Kujtimet e ish-ambasadorit në Beograd: Në ’79-ën, kryeministri Mehmet Shehu më autorizoi për bisedimet me gjermanët…
Memorie.al publikon kujtimet e ish-diplomatit të karrierës dhe zv / ministrit të Punëve të Jashtme, Sokrat Plaka, i cili për më shumë se 30 vjet me rradhë, shërbeu si ambasador i Shqipërisë në disa shtete të botës. Dëshmitë e tij për bisedimet sekrete me ambasadorin e Gjermanisë Federale në Beograd, dhe përgjigjen negative të Tiranës zyrtare për ndihmën që ofronte Boni asokohe për shtetin e vogël komunist të Ballkanit, pasi vetë Enver Hoxha kishte dhënë lejen për ato bisedime. Takimi i ambasadorit Plaka me kryeministrin Mehmet Shehu në vitin 1979 gjatë një bisede që zgjati një orë në zyrën e tij, ku ai e autorizoi ambasadorin Plaka që të niste menjëherë bisedimet, me shpresë se pala gjermane do të paguante reparacionet e luftës. Si i zvarriti pala shqiptare bisedimet me palën gjermane e cila u tregua shumë e gatshme që diplomatët përkatës të takoheshin në Bon, Vienë ose Beograd, duke nxjerrë lloj lloj pengesash, deri sa ambasadori gjerman në Beograd u transferua në Portugali dhe në vend të tij, erdhi një diplomat tjetër, por tashmë me udhëzime të tjera nga qeveria e Republikës Federale Gjermane…
Nga Dashnor Kaloçi
Është e njohur tashmë për të gjithë shqiptarët vizita private që bëri në vendin tonë në mesin e viteve ’80-të ish-kryeministri i Bavarisë, Jozef Shtraus (me dy djemtë e tij), i cili ishte një ndër politikanët e parë të vendeve perëndimore që mundi të çante ‘perden e hekurt’ të regjimit komunist të Enver Hoxhës para viteve ’90-të pas një leje të dhënë nga vetë Enver Hoxha në vitet e fundit të jetës së tij. Ajo vizitë është ngulitur në mendjen e shqiptarëve, jo vetëm për faktin se një politikan i huaj i atij rangu nga një vend perëndimor, shkelte për herë të parë në vendin tonë, por për atë çka i ofroi ai zyrtarëve të lartë të udhëheqjes komuniste të Shqipërisë së asaj kohe. Ashtu siç u përfol në mjedise të ngushta të zyrtarëve të lartë të asaj kohe, dhe e ndriçuar plotësisht pas viteve ’90-të nga kujtimet e dëshmitë e disa prej krerëve të udhëheqjes së shtetit shqiptar që zhvilluan bisedime me politikanin e lartë gjerman, vizita e Shtrausit ishte as më shumë dhe as më pak, se ‘dora e shtrirë’ e një vendi të fuqishëm perëndimor, për të ndihmuar një nga vendet më të varfra dhe të izoluara të Evropës. Dhe asaj ndihme, që shteti gjerman e ofronte si një lloj ndjese për atë çka i kishte shkaktuar këtij shteti të vogël të Ballkanit gjatë Luftës së Dytë Botërore, udhëheqësit e lartë të Shqipërisë komuniste, i’u përgjigjën negativisht!
Dogmatizmi i tejskajshëm ideologjik i zyrtarëve shqiptarë nuk i lejonte “të përuleshin para imperialistëve” dhe ajo ngjarje ka mbetur tashmë në memorien historike të shqiptarëve, si shansi i humbur i hapjes së vendit tonë me Perëndimin. Por a ka qenë vetëm ky rasti i vetëm që Shqipëria komuniste humbiste në këtë mënyrë? “Jo”. Këtë pohim e bën vetë ish-diplomati i karrierës dhe njëkohësisht zv / ministër i Punëve të Jashtme, Sokrat Plaka, i cili për më shumë se 30 vjet me radhë, ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në disa prej selive diplomatike më të rëndësishme të asaj kohe të akredituara në vendet perëndimore. Në kujtimet e tij që Memorie.al publikon në këtë shkrim, z. Plaka na njeh me bisedimet e tij sekrete të zhvilluara me dy nga ambasadorët e Gjermanisë në Beograd, në vitet 1977-‘78, të cilat kishin të bënin me një normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe përgjigjes negative të Tiranës zyrtare, për ndihmën që i ofronte Gjermania!
