Kryeministria çel sezonin me pikturat e Hilës

Cikli i ri me piktura i Edi Hilës çeli sot, sezonin e ri të Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri, që do të ketë si temë “Hapësira ku jetojmë, hapësira që ndajmë dhe hapësira që lëmë pas”.

Në praninë e Kryeministrit Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda, të përfaqësuesve të trupit diplomatik, artistëve të mirënjohur dhe figurave të spikatura të shoqërisë civile u prezantuan një seri veprash të pa ekspozuara më parë të artistit Edi Hila, nën titullin “Vegime Bulevardi”.

Cikli i ri i pikturave të Hilës ka për temë bulevardin kryesor të Tiranës, me objektet më përfaqësuese në sheshin “Nënë Tereza”, godinën e universitetit, ish shatërvanin, godinën e Kryeministrisë. I frymëzuar nga ky bulevard, përmes pikturës dhe ngjyrave, kryesisht grisë, blusë dhe të dheut, Hila paraqet vizionin e tij të Shqipërisë së kohës së tranzicionit.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Nga njohja ime e botës së Edit është e pamundur që ajo të përmblidhet në një pasqyrë të vetme. Madje është më shumë si një lojë e shumë pasqyrave, pas të cilave fshihet një njeri timid, por shumë i thellë, që flet përmes këtyre pasqyrave, pa qenë asnjëherë në gjendje të thotë se cila  është pasqyra ku reflektohet realisht ajo çka ai kërkon të thotë. Emocioni që kam është shumë i thjeshtë në arsye dhe nuk ka të bëjë thjesht me lidhjet e mia të kahershme me Edin, por ka të bëjë me faktin që vepra e tij apo një seri e re e veprës së tij prezantohet për herë të parë, këtu në këtë godinë. Kush e njeh historinë e Edit me strukturën e shtetit, e di shumë mirë se çfarë kam unë parasysh me strukturën e shtetit si prezencë në jetën e tij, qysh se në fillim të viteve ’70-të, ai pa dashje u shfaq ashtu siç ishte i gjithi në një pasqyrë ku të tjerët lexuan një shtrembërim serioz të realizmit socialist, gjë që më pas i solli Edit edhe shumë telashe, por që e vendosi dhe në mënyrë definitive, besoj unë, në një raport shumë të komplikuar me godinat e shtetit dhe me dyert e godinave të shtetit. Prezenca e kësaj serie të re brenda kësaj godine, por me një cikël pasqyrash që reflektojnë shpirtin e këtyre godinave dhe që siç e shihni apo do ta shihni, shpirti i reflektuar është ndryshe nga çfarë godinat duan të tregojnë, është vërtet sensacionale,” – e  vlerësoi Kryeministri Rama, ciklin e ri të punimeve të Hilës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Edi Hila është i njohur jo vetëm për publikun shqiptar, por edhe atë të huaj. Punët e Hilës janë ekspozuar në disa kryeqytete europiane. Një vit më parë, Edi Hila bashkë me Ardian Pacin, prezantoi Shqipërinë në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, me veprën “Monumente të Mundshme Ardhmërisht të Parealizuara”, të cilën më pas e ekspozoi edhe në Londër.

Ekspozita “Vegimet e bulevardit” është fillimi i një diskutimi mbi kulturën e dialogut dhe transformimin e saj që në këtë sezon,, COD do të shpalosë me një seri aktivitetesh si konferenca, seminare, eksperimentime artistike, prezantime botimesh dhe autorësh.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?