Kukës – Kanioni i “Grykës së Shejës”, një mundësi fantastike për turizëm malor

Shqipëria njihet tashmë për mundësitë e pafundme, për të kaluar pushimet verore, ku nuk mungon mali, por edhe deti.

Të apasionuarit pas turizmit malor, vijojnë të kërkojnë destinacione të cilat i njohin jo vetëm me gjeografinë e vendit tonë, por edhe me atraksionet e panumërta, që natyra i ka falur vendit tonë.

Një destinacion i tillë është edhe “Gryka e Shejës” në Kukës, aty ku të gjithë ata që pëlqejnë turizmin malor, mund të shohin një mrekulli të krijuar nga Zoti. Këto foto, që janë realizuar nga ekspertët e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura në Kukës, sjellin detaje të kësaj bukurie natyrore.

Për ekspertët e fushës, kjo grykë konsiderohet si një bukuri e rrallë natyrore, që duket sikur e ndan përgjysmë malin më të lartë në këtë rajon, atë të Gjalicës. Gurët super të mëdhenj dhe lumi që rrjedh mes tyre, krijojnë një imazh mahnitës. Ky kanion ndodhet në Njësinë Administrative Bicaj të Kukësit dhe njihet si një nga monumentet e natyrës, si pjesë e Parkut Natyror Korab-Koritnik.

Fotot të sjellin edhe shumë specie të rendësishme bimore e shtazore. Kanioni ndodhet në lartësinë 2100 metër dhe rruga që të çon atje është e vështirë për tu përshkuar. Megjithatë, turistët që adhurojnë malin dhe janë mësuar me ecjen, nuk e kanë aspak të vështirë shkuarjen atje.

SHKARKO APP