Kujtimet e ish-ambasadorit Sokrat Plaka
Më 1977 mora udhëzim qarkor, që u ishte dërguar gjithë ambasadave tona të Europës, lidhur me reparacionet nga Republika Federale Gjermane. Në të vërtetë, fjala ishte për zhvillimin e memorandumit të qeverisë shqiptare të 18 qershorit 1965, për reparacionet dërguar qeverisë së RFGJ-së ndarë në dy kapituj kryesorë: dëme materiale (rreth 4 miliard dollarë të vitit 1938) dhe sigurimet shoqërore (800 milion dollarë të vitit 1938). Qëllimi ishte të tërhiqeshin gjermanët në bisedime, për të arritur në rezultate konkrete. Në të kaluarën, ishin bërë përpjekje për kontakte direkte, por gjermanët i kishin evituar. Mendova se me anë të të tretëve mund të arrihej diçka, prandaj mora për drekë në qershor 1977, mikun tim suedez, kontin Lewenhaupt, një burrë i gjatë, i moshuar, i ditur dhe me një kulturë të gjerë. Ne ishim miq në të dyja drejtimet; gruaja e tij kishte relacione të ngjashme me të shoqen e ambasadorit gjerman, Von Puttkamer dhe me bashkëshorten time.
Kjo miqësi nuk ishte aq për oportunizëm, sesa për aftësi profesionale. Ne drekuam në restorantin “Ushçe” të Beogradit, buzë lumit Sava dhe patëm një bisedë të përzemërt. Në fillim duheshin krijuar kushte për të hyrë në kontakte me RFGj-në, për të filluar bisedimet në mes dy vendeve me qëllim që të merrnim reparacionet që ajo na detyrohej, duke filluar me kapitullin e sigurimeve shoqërore. Lewenhaupt e kuptoi qëllimin e bisedës dhe tha më tej në formë pyetje, se: nuk ka ndonjë gjë sikur të informonte ambasadorin gjerman Puttkamer për këtë bisedë. Unë e miratova. Në mbrëmje, në pritjen e ambasadës së Afganistanit, u ndodhëm së bashku të tre ambasadorët dhe ambasadori suedez, përmendi bisedën tonë për reparacionet, duket për t’a siguruar ambasadorin gjerman për përmbajtjen e bisedës që kishim patur bashkë.
Unë thashë dy fjalë për të konfirmuar sa tha Lewenhaupt. Duhet shtuar se gratë e ambasadorëve ishin suedeze dhe shoqe të ngushta. Rreth një muaj më vonë, më 14 korrik, në pritjen e festës kombëtare të Irakut, para se të largohej Puttkamer, gjeti rastin e në “mënyrë natyrale”, u ndodhëm vetëm së bashku. Biseda ishte e shkurtër për marrëdhëniet në mes dy vendeve, por ambasadori gjerman u përqëndrua në çështjen reparacioneve, që ishte bërë ‘çelësi’ i marrëdhënieve diplomatike në mes Shqipërisë dhe RFGJ-së. Unë hodha idenë se mund të bisedohej dhe të dyja palët t’i zgjidhin problemet e tyre në këtë rrugë. Puttkamer ishte gjerman tipik, serioz, i qetë, ishte i “ftohtë”, por po t’i hynte një çështje, dëshironte ta çonte atë deri në fund.
Ai nënvizoi se pretendimi i palës shqiptare për reparacion prej 4 miliard USD të vitit 1938, përbënte një shumë kolosale dhe nuk mund të merrej si bazë për bisedime. Unë i konfirmova se bisedimet mund të fillonin për kapitullin e sigurimeve shoqërore. Ambasadori mesa duket këtë donte, për të qenë i sigurtë për sa kishte thënë ambasadori suedez për reparacionet.
