Historia e vërtetë e Kodit Rebecca

Ken Follett ka shkruar librin “The Key To Rebecca”: një spiun nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga Egjipti i dërgonte Hitlerit informacione të çmuara lidhur me aksionet ushtarake angleze. Alex Wolff ka ekzistuar vërtet, por historia e tij aventureske është më pak e lavidshme se ajo e filmit dhe e romanit në të cilat ka qenë protagonist

Quhej Johannes Eppler (në librin e Follett emri i tij është Alex Wolff) dhe ishte njeriu ideal për Abwehr-in, shërbimin sekret e ushtrisë gjermane i drejtuar nga Admirali Wilhelm Canaris. E ëma e Eppler, një gjermane, ishte rimartuar me një magjistrat pasanik egjiptian: i lindur në Aleksandri të Egjiptit në vitin 1914 dhe i rritur në Kajro, Eppler fliste shkëlqyeshëm arabishten, përveç gjermanishtes, dhe dinte të lëvizte me shkathtësi në mjedisin borgjez egjiptian, ku kishte njohjet e dobishme për të marrë informacione lidhur me trupat angleze që i kundërviheshin avancimit të furishëm të Gjeneralit Rommel, Dhelprës së Shkretëtirës, i lëshuar drejt pushtimit të teatrit afrikanoverior. Abwehr-i e kishte rekrutuar në vitin 1937, kur ishte vetëm 23 vjeç, dhe e kishte bërë agjentin sekret të Berlinit për Lindjen e Mesme, duke e dërguar në Turqi, në Iran dhe në Afganistan. Por operacioni më i rëndësishëm në të cilin u përdor qe në atdheun e tij, në Egjipt.

Në pranverën e 1942 trupat gjermane dhe italiane qenë në kulmin e fushatës së tyre pushtuese. Afrikakorps-i kishte pushtuar më së fundi qytetin – kështjellë të Tobrukut dhe, pasi ka penetruar në territorin egjiptian, kërcënonte drejtpërsëdrejti deltën e Lumit Nil dhe, nga aty, Kajron dhe Kanalin e Suezit, objektiv strategjik themelor i të gjithë fushatës. Pasi kishte pësuar me Armatën e VIII-të një seri përmbysjesh që e kishin lënë me moralin copë copë, anglezët qenë tashmë dorëzuar ndaj fatit të humbjes së të gjithë Egjiptit. Prej muajsh, në Kajro ishte në fuqi gjendja e jashtëzakonshme dhe shumë shtetas europianë qenë strehuar tashmë në Palestinë. Megjithatë, për t’u dhënë goditjen finale forcave britanike, gjermanët duhet të njihnin në thellësi lëvizjet armike. Në Egjipt kishin pak agjentë ku të mbështeteshin: për ta përmirësuar situatën, i dhanë jetë Operacionit “Salam”, me objektiv infiltrimin e dy spiunëve në Kajro. Njëri ishte Eppler, kurse tjetri operatori i radios Hans Gerd Sandstede, i domosdoshëm për të transmetuar informacionet e siguruara nga shoku.

Hija e kryqit të thyer mbi Lumin Nil

Futja fshehurazi e të dyve në Egjipt ishte një ndërmarrje aspak e thjeshtë: edhe pse Eppler do të mund të futej me pashaportën e tij egjiptiane, ishte e preferueshme që askush të mos e regjistronte ardhjen e tij, edhe pse lidhjet e tij me Gjermaninë qenë të njohura. Për të penetruar në mënyrë klandestine në territorin egjiptian, të dy agjentët u desh të përballeshin me rrezikun e përplasjes me një patrullë gjermane, përveçse me faktin që në shkretëtirën sahariane mund të ngatërrohej rruga, pa mundur që të dilej i gjallë. Për t’ia dalë me sukses në ndërmarrje, Abwehr-i përdori një eksplorator, hungarezin László Almásy, një fisnik me shumë kontakte në rrethet e larta: në Egjipt kishte akses deri në oborrin e sovranit, Mbretit Faruk. Almásy kishte një të kaluar prej një njeriu aventuresk. Pasi kishte milituar në Luftën e Madhe si aviator, në Itali, ku veç të tjerash edhe ishte rrëzuar më 1918, në vitet midis dy luftërave botërore kishte kryer disa ekspedita të guximshme në Sahara me avion dhe me makinë – si një kalim aventuresk nga Egjipti në Sudan përgjatë Nilit me mjete motorike – bashkë me europianë të tjerë që më pas kishin nisur të punonin për Komandën e Lartë Britanike të Lindjes së Mesme.

