Kumbaro në Berat: Pasuritë e trashëgimisë s’janë për tu soditur, por për t’u jetuar!

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka zgjedhur Beratin në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë, qytet nga i cili ka dhënë mesazhin se trashëgimia kulturore nuk është thjesht për tu soditur, por mbi të gjitha për tu jetuar.
“Trashëgimia nuk është vetëm përgjegjësi e një pushteti të caktuar, por pasuri kolektive që duhet mbrojtur nga të gjithë. Pasuritë e trashëginisë kulturore nuk janë për tu soditur, po për tu jetuar”, tha Kumbaro pas vizitës në Muzeun Onufri në Berat.

Më tej ministrja e Kulturës, tha se edhe në këtë mandat do të vijojë puna për ta pasur trashëgiminë motor zhvillimi të vendit, teksa theksoi se vetëm në 4 vjet numri i vizitorëve në Muzeun Onufri është 10-fishuar.

“Ne nuk duhet të kemi frikë të jetojmë brenda trashëgimisë. Kjo është arsyeja pse po punojmë fort për trashëgiminë si motor zhvillimi, që do të thotë më shumë të ardhura.
Në 4 vjet kemi bërë të mundur që trashëgimia të kthehet në burim ekonomie dhe sot e kemi 6-fishuar numrin e turistëve në Berat dhe 10-fishuar numrin e vizitorëve në Muzeun Onufri, ku kemi investuar dhe kemi hapur një dhomë të re me 15 ikona të reja që ndodheshin të mbyllura në bodrumet e këtij muzeu, të cilat i restauruam”, tha ministrja e Kulturës, e cila shtoi se sapo ka përfunduar dhe instalimi i biletarive elektronike në kalanë e Beratit dhe Muzeun Onufri në bashkëpunim me AADF, projekt i cili vijon me Krujën, Gjirokastrën, Apoloninë, Shkodrën.

Pjesë e kalendarit të aktiviteteve të zhvilluara në Berat nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës është bërë edhe Presidenti i Republikës, Z. Ilir Meta.

SHKARKO APP