“Takimi im me ambasadorin gjerman në Beograd”
Nuk vonoi shumë dhe pas dy javësh, në pritjen e festës kombëtare të Zvicrës, më 1 gusht, Puttkameri më tërhoqi mënjanë për një bisedë konfidenciale dhe tha: “Qeveria e Republikës Federale me entuziazëm e vlerëson qëndrimin e palës shqiptare për zgjidhjen e problemeve mes të dy vendeve. Ajo propozon që mes dy qeverive të fillojnë menjëherë bisedimet për reparacionet në fushën e sigurimeve shoqërore në Beograd, Vjenë ose Bon, sipas dëshirës së palës shqiptare. Do të jetë mirë, vazhdoi ai, që pala shqiptare të paraqesë në këto bisedime dokumentet përkatëse për dëmshpërblimet që detyrohet të japë qeveria Federale për dëmet e shkaktuara shtetasve shqiptarë gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore”. Pra ambasadori bëri të qarta tre çështje:
1.Vlersoi gadishmërinë e qeverisë shqiptare për të biseduar me qeverinë federale dhe në këtë mënyrë shprehu mirëkuptimin e qeverisë së vet për gjendjen në të cilën ndodhej Shqipëria me ndërprerjen e ndihmave kineze dhe gatishmërisë për ta ndihmuar atë në një farë mënyre.
2.Që bisedimet të fillojnë menjëherë, pra pa u lënë rast të tjerëve për të përfituar nga pozita e vështirë ekonomike e Shqipërisë dhe sidomos këtu fjala është për vendet e Europës Lindore, aleate të Bashkimit Sovjetik.
3.Puttkamer nënvizoi se do të bisedohej për dëmshpërblimet për kapitullin e sigurimeve shoqërore, për të mos pasur keqkuptime më pas, sidomos për sa u përket reparacioneve për dëmet materiale për të cilat qeveria gjermane në kuadrin e Marrëveshjes së Londrës të vitit 1953, nuk merrte asnjë angazhim. E falënderova ambasadorin për propozimin konkret e konstruktiv të qeverisë gjermane dhe e sigurova se do të njoftoja menjëherë qeverinë time. Dhe kështu veprova.
“Telegrami im për Tiranën lidhur me takimin”
Në telegramin që dërgova në Tiranë, vura në dukje se lidhur me përgjigjen tonë për këtë propozim duhej mbajtur parasysh se ambasadori Puttkamer, së shpejti do të largohej nga Beogradi për pushimet verore dhe se do të kthehej në fillim të shtatorit. Ambasadori suedez që ishte informuar nga miku i vet, Puttkamer, m’u shpreh me optimizëm për propozimin gjerman, duke vlersuar si një çarje të akullit dhe me dobi të madhe për marrëdhëniet e të dy vendeve dhe sidomos për Shqipërinë. I thashë se dhe unë kështu mendoja dhe e falënderova edhe njëherë për kontributin që ai dha për këtë çështje.
Porosita shifrantin e ambasadës që përgjigjen e Tiranës për gjermanët, ta punonte më përparësi. Por ajo nuk erdhi, dhe ambasadori u largua në Bon. Nëpërmënd më kalonin shumë ide, ndoshta ishte kërkesa për dokumentacion, ku ne kemi qenë të dobët, por prapë mendoja se një reagim në një farë mënyre duhej bërë të paktën për të treguar respektin për qeverinë gjermane. Më pas ajo erdhi, ishte një përgjigje e shkurtër, e menduar thellë politikisht, vetëm se i mungonte një gjë: nuk mbante parasysh se i drejtohej Gjermanisë Federale: “Kërkoji ambasadorit Puttkamer që propozimin ta bëjë me shkrim”. Ja kjo ishte përmbajtja e përgjigjes që na dërgoi Tirana.
Pra dukej që pala jonë nuk ishte që bisedimet të fillonin menjëherë, sepse ndoshta druhej se mos e akuzonin që i’u “shit imperializmit”, ndonëse argumenti ynë ishte juridikisht i bazuar sepse bisedimet bënin fjalë për një të drejtë të shtetasve tanë të dëmtuar gjatë kohës së Luftës nga Rajhu i Tretë. Mirpo për Tiranën, lufta ideologjike për “demaskimin e imperializmit” ishte “parimore”. Më erdhi keq për një sjellje të tillë, për më tepër se Gjermania Federale kishte kohë që nuk paguante më reparacione; qoftë dhe për sigurime shoqërore. Ajo bëri një gjest të tillë si rast të veçantë për Shqipërinë, por kurrsesi të bënte një konfirmim me notë zyrtare për reparacione që do ta vinte atë në pozicion të vështirë ndaj shteteve të tjera që kishin pretendime analoge.
