Julian Deda: Një thirrje për të rinjtë shqiptarë! Guxoni, flisni…

Albina Gjergji

I qartë në objektivat e veta, Julian Deda shquhet për pasionin që hedh në gjithçka thotë e bën. Shumë aktiv në spektaklin e humorit Apartamenti 2XL, por edhe në politikë, ai e di fort mirë çfarë publiku kërkon, prandaj edhe përpiqet ta respektojë atë, duke i ofruar më të mirën e mundshme nëpërmjet talentit në aktrim, por edhe nëpërmjet politikës si opozitar që është. Aktualisht Julian Deda dhe stafi i tij i Apartamentit 2XL po i japin dorën e fundit provave për natën e parë të spektaklit, i cili nis më datë 4 tetor në Vizion +, por krahas angazhimit si artist, ai nuk lë pas dore edhe zërin opozitar, të cilin di ta trumbetojë më së miri sidomos në rrjetet sociale, ku edhe ngjall reagime nga më të fortat. Ajo çfarë e shqetëson politikisht aktorin dhe qytetarin Deda këto kohë nuk është vetëm një çështje, konkretisht ajo e importit të plehrave, por keqqeverisja në përgjithësi e qeverisë Rama. Lidhur me këtë temë, mjaft të debatuar ditët e fundit, por edhe për punën e madhe që bëhet me programin e spektaklit 2XL, Deda flet më poshtë për gazetën “Koha Jonë”.

Edhe pak ditë starton sezoni i ri i programit të humorit, “Apartamenti 2 XL”. Mund të na thoni si është konceptuar këtë herë për teleshikuesin?

Po është e vërtetë. Nisim transmetimet më datë 4 tetor dhe çdo të martë e në vazhdim na gjeni në Vizion Plus. Në fakt, edhe pse është një sezon i ri, unë do ta quaja një vazhdim. E kam fjalën për formatin, pra nuk mund të them se ka ndonjë të re që spikat. E reja e këtij sezoni dhe e çdo sezoni tjetër janë pikërisht temat dhe situatat. Këtu mund të themi se do ketë të reja, sepse në një spektakël të përjavshem veprohet nën moton, “si të jetë vendi bëhet edhe kuvendi”.

Edhe në këtë edicion vazhdoni të jeni një nga gurët më të rëndësishëm të shahut që luhet aty. Ndërkohë ka pasur edhe “transfusion” aktorësh. Sa e vështirë dhe e rëndësishme është për ju që aktorët e rinj të kapin frekuencën e batutës?

Po ka patur lëvizje, por “shoë must go on”. Formati i emisionit i jep një dorë shumë të mirë këtij bashkëpunimi, mes një të riu dhe një më pak të riu, sepse nuk dua ta quaj veten veteran. Mendoj se veprojmë në harmoni të plotë, ku secili ka vendin dhe hapësirën e tij. Sigurisht eksperienca luan një rol të madh në kapjen, apo përshtatjen në situata të ndryshme, pse jo edhe në hedhje batutash, por çdo gjë sinkronizohet krejt organikisht me kalimin e kohës.

Ndonjë emër, prurje e re që mund ta bëni publik?

Jo, nuk kemi për momentin ndonjë emër të ri, por nuk e përjashtojmë që të ndodhë edhe gjatë sezonit.

Ora, vendi, dita do të vazhdojë si më përpara transmetimin në ekranin e Vizion +, apo ka ndryshuar?

Asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim. Apartamenti 2XL transmetohet çdo të martë në orën 20:45, në Vizion Plus. Ndërsa për ata që duan ta shohin live në sallë, regjistrimi bëhet çdo të shtunë në orën 18:00.

Puna në grup sigurisht ka edhe kënaqësinë e saj, por a ka pasur raste që edhe ju ka lodhur?

A na ka lodhur? Sigurisht. Lodhur dhe nervozuar nganjëherë, por e rëndësishme është që çdo gjë është në kuadër të punës. Aty plas, aty shuhet. Rëndësi ka shfaqja, produkti.

Sa vite u bënë në 2XL dhe a ke pasur oferta nga programe të tjera humori Juli?

