Ikja e një dinosauri

Nga Artan Lame

Ikja e profesor Farudinit është ikja e një prej të fundmëve dinosaurë të mbijetuar nga epoka e shkuar.

Jetoi bajagi gjatë edhe në këtë epokën post, por të cilën as e kuptoi e ndoshta as që u përpoq ta kuptonte.

Nga ata burra, mençuria e të cilëve bën të ndjehet i sigurt çdo shtetar që i mban pranë, qofshin ata të gjysmëshekullit që shkoi, kur shteti ishte gjë serioze, e qoftë këta të çerekshekullit tonë, kur shteti është…

E kam njohur aq sa për t’i lejuar vetes të drejtën të shkruaj për të sot në këtë ditë të mbrame.

Fliste me përgjegjshmëri, si të ishte ende përpara kolegjiumeve të gjithëpushtetshme të kohës së shkuar, pa bërë asnjë përpjekje të kuptonte se po harxhonte kot frymën në Epokën e Re të Parasë.

Aq nuk e kuptonte këtë epokë të ethshme, sa deri në fund i rezistoi me stoicizëm çdo lloj joshjeje për ta kuptuar e për t’u zhytur në dijet e saj (nëse mund te quhen dije këto të parasë).

Nga kjo pikëpamje mund të quhet pa drojë një i padijshëm i kohëve të ra.

Lum te padijshmit, se e tyrja do të jetë parajsa – thonë ungjijtë.

Qofsh i lumtur profesor në parajsën e të padijshmëve të gjithëditur!

 

SHKARKO APP