemi i jepte post një poetit të deglasuar si Sherif Bali. Apo një shkrimtari të ri si Ilir Levonja, t@i ofronte një post drejtori në një shkollë fshati. Apo një arsimtar i urtë si Bilbil Cami aplikonte fondacioneve për ca mure tulle që t’i bënin një shtëpi poetit Sherif Bali.
5) A mundet sot heronjtë e harruar të kenë sikur nga një degë gështenje a bredhi si postrehë. Ky apel i drejtohet atyre që militojnë në kulturë, pushtetit lokal, këshillit bashkiak. Mblidhini këto bulëza vese me fushë e Darsi, se është historia jonë e vërtetë. Mos e lini vetëm Vaçen. Presin të gjallë e të ikur, se nuk ma nxë goja të them të vdekurit. Nuk ka poet më autokton, më me sharm Myzeqeje se Faslli Haliti. Nuk ka tregimtar a romancier më me sharm Myzeqeje se Halil Jaçellari, sikur një tregim t’i përmendësh, Beun e Karatoprakut. Nuk harroj një bisedë me Ilia Shytin, e kam shkruar. E trishtonte fakti që një rrugë e kalldrëmtë nuk ekzistonte më. Po ashtu një kolipse kaba. Megjithatë nuk i kemi dhënë një pëllëmbë truall. Vath Koreshi, romancier, kineast, nuk e ka një pëllëmbë truall. Kur e shoh në ëndërr nuk i justifikohem dot. Mos i kërkoni heronjtë në arshiva. Një vend u jepni. Një sallon në Bibliotekën tuaj. Që të keni se çfarë u tregoni vizitorëve. Ndërkohë hidhni themelet e historisë tuaj. Se janë shumë ata. Dhe i dua të gjithë.