Ju largoheni, por ne ju kemi pranë

Kjo pranverë trokiti e brishtë dhe ndryshe nga pranverat që jemi mësuar të presim gjithnjë. Shiu i kësaj ditë dhe natën që lamë pas, eci në rrugën trishtuese të tij a thua gati në vajtim. Ditët, javët, muajt dhe vitet shkasin në rrjedhën e tyre ashtu fare pa kuptuar, por arkivin e mbajnë gjallë dhe mbushur plot kujtime. Në këto ditë karantine veç punëve që janë detyrim për të kryer, koha e lirë kalon duke zënë mjaftueshëm televizioni me lajme të ndryshme, gjithashtu edhe duke ndjekur programe sipas dëshirës. Arkivi i kinematografisë shqiptare zë pjesën e vet, ku nostagjia e filmave shqiptarë nuk mbetet në heshtje. Nuk janë të pakët kolosët që lanë gjurmë të thella për publikun shqiptar, ku pjesa më e madhe e tyre tashmë kanë ndërruar jetë. Ja, këputet dhe një tjetër hallkë e gjerdanit të yjeve të pashuar, i madhi Rikard Ljarja. Një tjetër lajm që na pikëllon e na bën të ndihemi më tepër trishtuar në këto kohë jo të zakonta. Të gjithë ata që jetuan kohën e artë të kinematografisë shqiptare ndiejnë dhe ndajnë dhimbjen sot me miqtë e familjarët e aktorit dhe regjizorit të nderuar. E nuk ka si të ndodhë ndryshe, të gjithë do ikim një ditë, por ja që dikush ikën dhe le gjurmë. Janë ato gjurmë që shtrojnë shina ku udhëton treni i kujtesës së gjithësecilit nga ne që krenohemi me artistë të tillë. Por largimi i tyre ia prish bukurinë pranverës. Kësaj pranvere që nuk dihet ku mëkatoi. E dhimbshme dyfish kur përcjellja e tyre fizikisht është e cunguar. Ata meritojnë shumë. Edhe pse nuk u ndihen se bënë në jetën e tyre, dhuruan dhe morën zemrat e publikut. Aty zunë vend dhe u ulën në fronin e pavdekësisë. Sepse vdekja është e bukur atëherë kur nuk ke vdekur kurrë. Është vepra që të mban në piedestal dhe mbetesh lis që u mbijeton stuhive dhe kohërave në shekuj. Zëri kumbues i Rikardit ndihet në çdo film me aktrimin e talentuar dhe mbrilant, duke dhuruar emocion në çdo qelizë interpretimi. Ndaj sot largoheni të qetë dhe pse jeta godet ndonjëherë. Nuk jeni fajtorë se lëndoni me ikjen tuaj. Të gjithë ua falim dhimbjen që na jepni, por në memorjen tonë nguliteni thellë dhe përjetësisht qëndroni aty. Gjithnjë ndiheni të gjallë, të freskët, madhështorë, ashtu si ju ditët ta ndërtoni jetën. Sepse punuat pa lodhur, morët pak për veten dhe falët shumë për të tjerët. Ndaj gjithësecili sot ndjen një detyrim të thellë moral për dashurinë dhe përkushtimin e dhuruar me artin tuaj. Kombin e zbukurojnë artistët dhe i japin identitet dhe me artin e tyre. Ai sot për ju është në zi dhe me krenari hap faqet e librit ku shkruan historikun tuaj. Ndaj mbi dhimbjen qëndron lart respekti dhe mirënjohja e thellë për veprën tuaj që çdo kush do e kishte zili. I madhi Rikard, ti po shkon. Të presim shokët dhe miqtë e tu në fronin e përjetësisë. Ata që pate fatin të bashkëpunosh dhe t’i falje aq shumë emocion artdashësve që sot përulem me dhibje e respekt para jush. Ti sot po ikën fizikisht duke thënë kaq munda, por rrënjët e tua janë të thella në kujtesën e gjithësecit. Ndaj faleminderit që mbetesh pjesë e jona.

Përgatiti: Besnik Bedollari

SHKARKO APP