Kumbaro inspekton punimet në TKOB: Brenda afateve i dhurojmë publikut një teatër tërësisht modern!

Zbatimi i  projektit për rikonstruksionin e Teatrit të Operas dhe Baletit po ecën me ritme të mira dhe të shpejta. Ka qenë vet Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila ka inspektuar punimet që po kryhen aktualisht në njërin prej institucioneve më të rëndësishme të artit në vend. Kumbaro, e cila e ka nisur këtë mandat të dytë nga mbikqyrja e kantiereve të kulturës, tha se çdo gjë po shkon sipas parashikimeve, ndërsa theksoi se  me zbatimin e projektit mjediset e reja të TKOB do të kenë sipërfaqe shtesë për artistët dhe administratën.

“Jemi në një ndër momentet e inspektimit të kantierit të Teatrit të Operas dhe Baletit. Punimet  kanë ecur shumë mirë deri tani. Është punuar në mënyrë shumë intensive dhe në kushte shpesh edhe të vështira për mungesë të hapësirave të brendshme, problem që vazhdon duke u hequr zvarrë problemi juridik  me shoqërinë italaine, por problem që do ta zgjidhim shumë shpejt me masa të drejtpërdrejta, por pa dyshim ligjore.

Nga punimet e kryera dhe në zbatim të projektit kemi përfitim të sipërfaqes shtesë, përfitim të skenës dhe pjesës së publikut, por edhe dyfishim të hapësirës së gropës së orkestrës. Pjesa më e rëndësishme që shkon drejtpërdrejtë në interes të artistëve është fakti që kemi shtesë të hapësirave të  sipërfaqeve të shërbimeve të artistëve dhe administratës të TKOB”, tha Kumbaro.

Një tjetër lajm i  mirë që vjen nga ministrja e Kulturës është fakti, se sipas ecurisë së deritanishme të punimeve nuk parashikohet shtyrje e përfundimit të projektit dhe se brenda afateve të parashikuara TKOB do të jetë një teatër tërësisht i transformuar dhe modern.

Kemi ecur me ritme të mira. Jemi brenda afateve të kontratës dhe me pak durim, besojmë që brenda limiteve të parashikuara do të kemi një Teatër të Operas dhe Baletit tërësisht të modernizuar, edhe pse gjithë pajisjet e vjetra mekanike që të viteve 50-të ndryshohen dhe automatizohen krejtësisht në shërbim edhe të publikut edhe të artistëve”, bëri të ditur ministrja e Kulturës.

Projekti për rehabilitimin e Teatrit të  Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor parashikon një rinovim tërësor të mjediseve  të brendshme, skenës, zgjidhje të problemeve akustike, shtim të hapësirave etj. Sipas kontratës parashikohet që brenda vitit 2019 publiku të mund të shijojë skenën e re të TKOB, të transformuar, dinjitoze dhe me hapësira të shtuara.

SHKARKO APP