Pas hyrjes në luftë të Hungarisë në krah të Boshtit në vitin 1941, Almásy ishte rekrutuar nga Abwehr-i, që i kishte dhënë detyrën e kontribuimit në përshkrimin e territorit të shkretë dhe përgatitur hapat për operacionet e ardhshme luftarake. Si oficer rezervë, i lejohej që të vishte uniformën e Kapitenit të Luftwaffe, aviacionit ushtarak gjerman. Në vijim, Almásy u caktua në komandën e Majorit Nikolaus Ritter në Libi. Një tentativë e parë për të infiltruar spiunë gjermanë në Egjipt kishte përfunduar me një dështim dhe plagosjen e vetë Ritter, pasi një prej dy mjeteve të përdorura në operacion ishte detyruar që të rrëzohej. Almásy kishte marrë komandën e njësisë dhe në vjeshtën e 1941 kishte filluar të planifikonte Operacionin “Salam”, ndoshta një homazh ndaj përshëndetjes arabishte: “salaam”. Kështu, asnjë më shumë se ai nuk ishte më i përshtatshmi në shoqërimin e Eppler dhe Sandstede midis dunave më të largëta nga fronti. Për të shmangur linjat britanike, eksploruesi kishte studiuar një rrugëtim që fillonte nga oazi italian i Jalo-s në Libi dhe vazhdonte në jugun e oazit Siwa deri në prapatokën egjiptiane. Për të mashtruar patrullat eventuale, mjetet për t’u përdorur do të ishin kamionet me kryqet e thyera të fshehura nga mbulesat mimetike dhe automjetet e Policisë Ushtarake britanike të kapura armiqve. Nisja ishte vonuar shumë herë, edhe për shkak të spostimit të vazhdueshëm të frontit nga lindja në perëndim dhe anasjelltas. Në fundin e prillit 1942 më së fundi gjithçka ishte fati: hungarezi egjiptiano – gjermani Eppler dhe radiotelegrafisti me një eskortë të vogël, të nisur nga Tripoli arritën oazin Jalo dhe vazhduan drejt lindjes, atje ku hartat italiane tregonin një terren të qëndrueshëm e të sheshtë me shkurre. Por në vërtetë u ndeshën me një terren plot me duna të ulëta rëre, që rezultuan të pakalueshme. Një prej makinave ju prish aksi dhe u braktis. Nuk mbeti gjë tjetër veç kthimit në Jalo. Përpara se të tentohej sërish kalimi i shkretëtirës, u krye një rikonjicion ajror i rrugëtimit; por edhe tentativa e dytë nuk pati sukses.

Më së fundi misioni niset

Atëhere Almásy i rishikoi planet e tij dhe vendosi që të rrezikojë gjithçka për gjithçka. Karvani, i reduktuar në mjete dhe personel të eskortës, duhej të sunonte drejt oazit të Kufra duke kaluar shumë më në jug në Ultësirën e Qattara, një basen gjigantesk kripe i zhuritur nga dielli, dhe për të kaluar më pas Rrafshnaltën e Gilf Kebir, në kufirin midis Egjiptit, Libisë dhe Sudanit; nga këtu do të devijonte drejt oazit Kharga, për t’i lënë në fund Eppler dhe Sandstede në afërsitë e shkretëtirës. Bëhej fjalë për një itninerar që Almásy e kishte zbuluar gjatë eksplorimeve të tij të mëparshme. Për sa e rrezikshme, ideja rezultoi e gjetur: pas një udhëtimi epik prej 2700 kilometrash, i zgjatur 3 javë, grupi arriti në Assiut, qytet afër Nilit në qendër të Egjiptit, ku dy spiunët e Abwehr-it zbritën pa probleme. Ishte fundi i muajit maj. “Salam” kishte përfunduar me sukses, tani fillonte Operacioni “Condor”. Ajo që injoronin shërbimet gjermane ishte se anglezët dinin gjithçka që ata po bënin. Faktikisht, qysh nga viti 1941, kishin arritur që të deshifronin mesazhet e koduara të transmetuar me radio nga Abwehr-i.

