“I marri fisnik” rikthen Mehdi Malkën në teatër

Në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” diten e dielë nën interpretimin e aktorit Mehdi Malka do të ngjitet monodrama “I marri fisnik”.

E shkruar nga Daut Gumeni, kjo monodramë kërkon të hulumtojë problemet e sotme të individit në një shoqëri që gjithnjë e më tepër po e humb moralin.

Aktori  Malka dy vjet më parë u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar në një interpretim mbresëlënës në monodramën e shkruar nga Vangjel Kozma “Marr guximin…” një sintezë e eseve satirike të librit “Pornolitike”, botuar më 1999. Vepra merrte përsipër që të analizonte marrëdhëniet e njeriut me veten e tij dhe ata që e rrethojnë. Këtë mundohej ta bënte me një gjuhë të thjeshtë; herë me fjalë të urta popullore e herë me lojëra popullore. Duke u nisur nga këto nxirrte mesazhin e madh: “se çdo të bëjmë me këtë tranzicionin e madh që na ka ngelur në derë?”.

Tashmë Malka rikthehet sërish me një teatër të angazhuar, që kërkon të ngacmojë nervin e fjetur të një vendi. Ai do të sjellë me këtë personazh, një mesazh mbi rëndësinë e urave të komunikimit, si çliruese për shoqërinë.

Mehdi Malka është një personazh i njohur i teatrit, por edhe i kinemasë. Disa nga rolet e tij të njohura në kinematografi janë “Milo budallai” në filmin “Përrallë nga e kaluara”, një prodhim i vitit 1987, “Xha Braho” në komedinë televizive “Gjuetia e fundit” (një prodhim i vitit 1992). Por teatri vazhdon të mbetet një nga kthimet më të dashura si aktor.

SHKARKO APP