Kumbaro: “Edukimi përmes kulturës” prioritet i kësaj qeverie!

“Edukimi përmes kulturës” do të jetë prioritet i kësaj qeverie! Kështu u shpreh ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro  nga Lezha, gjatë aktivitetit për dhurimin e librave zhvilluar në bibliotekën “Gjergj Fishta” të këtij qyteti.

“Edukimi përmes kulturës, përmes leximit,  mbetet  një nga prioritetet e kësaj qeverie dhe i Ministrisë së Kulturës.  Libri ushqen mendjen. Të ushqesh mendjen është tolerancë, emancipim, zhvillim.  Të dhurojmë  libra dhe të vazhdojmë traditën e kësaj zone që është e njohur për figurat e shquara në krijimtari, ku mes të cilëve do të doja të përmendja poetin  tim të dashur dhe mbi të gjitha njeriun me mendje të bukur, Ndoc Gjetja”, tha Kumbaro.

Ministrja, e cila do të jetë sërish në krye të kulturës në këtë mandat të dytë të qeverisë Rama vuri në dukje krijimin e bashkëpunimit  të Ministrisë së Kulturës me bashkitë,  nismë e cila fillon me Lezhën dhe zhvillohet në kuadër të programit “Edukimi përmes Kulturës”.
“Prej shumë vitesh bibliotekat vendore kanë qenë jashtë vëmendjes së bashkive. Arsyeja pse e nisëm këtë projekt nga Lezha,  është se  në këtë bibliotekë  gjetëm dashuri për librin. Prandaj edhe e mirëpritëm projektin e Lezhës “Biblioteka lëvizëse”. Në të gjitha programet e Ministrisë së Kulturës  prioritet mbetet lexuesi. Nëse nuk kemi lexues, nuk kemi autor, nuk kemi, përkthyes, nuk kemi botues”- u shpreh Kumbaro në fjalën e saj.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kumbaro u prit në këtë aktivitet nga “Kampionët e leximit”, nxënësit nga fshati Blinisht dhe qyteti i Lezhës  nga ku nisi programi i  Ministrisë së Kulturës për pasurimin e bibliotekave vendore dhe shkollore.  “Kampionët”, që  kanë lexuar 25 libra për një muaj janë fëmijë të moshës 6-14 vjeç të zonave të largëta rurale të Lezhës.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Ka një qasje të re të institucioneve të kulturës , andaj jam shumë e gëzuar që nisim sot një marrëdhënie bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës”- u shpreh drejtoresha e Bibliotekës Publike Lezhë, Suela Bala.

“Shkrimtari im i parapëlqyer je ti Njeri, me shpirt të bukur njerëzor, që do te jetosh në të nesërmen e të ardhmes”- u shpreh Xhoana Gjokaj, nxënësja fituese e esesë më të mirë.

Titujt e librave që u dhurohen nga fondi i Ministrisë së Kulturës  janë përzgjedhur nga një kolegjium ekspertësh të jashtëm në përgjigje të nevojave të lexuesit.  Projekti  do të vazhdojë edhe në bibliotekat e Vlorës, Shkodrës, Fierit, Korçës dhe Elbasanit.
Zhvillimi i fushatës së leximit në mbarë vendin në tetor të vitit 2016, evidentoi gjithashtu Bibliotekat vendore më aktive në vend, me një shërbim profesional dhe të përkushtuar, si Biblioteka qendrore e qytetit të Lezhës, fituese në rang kombëtar për projektin “Biblioteka lëvizëse”, Biblioteka Publike e Vlorës “Shefqet Musaraj”, Biblioteka Publike “Marin Barleti”, Shkodër, Biblioteka Publike “Thimi Mitko”, Korçë, Biblioteka Publike “Qemal Baholli”, Elbasan. Këto biblioteka, si pjesë e kalendarit të gjerë të aktiviteteve, jo vetëm dëshmuan gatishmëri të stafeve përkatëse për punën me librin dhe për përthithjen e lexuesve, sidomos lexuesve të rinj, por gjatë monitorimit të aktiviteteve përkatëse u konstatuan edhe kushte të mira shërbimi dhe hapësire fizike për librat.

Projekti i Ministrisë së Kulturës  është vijueshmëri e nismave të ndërmarra në këto katër vite për pasurimin e bibliotekave vendore dhe shkollore. Vitin e kaluar, në kuadër të Fushatës së leximit “Takohemi për një libër”, u hartua edhe projekti për mbështetje të bibliotekave vendore të qytetit të Tiranës.

Në takimin për dhurimin e librave zhvilluar në Bibliotekën Publike të qytetit të Lezhës merrnin pjesë edhe nënkryetarja e Bashkisë së Lezhës, znj. Alfrida Dedgjonaj, Drejtori i Drejtorisë  Arsimore Rajonale, Lezhë, Bardhok Pulaj, botues, krijues dhe nxënës që ndoqën aktivitetin në kuadër të programit “Orë letrare në Bibliotekë ”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?