Kur filloi Operacioni “Salam”, një analist i ri i inteligjencës britanike, me emrin Jean Alington (emri i koduar i të cilit ishte Riccio), u vu në dijeni të tentativës së infiltrimit të kryer nga shërbimet e Rajhut të Tretë, por nuk mundi ta njoftonte menjëherë selinë qendrore në Kajro, pasi për shkak të rëndesës së situatës në front, mesazhet mbi lëvizjet e Afrikakorps-it kishin përparësinë. Kur më së fundi nisën kërkimet, kishin kaluar disa ditë: koha e mjaftueshme për Almásy, që e kishte realizuar misionin e shoqërimit, të kthehej i pashqetësuar në Libi, ndërsa Eppler dhe Sandstede po arrinin Kajron me tren. Këtu morën me qira një shtëpi lundruese në Nil. Më së fundi të sigurtë, të dy spiunët u organizuan për ta çuar në fund misionin e tyre: të siguronin informacion mbi manovrat ushtarake angleze, mjetet që dispononin e kështu me radhë. Eppler mori identitetin fals Hussein Gaffar, ndërsa Sandstede, që përpara luftës kishte punuar në fushën e naftës për Shtetet e Bashkuara, prezantohej si Peter Monkaster, një shtetas amerikan me origjinë skandinave. Në bazën e tyre instaluan një radiotransmetuese të fshehur në një mobilje gramafoni, e vendosur në dhomën e ndenjes. Sandstede e kishte ndërtuar dispozitivin në mënyrë që të mund të dërgonte mesazhe radio në alfabetin Morse, ndërkohë disqet riprodhonin muzikë. Mesazhet qenë të shifruara në bazë të një kodi të paracaktuar (ka mundësi edhe ai i njohur për shërbimet sekrete aleate, që në këtë mënyrë mund të ndiqnin çdo lëvizje të dy agjentëve “inkonjito”).

Në kujtimet e tij, të shkruara pas luftës, Eppler thekson se ka grumbulluar informacione të shumta lidhur me lëvizjet e trupave britanike duke përdorur një rrjet informatorësh të quajtur me emrin e koduar “Piramida”. Ishte pjesë e tij një vallëtare e njohur që luante belin, Hekmet Fahmy, mikja e tij e fëmijërisë, që përkrahte kauzën nacionaliste (nacionalistët egjiptianë simpatizonin nazistët), përveç balerinave të tjera dhe entraîneuse të klubeve të natës së Kajros. Veç kësaj, Eppler tregon se ka arritur të infiltrojë në shërbimet sekrete britanike dhe se ka arritur deri të futet në selinë qendrore të Armatës së VIII-të në Kajro, duke u maskuar si oficer i Brigadës së Pushkatarëve. Në këtë mënyrë ka grumbulluar një sasi informacionesh të çmuara, që ia transmetoi një stacioni gjerman radioje në afërsitë e El Alamein, pika më e afërt me Kajron e arritur nga forcat e Boshtit. Për shkak të disa problemeve teknike me aparatin transmetues, i ashtuquajturi Hussein Gaffar i kërkoi ndihmë lëvizjes nacionaliste të oficerëve të lirë egjiptianë, në favor të Gjermanisë, me bindjen se do ta çlironte Egjiptin nga dominimi anglez. Ndihma do t’i jepej nga një oficer i ri me emrin Anwar El Sadat, që shumë vite më pas do të bëhet President i vendit dhe do të vritet nga ekstremistët islamikë.

