Ikja e Kërnit nga TKOBAP, reagon MK: Nuk komentohet dorëheqja!

Pas një peticioni të artistëve të Teatrit të Operës dhe Baletit drejtuar Kryeministrit Rama nga ku kërkohet mosfirmosja e dorëheqjes së drejtorit të këtij institucioni, Ilir Kërni ditën e djeshme ka reaguar edhe Ministria e Kulturës.

Përmes një deklarate dërguar mediave, Ministria e Kulturës sqaron për të gjithë artistët se në mbyllje të sezonit të dytë artistik të vitit 2016 do të fillojë puna për rikonstruksionin e teatrit dhe trupat do të vijojnë të plota dhe krejt njësoj jetën koncertale për një kalendar të ri artistik në skenat e tjera të Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë.

Sipas Ministrisë së Kulturës, drejtori i Përgjithshëm i TKOBAP, z.Ilir Kerni, paraqiti të premten kërkesën për dorëheqje nga detyra. Ministria e Kulturës konsideron se dorëheqja është një akt individual vullnetar dhe si i tillë nuk komentohet. “Historia e një Teatri ndërtohet nga brezat e artistëve që performojnë në të dhe nga gjurmët që lënë drejtuesit e tyre, në “murin” e Teatrit, përfshirë edhe kontributin e rëndësishëm tre-vjeçar të z. Ilir Kerni”, thuhet në deklaratën e MK-së. Ministria e Kulturës vlerëson se Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, në vijim të reformës së kryer në institucionet skenike kombëtare, falë punës së jashtëzakonshme të trupave, jo vetëm të traditës, por edhe të prurjeve të reja shumë të fuqishme në këto vite, i ka sjellë skenës shqiptare ngjarje të mëdha kulturore, ka hapur dyert për artistët shqiptarë të suksesshëm në botë, ka shumëfishuar numrin e shfaqjeve dhe ka nderuar Shqipërinë në skenat ndërkombëtare.

Por, tashmë TKOBAP, sipas ministrisë së Kulturës po përgatitet për një sfidë të re në menaxhim.

Më herët artistët e TKOBAP i nisën një peticion Kryeministrit Edi Rama, ku ndër të tjera vënë në dukje faktin se, përmes përkushtimit të tyre kanë arritur të mbajnë ndezur dhe madje shumë lart përpjekjen e arritjes së cilësisë në nivele të jashtëzakonshme suksesi.

Sipas tyre, në këto arritje kontribut të vyer dhe shembull motivues i pakrahasueshëm është drejtori ynë, Ilir Kerni. “Prandaj me përulësinë e artistit, ju kërkojmë të mos firmosni kërkesën për dorëheqje të drejtorit tonë. Vazhdimësia e tij është garancia e punës së artistëve në të ardhmen. Kjo garanci e bën edhe punën tuaj më të lehtë për të luftuar hatëret, nepotizmin dhe padrejtësinë që ngërthen kudo, por që me figura të pastra si Ilir Kerni, të cilat janë aq të munguara në habitatin tonë dhe si ishuj të vetmuar në ujërat e ndenjura të shoqërisë, dhurojnë shpresën që e ardhmja do jetë ndryshe dhe më e mirë”, thuhet në peticionin e artistëve.

SHKARKO APP