I dashur pacient, më rrëfe historinë tënde që të të shëroj

Çdo vit, qindra pacientë dërgojnë rrëfimin për sëmundjen e tyre në fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Columbias, në Nju Jork. Këtu, që para 20 vjetësh, një mjeke interniste me emrin Rita Charon ka mbledhur mjekë, operatorë sanitarë, studentë të mjekësisë dhe i ka ftuar të lexojnë Dovstojevskin dhe Uilliam Faulknerin, Shakespearin dhe Roland Barthesin; u ka mësuar atyre bazat e analizës së tekstit dhe si ta aplikojnë në “patografitë”, shkrimet autobiografike të të sëmurëve, dhe më pas i ka ftuar të shprehin emocionet e tyre me shkrim, duke i lënë të shtrohen në rrëfimet e praktikës spitalore. Në thelb, u ka mësuar profesionistëve të shëndetit se “aftësitë rrëfyese” kontribuojnë për efikasitetin klinik, sepse zhvillojnë intuitën, vetëdijen, empatinë. Kjo qasje quhet “mjekësi narrative”: është një model terapeutik që kërkon të integrojë të dhënat klinike me planin ekzistencial të pacientit.

Siç shpjegon Charon në librin e saj të shndërruar tashmë në një klasik “Mjekësia narrative: Të respektosh historitë e pacientëve”, bëhet fjalë për një njohuri konkrete, e cila ndikon shumë jo vetëm në marrëdhëniet terapeutike, por “në formimin profesional dhe aplikimin e etikës, si edhe në aspektet strukturore si procedurat mjekësore, dinamikat ekonomike, qasjen në kura, sigurinë”.

Kjo, shpjegon Charon, sepse mjekësia narrative zhvillon aftësinë për të projektuar, favorizon marrëdhëniet mes kolegëve, ndihmon për të kuptuar cilat janë detyrat etike dhe pasojat sociopolitike të mjekësisë. Në të njëjtën kohë, është menjëherë e dobishme për kurën sepse ndihmon për të lidhur fakte në dukje pa lidhje mes tyre, për të gjetur marrëdhënie mes simptomave dhe gjendjes së përgjithshme të të sëmurit.

Ndokush do të pyesë: ç’hyn Dostojevski këtu? Ideja është që mjekët duhet të zotërojnë mekanizmat formale dhe psikologjike të rrëfimit. “Një mjek i mirë”, thotë Charon, “duhet të kultivojë marrëdhënien me artin, qoftë letërsinë, poezinë, teatrin apo pikturën. Mjeku ka nevojë për një ndjeshmëri humaniste që të hyjë në rrëfimet e pacientëve, për të përqafuar ato realitete imagjinative që përbëjnë përjetimin e tyre. Eshtë një konceptim i ri i mjekësisë, që rimerr një traditë të lashtë dhe e integron me studimin e gjuhës dhe arteve pamore”.

Që nga viti 2009, programi i themeluar prej Charon në Columbia është shndërruar në një kurs, i cili sot numëron më shumë se 200 të diplomuar. “Shumë shpejt do të jetë dhe kurs online”, shpjegon. “Dhe pas pak muajsh do të lançojmë rrjetin ndërkombëtar të mjekësisë narrative”.

Në Itali është Simen, shoqata italiane e. mjekësisë narrative. Siç rrëfen Stefania Polvani, presidente e Simen dhe sociologe e Asl Toscana Sud Est “këtu mjekësia narrative është ende e lidhur me nisma episodike. I vetmi universitet që ka futur një master është ai i Ankonës: ka ardhur koha që kjo disiplinë të futet në kurikulën universitare. Kundërshtimi i shpeshtë i mjekëve ka të bëjë me mungesën e kohës, por e parë në afatgjatë, koha kursehet falë efikasitetit të marrëdhënies terapeutike. Pastaj, nëse mjekët nuk mësojnë të dëgjojnë, pasojat mund të jenë të rënda. Pse njerëzit shkojnë drejt kurave alternative? Sepse kanë nevojë të dëgjohen”.

Ky problem është analizuar edhe nga Paolo Legrenzi, psikolog dhe akademik: “Mjeku i bën diagnozat duke u nisur nga probabiliteti; nuk i thotë pacientit “operohu”, por “ja mundësitë e daljes, vendosni ju”. Ky është problem, sepse pacienti nuk do që historia e tij apo saj, të reduktohet në statistikë, dhe kështu shkon drejt shëruesve alternativë. Mjekët duhet të shkojnë përtej diagnozave probabilistike; duhet ta trajtojnë pacientin si person, jo si numër”.

Fondacioni Giancarlo Quarta, i cili punon me këto tema prej vitit 2004, ka një objektiv preciz: të sjellë në klinikë modelet e sjelljes që përdoren në formimin e personelit të kompanive. “Ideja është që të kuptohet ajo që funksionon në sjelljen e mjekëve, dhe jo ajo që nuk funksionon”, shpjegon Alan Pampallona, drejtor i fondacionit. “Parimi është që, duke forcuar sjelljet virtuoze, subjekti do të jetë në gjendje të dallojë ato negative. Mbi këtë bazë kemi zhvilluar një projekt në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Tumoreve, ku kemi intervistuar katër mijë pacientë mbi aspektet më të kënaqshme të marrëdhënieve të tyre terapeutike: për shembull, një ekip që shfaqej i informuar mbi kurën, një mjek që kishte dhënë numrin e vet, në rast urgjence. Më pas ua referuam këto përjetime mjekëve të përfshirë. Gjashtë muaj pas fundit të projektit, aftësitë e tyre të ndërtimit të marrëdhënieve ishin rritur me 54%”.

Ideja e Pampallonas është që, sa kohë që strukturat shëndetësore nuk do të vlerësohen edhe në bazë të nivelit të kënaqësisë së marrëdhënies së klientëve (siç ndodh tashmë në Amerikë), nuk do të shohim ndryshime të thella.

Megjithatë, ndokush vëren vështirësitë në një marrëdhënie gjithnjë e më virtuale: sipas raportit të vitit 2019, të Observatorit të Inovacionit Digjital në Shëndetësi, në Universitetin Politeknik të Milanos, po ndryshojnë të gjitha fazat e marrjes në ngarkim të pacientit, nga parandalimi tek kurimi. Por nuk është e thënë që ky proces të varfërojë komunikimin: Cristina Cenci, antropologe dhe eksperte e shëndetit digjital, ka krijuar Digital Narrative Medicine, platforma e parë në botë që ka sjellë në strukturat mjekësore, mjekësinë narrative në versionin e saj digjital.

“Kemi projekte në San Raffaele të Milanos, Sant’Andrea të Romës, Agjencisë Shëndetësore të Toskanës dhe në spitale të tjera. Pacienti shkruan për veten dhe ekipi që e ndjek e integron rrëfimin në planin terapeutik, për ta personalizuar. Mosha nuk është pengesë. Mungesa e suksesit vjen për shkak të mungesës së reagimit (feedback): kur pacienti takon mjekun, do një përmbledhje të asaj që ka shkruar, do të dijë që historia e tij është lexuar. Dhe nëse kjo nuk ka ndodhur, marrëdhënia thyhet”.

Il Venerdi – Bota.al

SHKARKO APP