Koha nuk pret, e vetmja alternativë shpëtimi prej së keqes

 Nga Shezai Rrokaj –

 I kryqëzuar nga skandalet e njëpasnjëshme, që doemos janë rrjedhojë e një keqqeverisjeje e cila ka timon por nuk di ku po shkon, jo më larg se dje kryeministri ndërroi shumicën e kabinetit për t’u thënë shqiptarëve se po e ndryshon stilin e kësaj keqqeverisjeje.

Mirëpo realiteti i hidhur ku jetojnë qytetarët, të cilët po braktisin vendin për shkak se kanë humbur shpresat për një jetë më të mirë, reformat fasadë në drejtësi, shëndetësi dhe arsim, babëzia për të zhvatur pasurinë kombëtare me një grup oligarkësh me shifra marramendëse; krimi i organizuar, droga dhe lidhjet e qeverisë me to, ia hoqën kallajin tepsisë.

Realiteti i përditshëm ua vrau sharmin fasadave e paradave, takimeve të orkestruara e të transmetuara nga ERTV-ja, sloganeve dhe parullave për gjoja bashkëqeverisje me qytetarët. U vra modeli i ngritur i like-ve e share-ve, i çunave e gocave dhe i “shakave dhe qesëndisjeve trendi”.

Realiteti i zymtë dhe gjendja dëshpëruese e qytetarëve po rrëzojnë tullë mbas tulle gjithë ngrehinën mediatike të fitoreve imagjinare të qeverisë.

Studentët ia hapën sytë shoqërisë dhe gjithë klasës politike. Sidomos ata kanë hedhur down mazhorancën, e cila ka kohë që nuk qeveris, por është mbytur nga dehja, dalldisja e miklimi i pushtetit, nga oligarkët që e rrethojnë, e atyre që kinse reformat e portaleve i mbushën me militantë në administratë, siç e tha edhe Zërit të Amerikës, që kryeministri e quajti edhe këtë kazan. Në Shqipëri është krijuar një realitet luksi i qeveritarëve paralel me jetën e varfërinë përditshme të qytetarëve. Ky është problemi, të nderuar miq.

Dhe ne e kemi mision politik ta shkulim këtë të keqe që i ka zënë shqiptarët, duke u dhënë shpresë minatorëve e naftëtarëve, fermerëve e biznesit të vogël, banorëve të Astirit, studentëve dhe profesoratit, pensionistëve dhe çdo qytetari.

Ne e bëjmë dallimin midis socialistëve dhe klikës së Rilindjes. Po të vëresh ka mjaft kolegë socialistë që kanë zotësi profesionale të mira për të drejtuar, por si ka mundësi që për sfidat e shqiptarëve për mbijetesë e mirëqenie, reformat në drejtësi, arsim e shëndetësi, bujqësi e infrastrukturë, reformat në administratë, në luftën kundër krimit dhe drogës, reformën zgjedhore për zgjedhje të lira e ndershme, në plotësimin e kërkesave të BE-së për çeljen e negociatave, nuk u gjetkan ndër socialistë figura me integritet e zotësi profesionale të lartë për ministra që garantojnë një qeverisje të mirë? Ka një përgjigje: modeli i Rilindjes nuk ka lidhje as edhe me socialistët. Zaten ai është një shpikje eksperimentale e papërgjegjshme që po rëndon përditë jetën qytetarëve.

Ndaj, sot nuk ka më dyshim se nëse nuk ndryshon lokomotiva, veç duke ndryshuar vagonët, destinacioni mbetet po ai.

Ne sot u kemi një detyrim të madh universiteteve, që i besuam pabesisë së kësaj mazhorance, e cila e fshehu djallin në detaje gjatë miratimit të Ligjit të Arsimit të Lartë, duke e deformuar më tej me aktet nënligjore.

Sot kryeministri po mban peng fillimin e mësimit në universitete. Ne i themi të heqë dorë nga demagogjia dhe dhuna në universitete. Kërkesat e studentëve nuk janë plotësuar për përgjysmimin e tarifave shumë të larta, dhe që lidhen me pamundësinë financiare reale të familjeve shqiptare për t’i përballuar.

Gjithashtu Karta e Studentit mbetet e paqartë se çfarë përfshin si përfitim për studentët. Edhe subvencionimi 5% e PBB-së për arsimin cilësor mbetet i parealizuar. Rishikimi i Ligjit, që shkel autonominë, po refuzohet gjithashtu të rishikohet, më gjithë kërkesën e studentëve dhe të profesorëve, madje po hidhen hapa me VKM-të e fundit për ta kufizuar edhe më tej. Një kryeministër i përgjegjshëm do ta kishte pranuar dështimin, të kërkonte falje publike dhe të bashkëpunonte me grupet e interesit për të bërë përmirësimet e duhura.

Por papërgjegjshmëria ka bashkudhëtare arrogancën: ndaj sot, të gjithë bashkë, dënojmë aktin e paprecedentë, të paparë ndonjëherë në vendet demokratike prej vitit 1968 në Francë, që njihet si viti i betejës heroike të studentëve në mbrojtje të autonomisë universitare.

Me futjen e policisë në universitete dhe dhunimin e studentëve u kapërcye vija e kuqe. Polica u lëshua drejt strehëzës së lirisë për ta dhunuar. U dhunua institucioni, ligji, morali social, u dhunuan studentët.

Po kështu qeveria po dhunon çdo ditë edhe drejtuesit dhe profesoratin me kërcënime dhe VKM të paligjshme në shkelje të autonomisë dhe lirisë akademike, të cilat në formë dhe përmbajtje janë shprehje e një burokratizimi etatist, që bie ndesh me Kushtetutën tonë dhe parimet e Magna Karta Universitatum.

Baltosja en-bloc e profesoratit është tipar i regjimeve totalitare dhe një mënyrë perfide e kryeministrit për ta kaluar përgjegjësinë vetjake të profesoratit si dhe për ta vënë atë përballë studentëve. Çdo shkelje e ligjit, që nga ryshfeti e korrupsioni, është përgjegjësi ligjore individuale dhe jo kolektive. Por ky kryeministër jo vetëm na mbolli varfërinë dhe po na detyron të braktisim vendin, por po na merr peng edhe lirinë e protestës, si në rastin e studentëve. Ndaj, sot nuk kemi dhe shumë alternativa. E vetmja alternativë është: të çlirohemi prej së keqes.

*Fjala e Kryetarit të Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së në mbledhjen e sotme të këtij forumi

SHKARKO APP