Kondori përfundon në kafaz

Në realitet, gjërat për dy agjentët sekretë shkuan në mënyrë shumë të ndryshme dhe shumë më pak të lavdishme. Eppler dhe Sandstede nuk grumbulluan asnjë informacion të rëndësishëm; nuk arritën as edhe të viheshin në kontakt me stacionet e radiove gjermane, nga momenti që operatorët qenë burgosur në ditët e ardhjes së tyre në Egjipt, kur shtabi qendror i avancuar i Rommel ran ë duart e anglezëve në afërsi të Bir Hakeim. Frika se mos përballeshin me një ndëshkim për dështimin e tyre, në rastin ku Rommel dhe trupat e tij do të kishin pushtuar Kajron, e shtyu Eppler që të hartojë ditare false që theksonin mbledhjen e informacioneve nëpërmjet burimeve të ndryshme. Ajo që Eppler bëri në të vërtetë, bashkë me Sandstede, qe harxhimi në femra dhe kënaqësi të tjera i shumave të konsiderueshme të parave që i qenë dhënë për misionin. Vetë Sadat i kritikoi ashpër të dy dhe arriti që t’i akuzojë edhe se kishin sabotuar radion e tyre në mënyrë që ta kalonin gjithë kohën në dëfrime, duke jetuar me dy prostituta hebreje. Sjellja e të dy spiunëve, shtuar faktit që, pa dijeninë e tyre, stërlinat angleze që shpenzonin me shumë bujari qenë false, tërhoqi mbi ta vëmendjen e intleigjencës britanike. Nga arkivat e DSO-së (Defense Security Officers) – shërbimi i spinazhit i krijuar nga Londra në Egjipt, në të cilat Eppler është i regjistruar në Dosjen MI5 KV 2/1467 – ka dalë se një agjent anglez mësoi se një farë Victor Hauer, një punonjës austriak pranë ambasadës suedeze që merrej me gjermanët e internuar, kishte marrë kërkesën për të “ndihmuar dy gjermane” të kërkuar.

Më 2 korrik, Hauer u ndalua dhe rrëfimi i tij çoi në arrestimin e të dyve, që tjetër nuk qenë përveçse Eppler dhe Sandstede, përveç kontakteve të tyre të shumtë në radhët e ushtrisë egjiptiane. Më kot, kur pa agjentët anglezë që po i afroheshin në bazën e tyre sekrete afër lumit, Sandstede tentoi që ta mbytë dhe të vetëvritet. Operacioni “Condor” kishte dështuar keq, më pak se 2 muaj pas ardhjes së tyre aventureske në Kajro. Të marrë në pyetje, të dy vendosën që të bashkëpunojnë dhe i shpëtuan kështu ekzekutimit, që zakonisht priste spiunët. Për rolin e saj si bashkëpunëtore apo ndoshta edhe vetëm si shoqe batakçinjsh, vallëtarja Fahmy ia hodhi vetëm me një dënim me kusht. I vetmi të cilit gjërat i shkuan për mrekulli qe hungarezi Almásy, që pas rikthimit të tij në Libi ju dha Kryqi i Hekurt i Klasit të I-rë dhe u promovua me gradën e Majorit nga vetë Rommel. Por pas Operacionit “Salam” prania e tij në Afrikën Veriore rezultoi e kotë dhe u ridërgua në Hungari, ku do të qëndronte në kontakt me Abwehr-in deri në fundin e 1943. Pas luftës, u persekutua në atdhe nga pushtuesit rusë për raportet e tij të kaluara me gjermanët dhe e la Hungarinë për t’u kthyer prap në Egjipt, ka mundësi me ndihmën e inteligjencës britanike (një koleg nga ana tjetër e barrikadës mund të sjellë informacione të dobishme), ku u mbajt me punëra të shëndetshme deri në vdekjen e tij, e ndodhur më 1951 për shkak të një sëmundjeje të ngjitur gjatë një udhëtimi në Mozambik. Për sa i përket Eppler, edhe ai i mbijetoi luftës dhe më 1977 botoi kujtimet e tij, të titulluara “Operacioni Condor”, me sukses më të madh se ai që pati në jetën e tij si spiun. Agjent sekret mediokër dhe mburravec i madh, u ndihmua gjithmonë nga fati.

(nga Storica)

Përgatiti:

ARMIN TIRANA / bota.al

SHKARKO APP