Histori dhe mistere në lagunën e nartës
Nga Mihallaq Qilleri –
Padyshim që Manastiri i Shën Marisë së Fjetur (monastiri – në të vërtetë, sepse mono.gr.-vetmi, pra monahi, murg-murgeshë) është nga vendet më të bukura të Shqipërisë dhe si shkrimtar e kam përdorur këtë peizazh dhe misteret e tij në më shumë se një rast. Por ne nartiotët ndjejmë një lloj pezmi sa herë ky vend quhet Manastiri i Zvërnecit. Me banorët e atij fshati ka lindur kështu një kontradiktë. Në të vërtetë ky ishull gjeografikisht është shumë më afër fshatit Zvërnec sesa Nartës. Por si është e vërteta, sipas mendimit tim? Ka mendime shkencore dhe jo shkencore se Zvërneci është një zëvendësim fonetik i fjalës Spinarica, qytet i Mesjetës së Hershme, i cili herë vendoset aty pranë, e herë diku midis Apolonisë ( Pojanit) e derdhjes së lumit të Vjosës. Mbetje arkeologjike të atij qyteti të përmendur, megjithatë, nuk gjenden as afër Zvërnecit, as afër Pojanit, këtu me përjashtim të kishës së vjetër të Shën e Premtes. Nëse gjykojmë mbi rrënjën e emrit Zvernec do të sqaronim se ajo vjen nga sllavishtja dhe Zver do të thotë kafshë e keqe, dinake, e egër, bishë. Pra asnjë lidhje me Spina-rica. Nga ana tjetër kodra që sot quhet Triporte, mban një kurriz të saj një bazilikë tepër të lashtë. Në det, nga ana e juglindjes, gjendet gjithashtu një mur rrethues, tipik për qytetet e vjetra. Deri në vitin 1962 arkeologët shqiptarë mendonin se aty ishin rrënjët e Aulonës (Vlorës), deri në çastin kur te Sheshi i Flamurit u gërmuan themelet për Monumentin e Pavarësisë dhe, befas, atje u zbuluan mure të trashë të ndonjë kalaje, apo rrethuese të qytetit. Pra Vlora (Aulona) kishte qenë aty, ku ndodhet edhe sot. A mos kanë qenë këto mure në Triport të Spinaricës mesjetare? Po arkeologët theksojnë se këto mure janë më të vjetra se aq. Spinarica lulëzoi ne shek. XI-XIII. Pastaj myzeqarët nuk të lënë t’ua përvehtësosh këtë emër.
Emri Triporte është latinisht dhe ka lidhje me tri gryka që lidhnin Lagunën (e Nartës, – siç quhet sot), me detin. Pra i përket periudhës veneciane. Hartat e vjetra e tregojnë zonën e kodrave si një ishull të ndarë nga Laguna. Në fakt, nartiotët këtë kodër-gadishull e quanin Pllaka. Nuk e di përse, por ndoshta nga që shtresëzimet ranore vertikale, të forta, shihen edhe sot si pllaka në pjesën e pasme të gadishullit. Por le të kthehemi te “pronësia “ mbi manastirin. Sigurisht ishulli vet është një mbetje tektonike siç janë aty disa kodra të tjera. Pyllëzimin e tij magjik vetëm me drurë qiparisash nuk dihet se kush e bëri. Kisha është e shek XI-XII dhe përkon me dyndjet sllave në këtë zonë dhe administrimin e Valonës (Avlonës) mesjetare prej tyre. Kur është ndërtuar Kisha e Shën Marisë së Fjetur, madje kur ky vend u bë manastir, unë besoj se Narta si fshat ishte atje ku është edhe sot ose nuk ekzistonte fare. Kjo tezë më armiqëson me disa bashkëfshatarët e mi. Por vet Zvërneci ka një popullsi shumicë me origjinë myzeqare. Mbiemrat, por edhe përdorimi foshnjor i greqishtes, tregojnë se ky fshat është ndërtuar më vonë se Narta. Para shpërbërjes, në vitin 1959-60, manastiri kishte 5 ndërtesa, përveç kishës dhe qe rrethuar me një mur avllie. Le t’i rikujtojmë këto ndërtesa siç ishin atëherë.
Kur kapërceje portën harkore, (në krahun e majtë të së cilës ishte gdhendur një kryq ortodoks, ndërsa në boshllëqet midis kryqit shënoheshin katër germa “Φ” greke të cilat donin të thoshin. “File, Fere, Faje, Fije”. Në përkthimin tim, ato i thoshin çdo pelegrini. “Mik, Bjer, Ha, Ik”. Manastiri, pra, nuk të ndihmonte dot, së paku me ushqim po të qëndroje aty gjatë, ose në ditë të zakonshme, përveç festës së 15 gushtit.
