Ke harruar fjalëkalimin në e-Albania? Ja si mund të vendosësh një të ri në çast (VIDEO)
Mbi 90% e kërkesave dhe shqetësimeve sa i takon platformës e-Albania lidhen me harrimin e fjalëkalimit apo përgjigjen e pyetjes së sigurisë.
Dikur duhet t’i shkruaje helpdesk@e-albania.al për ndihmë në mënyrë që të ndryshoje fjalëkalimin por tashmë e gjithë kjo odise merr fund dhe gjithsecili mund ta vendosë vetë një fjalëkalim të ri duke ndjekur një procedurë të thjeshtë, njësoj sikurse me llogarinë në rrjetin social ‘facebook’.
Është drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit Linda Karçanaj e cila njofton për ketë lehtësi të re në e-Albania teksa ndan edhe videon me procedurën e ndryshimit të fjalëkalimit.
“Janë me mijëra çdo ditë e-mailet në adresën tonë helpdesk@e-albania.al dhe asistohen gjithashtu me mijëra qytetarë, çdo ditë.
90% e kërkesave dhe shqetësimeve lidhen me harrimin e fjalëkalimit apo pyetjen e sigurisë në e-Albania. Tashmë kjo merr fund!
Nuk keni pse t’i shkruani e-mail kujt e të prisni fjalëkalimin por mund ta vendosni vetë në çast një fjalëkalim të ri duke ndjekur udhëzimet si në videon e mëposhtme.
Punojmë çdo ditë duke shqyrtuar e vënë në zbatim çdo opsion që mund t’jua lehtësojë e thjeshtëzojë jetën.
E pamundur të numërohen të gjitha lehtësirat që ka sjellë e-Albania por kjo nuk do të thotë se do ndalemi këtu.
Shërbime të tjera do i bashkangjiten listës online deri në fund të vitit”, shkruan Karçanaj.