Krenar për ty Agron Llakaj (në vend të një urimi për 60-vjetorin)
Nga Petrit Ruka –
I dashur Goni,
shok e mik i dashur i rinise sime! Ndjehem i lumtur që gjej një rast si ky i sotmi, i ditëlindjes tënde që të them dy fjalë për ty krahas urimeve që do të marrësh prej mijëra e mijëra njerëzve që të duan, të çmojnë e të nderojnë për gjithçka që u ke falur në jetë me artin tënd, krijimtarinë tënde.
Dua ta them qysh në krye të herës, se si tepelenas ndihem krenar me ty që ke dalë nga gjiri i vendlindjes sonë të dashur, atij vendi të vogël që ka dëshmuar se di të rris njerëz me shpirt të bukur dhe të talentuar si ty, që nuk e harrove kurrë dhe ia ka kthyer nderimin shumëfish duke ia lartësuar supet.
Janë të rrallë artistët si ty që lidhjen me vendlindjen ta kenë kaq të fortë sa ç’e ke ti me Memaliaj tënd, këtë qytezë të vogël punëtorësh ku linde, hodhe hapat e para dhe fillove karrierën tënde që pati vetëm ngjitje, një lartësi të shkëlqyer si kjo ku ke arritur duke u bërë një nga aktorët më të mirë e më të dashur të humorit në këtë vend.
Unë që e njoh jetën tënde prej fillimi e di mirë se si ti i takon racës së artistëve që ngjiten me thonj vetëm prej pasionit, vetëm prej dashurisë, vetëm prej një vullneti të hekurt ndaj dijes, pa ndihmën e askujt, duke ndjekur trimërisht yllin e fatit tënd.
Ata që mahniten prej talentit tënd organik e të pashtershëm ndoshta nuk e rrokin dot sesi brenda teje ka kaq shumë talent, improvizim, gdhendje të rralla karakteresh të paharrueshme, befasi batutash të mrekullueshme, imitime të paarritshme, sepse nuk dinë se përmes çfarë tallazesh e vuajtjesh ka kaluar edukimi yt, dijet e tua, shkolla jote artistike e marrë bruto e ballë për ballë me një jetë të vështirë e të ndershme.
Nuk e dinë se ti ke bërë shkollën e madhe të një fëmijërie plot mungesa, të një rinie që kalonte përmes galerive të thella ku mijëra burra minatorë qenë mësuesit e tu, shokët e tu, vëllezërit e tu, njerëz që nuhateshin me erën e vdekjes ditë e natë. Nuk e dinë se sa mijëra e mijëra orë ti e mësove përmes tyre gjuhën e bukur shqipe, humorin, shakanë, gjestet, burrërinë, qëndresën, sakrificën, dashurinë pafund për të bukurën.
Ndaj është e pafund galeria e personazheve të tu, sepse ti bëre akademinë e madhe të jetës, të thellësive të tokës e të shpirtrave njerëzorë.
Prandaj mbase dhe nuk e kuptojnë dot të rinjtë e sotshëm sesi të mbushen ty sytë me lot sa herë përmend fjalën Memaliaj, të asaj qyteze të vogël, që mezi gjendet në hartën e Shqipërisë, sot por që për ty është Meka jote për gjithçka.
Dhe po kështu e di mirë se sa krenarë janë ata me ty kur të shohin se si u rrite ti djali i tyre i rrugicave të varfra e i mundimeve të mëdha, ti djali i dy punëtorëve të thjeshtë e të ndershëm, duke u bërë një nga yjet e humorit shqiptar, një nga ata që numërohen me gishtat e një dore.
E gjithë Tepelena jonë është krenare me ty në këtë ditë të gëzuar të jetës tënde dhe jam i bindur se të gjithë njëherësh mendojnë sot si unë duke të thënë gati me një gojë:
Të duam shumë dhe jemi krenar për ty Agron Llaka!