E para, e mbështetur pas murit rrethues e që shikonte nga lindja e veriu, qe banesa e Peshkopit të Beratit. Manastiri, së paku deri në vitet ’50, administrohej nga Episkopia e Beratit. Peshkopi vinte këtu rrallë, ndoshta një herë në vit, më 14 gusht, nga që 15-ta ishte e kremtja e madhe e Fjetjes së Shën Marisë. Dhomat e katit të dytë ishin vërtetë luksoze për kohën, Mbaj mend se dhoma e pritjes qe mobiluar me kolltukë të veshura me mbulesa të bardha, perde po ashtu të bardha, ndërsa po aty qe edhe biblioteka. Ka bashkëfshatarë të mi që tregojnë se dikur kjo bibliotekë ishte shumë e madhe dhe me shpërdorimin e saj mund të kenë humbur vlera të mëdha historike, qoftë edhe me vet krijimin e atij manastiri. Mua, personalisht, nuk më kujtohet që ajo të ishte bibliotekë aq e madhe. Sa libra kishte? Këtë e kam të pamundur ta kujtoj.
Pronat e manastirit, shumica e tyre, gjendeshin në mylqet (hapësirën) e tokave të Nartës, (ullinj e vreshta), çka tregon lehtësisht se nartiotët qenë dhuruesit më të mëdhenj.
Ndërtesa e dytë, po në atë krah (lindor), ishte edhe më e madhja, siç shihet edhe sot. Ajo quhej Shtëpia e Nartiotëve. Në të ngjitnin një palë shkallë të vogla prej guri, të cilave mjeshtri kishte lënë nën vete një hapësirë harkore (qemerore), ku vendosej voza (fuçia) e ujit të pijshëm. Manastiri kishte një pus, por uji i tij nuk pihej për shkak të kripshmërisë. Në krahun e djathtë të hyrjes ishte një ndërtesë njëkatëshe, e cila shërbente për të mbajtur zahirenë e pritjes së pelegrinëve e ushqimet për të punësuarit në manastir. Në shpinë të saj ishte ndërtesa e katërt, por edhe më fine, ndërtesa ku kishin të drejtë të flinin mysafirët e shquar, sidomos epitropët. Veranda e saj shihte oborrin, por edhe veriun e Lagunës dhe, në gushtin e nxehtë flladi, aty ishte një mrekulli. Ndërtesa e pestë quhej shtëpia e Priftit. Ky ishte shërbyesi i liturgjive dhe ceremonive të tjera që zhvilloheshin në manastir. Nuk kisha hyrë ndonjë herë aty, me gjithë një palë shkallësh të ngushta prej guri që të ngjitnin në një apo dy dhoma atje sipër. Ngjitur me të, ose në katin e parë (nuk jam i sigurt për këtë), ishte katoqi, qilari, – quajeni si të doni, – më tragjik. Aty strehoheshin të sëmurët mendorë që mbërrinin në ishull së toku me të afërmit e tyre për t’u shëruar prej mrekullive të Shën Marisë. Por me që të sëmurët mendorë mund të shqetësonin vizitorët e tjerë, për shembull, ata që vuanin nga tuberkulozi e qenë njerëz normalë në mendime, apo shoqëruesit e tyre, në këtë katoq, apo qilar, ata lidheshin në pranga, fundet e të cilave qenë ngulur në muret e ndërtesës. Ky “burg” sot ka mbetur një grumbull gurësh.
Kisha e Shën Marisë së Fjetur, – sipas studiuesit Vasil Vido,- ka qenë sa gjysma e asaj që shohim sot. Ajo u zgjerua në krahun perëndimor, sidomos pjesa që quhej e grave, sepse gratë përjashtoheshin ato kohëra të lashta të merrnin pjesë në ceremonitë fetare. Liturgjitë ato i ndiqnin pas kafazeve prej rrjete druri në katin e dytë të kishëzave. Në brendësi të kishës gjendet një varr i mbuluar me një pllakë, syprina e të cilit është një histori më vete. Aty është skalitur një kafkë e rrethuar me një gjarpër dhe poshtë saj një dedikim. Flitet për një individ i quajtur Karaxha. Rreshtat greqisht janë quajtur hiperbolisht ndonjëherë si poezia e parë të gjetur. Por jo. Qetësisht mund të thuhet se aty është shkruar një epigram. Pozicioni i këtij varri jo thjesht në thellësi të kishës, por ngjitur pas murit jugor të saj, të intrigon për të menduar se ndoshta ky varr kalorësi, apo princi mund të jetë edhe shkaku i ndërtimit të kishës, përmbi hijen e tij. Kafka me gjarprin e përdredhur, po sipas historianit Vasil Vido mund të jetë shenjë e masonëve të cilët zbritën në ato brigje në shekujt XII – XIII, kurse sipas logjikës sime poetike kalorësi mund ta ketë pickuar një gjarpër në atë ishull të zhveshur aso kohe dhe ai të jetë varrosur po aty. Më vonë të afërmit apo ushtarët e tij të kenë ardhur për të rindërtuar varrin sepse pllaka e mermertë nuk është me material vendas dhe ca më pak mbishkrimet e barelievit të saj kërkonin mjeshtër dhe punishte. Ka edhe mendime se ky qe varri i një sundimtari sllav. Të po asaj kohe mund të ketë qenë ndërtimi i një kishëze për shpirtin e këtij kalorësi. Kjo ide është sa romantike, po aq edhe fantaziste.