Ambasadori gjerman u kthye në Beograd në prag të një ekskursioni të trupit diplomatik të kryeqytetit jugosllav, të organizuar në tetor 1977 nga Sekretari i Punëve të Jashtme. Me këtë rast, i dhashë Puttkamerit përgjigjen për propozimin e qeverisë së tij. Puttkamer tha se: “për këtë më duhet autorizimi i qendrës, do të pyes Ministrinë e Jashtëme në Bon dhe do t’u njoftoj”, u përgjigj Puttkamer me korrektësi, por jo pa habi të fshehur. E pyeta dhe në disa raste të tjera më thoshte kurdoherë me gjakftohtësi se: “nuk kemi akoma përgjigje nga Boni”.
“Zëri i Popullit” në sulm kundër imperializmit!
Ndërkohë “Zëri i Popullit” ishte plot me kritika kundër “imperializmit dhe revizionizmit” e kryesisht ndaj Fuqive të Mëdha. Pra, në vitin 1978, Tirana i qëndronte besnike vijës së saj politike. Për Perëndimin nuk kishte më rrezik që Shqipëria të bashkohej me Lindjen pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, siç mund të mendohej më 1977. Askush në Tiranë nuk mendohej për t’i dhënë përgjigje pozitive Puttkamerit gjatë kësaj kohe. Prishja e marrëdhënieve me Kinën po e bënte udhëheqjen e vendit tonë të mendonte seriozisht për rrugët e daljes nga vështirësitë ekonomike. Karakteri autarkik i ekonomisë sonë plotësisht shtetërore, nuk mund t’i hapte asaj perspektivë.
Në shkurt 1979, më thirrën në Tiranë. Në Ministrinë e Punëve të Jashtëme, më thanë se ishte vendosur nga udhëheqja e lartë që t’u ngrinim përkatësisht Republikës Federale Gjermane dhe Britanisë së Madhe, zgjidhjen e problemeve të reparacioneve të luftës dhe atij të arit monetar. Problemet do të trajtoheshin me ambasadorët e shteteve përkatëse në Beograd. Pa dyshim është një iniciativë pozitive, pavarësisht se momenti nuk ishte aq i favorshëm sa në 1977. Nuk e pata të vështirë të thellohesha në detajet e problemit. Në kohën kur ishte Ministër i Jashtëm, Behar Shtylla, më ishte dashur të kaloja nëpër duar problemet e reparacioneve, si dhe ato të arit monetar. Prandaj përgatita tezat e qëndrimit për të dyja problemet të cilat u diskutuan në mbledhjen e ngushtë të Ministrisë së Punëve të Jashtëme. Siç bëhej zakonisht në formulimin e qëndrimeve tona, u mjaftua vetëm me përcaktimin e pozitës për takimet e para.
Mehmeti: Sokrat, bisedo me gjermanët
Në fund më priti në një takim të veçantë vetë kryeministri Mehmet Shehu, i cili pasi më dëgjoi për përgatitjet më foli qetë dhe me ton optimizmi, duke u përqëndruar në çështjet kryesore dhe shtoi se në varësi të ecurisë së bisedimeve do të shiheshin pozitat që do adoptoheshin në të ardhmen. Meqënse ai injoroi ta përmëndëte, unë sugjerova nëse me ambasadorin gjerman mund të filloja bisedën aty ku e kishim lënë afro dy vjet më parë, pra t’i jepja përgjigje pozitive për propozimin e bërë nga qeveria gjermane në korrik 1977, për fillimin imediat të bisedimeve në Beograd, Vjenë ose Bon. Kryeministri miratoi dhe më uroi sukses. Kështu mbaroi takimi me Mehmet Shehun prej një ore, ku ishte prezent dhe Ministri i Punëve të Jashtëme.
Pasi mbërrita në Beograd, vizitën e parë ja bëra ambasadorit Puttkamer në zyrën e tij. Për herë të parë në historinë e marrëdhënieve Shqipëri-RF Gjermane, bëhej një takim i tillë zyrtar. Pas shkëmbimit të fjalëve të zakonshme, e falënderova që më priti menjëherë dhe zhvillova bisedën për çështjen që për të cilën shkova. I’u referova bisedave tona në korrik-gusht 1977, propozimit të qeverisë gjermane për fillimin e bisedimeve të menjëhershme për zgjidhjen e problemit të reparacioneve në kapitullin e sigurimeve shoqërore, të memorandumit të qeverisë shqiptare për reparacionet paraqitur qeverisë gjermane që më 18 qershor 1965. Nënvizova se tani jemi në gjendje t’i përgjigjemi pozitivisht propozimit të tij se qeveria shqiptare është dakort që këto bisedime të fillojnë menjëherë në Beograd. Puttkamer tha se kishte marrë me mënd se ky do të ishte qëllimi i vizitës sime.
