Jehona e romanit të një shqiptari në mediat italiane

Nga: Valentin Bruçaj/”Lo sguardo oltre i confini” (Vështrim përtej kufijve) është libri i ri i Dr. Zef Mulaj që do të prezantohet të premten e ardhshme 22 prill 2016, në Porto Recanati, Italy. Një eveniment kaq i rëndësishëm kulturorë nuk ka kaluar në heshtje as për mediat e ndryshme italiane. Disa gazeta dhe radio të rajonit të Marche kanë vënë në dukje kontributin e Dr. Mulaj edhe në fushën e letërsisë, përveç asaj të mjekësisë. Për mas mediat italiane të këtij rajoni, Dr. Mulaj tashmë është një figurë e njohur kulturore, pasi romani në fjalë është libri i radhës i një liste të gjatë botimesh.

“Lo sguardo oltre i confini”është një roman investigativ ku përshkruan një periudhë të trishtueshme të historisë së Shqipërisë, periudhën mes rënies së regjimit komunist dhe hapave të parë të instalimit të demokracisë shqiptare. Autori ofron për lexuesit realitetin e hidhur shqiptarë të atyre viteve, krimin e organizuar, trafiqet e armëve, të drogës dhe të qenieve njerëzore. Romani, na ri sjellë në kujtesën tonë skena të mjerueshme të njërës prej periudhave më të trishtueshme të historisë sonë, ku droga, trafiqet e ndryshme dhe prostitucioni ishin disa nga epitetet me të cilat parafrazoheshin shqiptarët.

Siç thotë Ilaria Paradisi,  gazetare e gazetës Lo Specchio, “Dr. Mulaj me këtë libër tenton ti sjellë lexuesit italianë dhe anën tjetër të Shqipërisë, të vlerave morale, të një populli që i përket një kulture shumë të lashtë”.Gjergji, protagonisti kryesore i romanit, është simbolika e shqiptarit të ndershëm, ose si duhet të ishte shqiptari, të asaj pjese të Shqipërisë së shëndoshë, që lufton kundër korrupsionit e trafiqeve. Por romani është edhe një libër pa kohe, ose një libër që vlen në çdo kohë, që paraqet tranzicionin e gjatë shqiptare që ndoshta ende nuk ka përfunduar, ku koha është ndalur diku atje larg, dhe ngjarjet duken si kur janë fare të freskëta, sikur është kronika e përditshme shqiptare.

Zef Mulaj me krijimtarinë e tij vazhdon të shikojë larg përtej kufijve, në kohë dhe në hapësirë. Me krijimtarinë e tij sjellë tek lexuesit diçka që shpresojmë se e kemi braktisur diku në fundin e shekullit të kaluar dhe kapërcen kufijtë e Shqipërisë për t’u treguar të tjerëve se shqiptarët janë edhe ndryshe, se mund të eksportojnë edhe shkencëtar, edhe gazetar, doktor e shkrimtar së bashku. Pikërisht si Zef Mulaj.

SHKARKO APP