Konkurueshmëria, Shqipëria zbret 5 pozicione

Përkeqësimi i të dhënave nga krimi i organizuar, pavarësia e gjyqësorit dhe mosrespektimi i të drejtave pronësore e intelektuale kanë goditur konkurrueshmërinë e Shqipërisë në nivel global.

Shqipëria ka zbritur 5 shkallë në Raportin e Konkurrueshmërisë Globale për vitin 2019.

Indeksi i publikuar të mërkurën nga “Forumi Ekonomik Botëror” i jep Shqipërinë 58 pikë, duke e renditur të 81-ën në mesin e 141 ekonomive të botës.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor udhëhiqet nga Kroacia në vendin e 63-të, Serbia në të 72-in dhe Mali i Zi në të 73-in.

Ndërkohë pas Shqipërisë vijnë Maqedonia e Veriut në vendin e 82-të dhe Bosnjë-Hercegovina në të 92-in.

Raporti i cili mat aftësinë konkurruese të një shteti në bazë të produktivitetit të institucioneve, politikave dhe sektorëve liston me detaje problematikat e Shqipërisë.

Nota për sigurinë dhe reagimin ndaj krimit të organizuar mbetet nga më të ulëtat në botë, gati 30 pozicione nga vendi i fundit.

Për pavarësinë e gjyqësorit dhe eficencën e kuadrit ligjor, Shqipëria renditet e 5-ta dhe e 8-ta nga fundi.

Problematika shfaqen edhe në të drejtat pronësore, në infrastrukturën rrugore, në mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe efektin që taksat dhe subvencionet kanë te konkurrenca.

Ndërkohë Shqipëria kryeson 141 ekonomitë e botës për sa i përket nivelit të inflacionit, për lehtësitë në punësimin e të huajve, për aksesin e popullsisë në rrjetin elektrik, por edhe në aftësitë për të zhvilluar fushën e teknologjisë së vet informative.

Në rang global, këtë vit Singapori renditet shteti më konkurrues në botë, ndjekur nga Shtetet e Bashkuara, Hong-Kongu, Holanda dhe Zvicra.

SHKARKO APP