Pastaj shtoi se kisha thënë unë (S.P.) ishte e vërtetë, por “bisedat dhe propozimi i qeverisë federale ishin bërë afro dy vjet më parë dhe pala juaj nuk u përgjigj dhe tani unë (Puttkamer,) nuk e di nëse, në këto kushte të reja, Boni qëndron në propozimin e tij të vjetër. Unë do ta njoftoj menjëherë qeverinë time (RFGJ), vazhdoi ambasadori, dhe do t’ju përgjigjem me të marrë udhëzime prej saj”. Pastaj. Puttkamer tha se: “Përsa na përket neve, po të fillojnë bisedimet, ne do të sjellim dy tre funksionarë të Ministrisë së Punëve të Jashtëme nga Boni, të cilët do të trajtojnë problemet konkretisht me palën tuaj”. Unë i thashë se kjo është normale për të dyja palët. Tani na mbetet të caktojmë datën e fillimit të bisedimeve. “Do të njoftoj”, reagoi menjëherë Puttkamer. Shkëmbyem mendime edhe për probleme politike dhe ndër të tjera unë shpreha mendimin tim që këto bisedime kanë rëndësi të veçantë sepse do t’u hapin rrugën marrëdhënieve diplomatike, ekonomike, kulturore etj., midis dy vendeve; Puttkamer i miratoi këto mendime.
“Informacioni për Tiranën lidhur me bisedimet”
Për këto çështje njoftova me radiogram Tiranën dhe prisja nga gjermanët një përgjigje të shpejtë. Por nuk ndodhi kështu. Kaluan disa javë pa reagim. Ndërsa ambasadorët e informuar të Beogradit tashmë kishin rënë në gjurmët e bisedimeve të mija me Puttkamerin. Ambasadorët e vëndeve të Bashkimit Evropian bënin konsultime të përjavshme dhe shkëmbenin mendime për ngjarjet e rëndësishme të lidhura me Jugosllavinë dhe me shtete të tjera ballkanike. Një ndër to ishin dhe kontaktet zyrtare shqiptaro-gjermane në Beograd. Më pas kjo gjë u bë e njohur për të gjithë. Një ditë shoferi i ambasadës së RFGJ-së, solli në ambasadën tonë një ftesë për mua dhe bashkëshorten që ma dërgonte ambasadori Puttkamer me rastin e festës kombëtare, ku kishte ftuar gjithë protokollin e Beogradit, përfshirë trupin diplomatik. Ishte ftesa e parë për një ambasador shqiptar.
Kjo ftesë tregonte të paktën, se Gjermania Federale donte marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë dhe zgjidhjen e problemit të reparacioneve me anë të propozimeve të bëra nga Gjermania Federale. Pasi mora miratimin e Tiranës, shkova në pritjen gjermane, urova ambasadorin për festën kombëtare dhe shpreha keqardhjen që ai transferohej nga Beogradi pa mbushur as katër vjet, sepse të dyja vendet tona kishin shumë punë për të bërë dhe falenderova për këtë bashkëpunim. Këtë e bëra sepse pritja jepej dhe për largimin definitiv të ambasadorit Puttkamer nga Beogradi. Siç mund të pritej, prezenca ime tërhoqi vëmëndjen e diplomatëve të huaj të Perëndimit. Nuk u shpëtoi ky rast, duke bërë edhe spekulime për marrëdhëniet Shqipëri-RF Gjermane. Gjatë bisedave që kisha me këtë rast në ambasadën gjermane i përmenda se tani Puttkamer do të shkonte vetë në Bon, do të shpejtonte datën e fillimit të bisedimeve dhe mund të më njoftonte me anë të të ngarkuarit me punë. Puttkamer nuk ishte në formë, por evitoi të prekë çështjen e reparacioneve. Pas largimit të Puttkamerit nga Beogradi, u desh kohë për të ardhur në krye të detyrës ambasadori i ri gjerman Graber.