Në 2XL po bëhen gati 7 vjet. Deri tani ka qenë një super eksperiencë në çdo drejtim. Përsa i përket ofertave nga të tjera televizione, mund të them se kam patur çdo vit, çdo verë. Por unë kam preferuar të qëndroj akoma në 2XL, sepse ajo skenë vazhdon e më jep shumë kënaqësi. Ai spektakël është habitat natyral për një aktor dhe nëse një ditë do bëja një lëvizje për ta braktisur, do e bëj për diçka shumë më të mirë. Mendoj se nuk është momenti.

Duke lënë pak mënjanë talentin në humor, do doja të cekja pak edhe një tjetër sferë jo pak të rëndësishme për ju, që është politika. Pasion, revoltë, apo sfidë, çfarë është politika për ju?

Pak nga të gjitha. Pasion, sepse pa atë i ke hyrë detit me këmbë. Revoltë, kur ke arsye ta bësh dhe mendoj se sot janë me tonelata shkaqet dhe padrejtësitë, që të çojnë drejt një revolte personale. Sfidë, sepse je në garë me kohën, por ka brenda edhe bindjen se një ditë diçka do ndryshojë. E nëse jo, atëherë qenkemi të destinuar të revoltohemi gjithë jetën.

Sa vite u bënë që jeni angazhuar në politikë dhe pse pikërisht me PD-në?

U bënë dy vjet. Në PD, sepse kam bindjen se ajo është parti e vlerave, partia që në fakt shkroi historinë e pluralizmit në këtë vend. PD është aset Kombëtar. Mendoj gjithashtu se, gjëja më me vlerë qe posedon një njeri është fjala dhe liria për ta thënë atë. PD është pikërisht vatra e lirisë së mendimit. Mua kjo më shkon përshtat. Unë ndjehem mirë aty. Por kjo nuk do të thotë, se përçmoj forcat e tjera politike, përkundrazi i vlerësoj gjithashtu si asete dhe i bëj thirrje çdo të riu/reje që ka dëshirë të artikulojë një mendim, qoftë edhe nga radhët e një partie, të mos ketë frikën ta bëjë. Të flasësh nuk është frikë, është guxim dhe shërbim i mirë që i bën vetes dhe vendit.

Mjaft aktiv edhe në rrjetet sociale, opozita që ju bëni në Facebook ngjall reagime të shumta. Përveç vlerësimeve për kurajon për t’u shprehur hapur, ju ka ndodhur të merrni edhe kërcënime?

Jo. Kërcënime kurrë. Ndoshta ndonjë sharje të vogël, por pa qeder (qesh). Jo absolutisht, nuk ka patur asnjë rast të tillë deri tani dhe për këtë ndjehem mirë. Përderisa nuk gënjej, përdërisa artikuloj të vërteta, përderisa kërkoj që diçka të bëhet më mirë për ne të gjithë që jetojmë këtu, atëherë nuk shoh arsye që dikush të më kërcënojë.

Ama njiheni për një raport shumë të mirë edhe me militantë të kahut të kundërt politik. Meritë e juaja, apo edhe atyre?

Meritë e dy palëve. Mos të harrojmë për asnjë moment se unë, pavarësisht bindjeve të mia, jam po i njëjti aktor i humorit që nuk i përziej gjërat. Në fund të fundit ne nuk jemi armiq. Mund të kemi bindje të ndryshme, por dëshira e përbashkët është që të ketë dritë në fund të këtij tuneli që sa vjen e bëhet më i errët për fat të keq. Dhe në fakt ata që po e kërkojnë këtë dritë bashkë me ne, janë edhe socialistët e ndershëm, që për shkak të pritshmërisë së madhe që kishin, kam frikë se sot janë akoma më të zhgenjyer se unë.

Këto ditë dihet që tema më e nxehtë dhe shqetësuese është ajo e importimit të plehrave në vendin tonë. Cili është opinioni juaj për çështjen në fjalë dhe a keni ju një mesazh për zërat pro lidhur me këtë temë?