Por jashtë mureve të kishëzës gjendet një varrezë e plotë. Kryevarri ka qenë lapidari i ndërtuar për nder të një gruaje që quhej Katerina Tsukalina. Jo vetëm barelievi dhe shpjegimi greqisht i jetës së saj, por edhe varreza të tjera me pllaka thuajse të myshkura e të shkruara përgjithësisht greqisht, (në mungesë të shqipes), janë dëshmi se njerëz të largët janë varrosur aty. Një emër i varrosur po aty, për shembull, është nga fshati Lekël i Tepelenës. Pra, shumë larg së këtejmi. Për fat të keq lapidari i Tsukalinës u thye në vitin e mbrapsh 1967 për ta shitur barelievin e tij diku, ndoshta në Greqi, nga kishte origjinën kjo grua e bukur. E gjithë kjo mund të shpjegohet me faktin e vetëm se ata kanë vdekur aty dhe nuk mund të transportoheshin. Kanë vdekur aty sepse kanë qenë të sëmurë dhe kanë ardhur të kërkonin ndihmën e Shën Marisë për t’u shëruar. Nuk i kanë përballuar dot sëmundjet dhe janë varrosur prej të afërmve në shpinë të kishës. Po aty gjendet edhe varri i Marigo Possios, e quajtura qëndistarja e Flamurit të Pavarësisë së shpallur në Vlorë. Nuk e di se kur është sjellë aty ky varr, apo ka qenë i vjetër. Gjithsesi varroshi është i viteve të fundit.
Ka pasur një fis në Nartë me mbiemrin Xhaxho, (Zhazho), të vdekurit e të cilit varroseshin në këtë Manastir. Për shkak të distancës së madhe Nartë-Manastir, ata silleshin këtu me arkivolin në lundër. Edhe kortezhi i të gjallët e shoqëronin të vdekurin po me lundra. Kjo ka vazhduar deri në vitin 1959-1960. Deri në kohën kur manastiri u kthye në një vend internimi për të dënuarit politikë. U ndërpre aktiviteti fetar, ndonëse vet kisha ishte quajtur nga shteti i asaj kohe Monument Kulture. Lejohej të hynte atje vetëm një kujdestar-pastrues. Quhej Jani Sita. Ishte një burrë gjysmë i verbër. Ishulli u rrethua me një tel korrenti në ujë duke lënë një shteg të ngushtë nga mund të kalonte vetëm një lundër, e cila shërbente edhe për të sjellë ujë e ushqime për të internuarit.
Në të gjithë këtë histori nuk ka asnjë shenjë të ndikimit të fshatit Zvërnec mbi këtë ishull.. Është e vërtetë se familja Arapi, qe administratore e kishës deri në fund të viteve ‘50. Pas vdekjes së Tol ( Apostol) Arapit, shërbimin për kishën e Shën Marisë e mori mama Tina, (nënë Katina), nëna e poetit të Madh shqiptar Fatos Arapi. Mama Tina ishte beratase, mesa më kujtohet. Nuk e di se çfarë rrënjësh të vërteta ka poeti me Zvërnecin, – për të cilin ka shkruar shumë, – por, sikundër më ka thënë në një rast, një degëzim i tij kishte lidhje gjaku, apo miqësie me Nartën. Ka në Zvërnec edhe ndonjë familje me prejardhje nga Narta. Por shumica e banorëve janë sjellë aty nga Myzeqeja prej pronarësh nartiotë për t’u kujdesur për tokat e tyre të largëta të cilat, sidomos në dimër, kur distanca Nartë- Zvërnec përmbytej nga Laguna. Distanca gjeografike nuk mund t’i heq sot të drejtën, – jo pasurore, – por kujdestarinë e përjetshme dhe sidomos veneracionin për Manastirin e Shën Marisë së Fjetur nartiotëve.