Në fakt nuk di të them, nëse është kjo tema më e nxehtë. Këtu çdo gjë djeg. Plehrat, droga, blerja e votës, varfëria, eksodi, apo dhjetra kauza të tjera. Megjithatë, përsa i përket çështjes në fjalë, unë mendoj se Shqipëria si çdo vend në Europë duhet të ketë ligjin e saj të riciklimit të mbetjeve dhe këtu s’ka asgjë të keqe. Por në asnjë mënyrë të lejojë të futet llumi i kontinentit në këtë vend. Nuk i kemi ne mundësitë të kontrollojmë hyrje të tilla brenda territorit. Ne nuk kontrollojmë dot se ç’hamë e jo më të jemi në gjendje të filtrojmë se kush është e dëmshme e kush jo. Le të pastrojmë tonat njëherë se i kemi sa Himalajet, pastaj të mendojmë për të botës. Pastaj, qeveria nuk ka moral ta bëjë një gjë të tillë, sepse ishte pikërisht ajo që kur ishte në opozitë e kundërshtonte me forcë këtë ligj me preteksin se mendonte për të mirën tonë, por në fakt po na del se e bëri sa për t’u marrë ca vota shqiptarëve dhe që pastaj të përfitonte vetë. Aaa… kështu jo!

Parë në këndvështrimin e një artisti, por edhe të një qytetari të përfshirë në politikë si opozitar, sipas jush ku çalon më së shumti qeveria Rama?

Qeveria Rama, më së shumti çalon në qeverisje. Pra, qeveri kemi, por duhen profesionistë.

Po opozitë brenda opozitës ka? Ju personalisht flisni hapur?

Për çdo gjë ka opozitë. Edhe për opozitën ka shumë gjëra që duhen thënë, por mendoj se për momentin është dikush tjetër që duhet parë me lupë dhe kjo është qeveria dhe performanca e saj. Besoj se të besh opozitën e opozitës është veprim i gabuar në momentin e gabuar. Sigurisht do i vijë momenti edhe opozitës, edhe PD-së, edhe lidershipit të saj, që t’i thuhen ankesat dhe t’i kërkohet me forcë përmirësimi i performancës. Por sot dikush tjetër i ka fatet e vendit në dorë dhe po i keqpërdor ato, kjo është qeveria dhe jo opozita. Qeveria ka edhe letrën, edhe stilolapsin, edhe firmën, të cilat po i përdor përditë e më shumë kundër interesit qytetar, ndërsa opozita ka vetëm fjalën, asgjë më shumë.

Atëherë duhet ta pranoni se edhe brenda opozitës ka diçka që nuk shkon?

E thashë pak më lart, ka dhe do ketë, por gjërat që nuk shkojnë diskutohen brenda forumeve dhe jo në publik. Janë debate të brendshme, që i ka çdo familje politike.

Juli këto ditë keni festuar datëlindjen e 35-të. Ndonjë surprizë e veçantë nga familjarët, apo kaloi pa ndonjë ceremoni të veçantë?

Në fakt kaloi pa ndonjë festë të veçantë. U mjaftova vetëm me një festë të vogël familjare dhe kaq. Festat e mëdha kanë bukurinë e vet, nuk e mohoj, por edhe variantin intim është për t’u vlerësuar. Qetë, thjeshtë.

Pushimet e kësaj vere ku i kaluat?

Kisha pushime të gjata këtë verë, sepse sezonin e mbyllem pak më herët për shkak të kampionatit europian. Kështu që kisha mundësi të shëtisja pak nëpër Shqipëri, gjë të cilën e bëj çdo vit. Kënaqemi familjarisht me bukuritë e vendit tonë, që janë të pafundme. Pastaj bëra dhe disa ditë jashtë dhe vrap në punë. Unë nuk jam tip i plazhit, jam më shumë për turizmin malor.

Vazhdon tradita në familjen tuaj, dmth që të mblidheni pothuajse çdo fundjavë me familjen e madhe në Shkodër?

Po, mblidhemi shpesh. Nuk mund ta them se ndodh çdo fundjavë, sepse kam angazhime, por është pothuajse traditë.

SHKARKO APP