Kuvendi i Lezhës testament krenarie i Arbërisë Mesjetare
Lezha, ky qytet jetëgjatë, me histori mbi 2400 vjeçare, jo vetëm ka mbijetuar, por edhe ka shkëlqyer në rrugën e jetës. I vendosur në një pejsazh mahnites, “qytet i ngritur në ajër, i cili mund të shihet nga të gjitha anët” – siç thotë Ana Komnena, me lidhje të forta me lindjen dhe perendimin në kulm të mesjetes u bë një ndër pikat referuese dhe modeli frymëzues i qyteteve që i kontribuan denjësisht formimit tonë kombëtar e konsideruar “Qëndra diplomatike e Arbërisë mesjetare”.
Në kulmin e ngjarjeve që do të përcaktonin të ardhmen e Ballkanit në 500 vitet e mëketejme, në tokat e tij u shfaqen ushtritë e mëdha të perandorise osmane me qëllim vendosjen e sundimit ushtarak dhe përhapjen me forcë të fesë islame si ideologji sunduese e Portës së Lartë. Në vorbullën e luftrave ballkanike shqiptarët ishin përfshirë edhe më parë në beteja kundër perandorise, por të përçare, dhe të dobët për të përballuar furinë e invazionit otoman, që përfaqësonte fuqinë më të madhe politiko – ushtarake të kohës.
Kundër perandorise otomane në shekullin e 15 luftonte me trimëri të pashoqe Huniadi me ushtritë e tij, por ylli i tij i triumfit po perendonte pasi ushtritë e perandorisë ku luftonte edhe Gjergj Kastrioti Skenderbeu, po gërryenin tokën mbi të cilën Huniadi kishte ngritur lavdinë e tij dhe po mbysnin me gjak kështjellat që mbronte ushtria hungareze e mbështetur nga popujt e tjerë të Ballkanit, të cilët ishin të ndarë në principata dhe të përçarë nga luftrat e brendshme, konfliktet për territore dhe etja për pushtet.
Në këto kushte të favorshme historike, u shfaq në skenën e luftrave të mësjetës Gjergj Kastrioti- Skemnderbeu. I rritur në oborrin e Sulltanit qe bërë njohës i thellë i forcës e dredhive të perandorisë por i bindur se kishte ardhur koha dhe momenti për të marrë në dorë fatet e Principatës së Krujës, dhe të Arbërisë mbarë, në fund të vitit 1443, kur Huniadi sulmoi në befasi ushtritë turke, së bashku me një rreth kalorësish besnikë ui shmang betejes dhe mori perjëtësisht rrugën e perendimit, duke kaluar në vijen egnatia nga Vardari në Dibër për të ndalur vrapin në Krujën e gjunjëzuar të të parëve të mbuluar nga terri dhe pesha e rëndë e pushtimit. Këtë rrugë Kalorësi i ri e kishte përgatitur më parë dhe kishte zgjedhur njerëzit besnikë për të realizuar planin e tij .
Në Krujë, kishte njerëz që e prisnin këtë ditë, ndaj gjithçka rrodhi sipas planit të përgatitur dhe në vjeshten e vonë të vitit 1443 u ngrit në qytet flamuri i principates se Kastrioteve që u pasua me vendosjen pushtetit të Skenderbeut me kryq e me shpatë në kështjellat arbërore të Petreles e Petralbes që i kishin lënë të parët dhe filloi shtrirjen e Influences në principatat e tjera.
Pasi veshi rrobat e princit të Krujës, Gjergj Kastrioti me një vrull prej ushtaraku dhe me vizion të një burri shteti, vendosi sundimin e tij ushatarak mbi principaten e Kastriotëve, bëri marrëveshje me principatat e tjera dhe i dha siguri Venedikut për aleancë afatgjatë në luften kundër perandorise osmane dhe filloi pergatitjet per krijimin e nje fronti gjitharbëror dhe më gjërë kundër ushtrisë otomane që zhvillonte beteja dhemb me dhemb me Huniadin i cili qëndronte në krye të ushtrive të bashkuara të Ballkanit. Viti 1443, viti i daljes së Gjergj Kastrioti në skenën europiane përkon me kryqëzaten antiosmane të popujve të krishterë, udhëhequr nga Huniadi i lodhur deri ne ekstrem nga luftrat e njepasnjeshme, mosha dhe sherret e brendshme te ushtrive ballkanase.
Pa u ngutur për të hyrë në luftë, me qëllim ngritjen e pricipatave të Arbërisë në një front të madh rezistence Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, përgatiti një kuvend të princave që do të bashkonte forcat njerzore në luften e madhe kundër Turqisë. Ai organizoi Kuvendin mbarë kombëtar të principatave në Lezhën venedikase. Krerët shqiptarë, të bindur se kishte ardhur koha dhe ishte shfaqur njeriu i duhur për të drejtuar kryengritjen e armatosur renden për në Lezhë dhe u ulen së bashku në katedralen e Shënkollit si kurrë ndonjeherë me pare, Nikoll Dukagjini e Lek Zaharia,Gjergj Arianiti e Theodhor Muzaka, Gjergj Balsha e Pjeter Spani, Lek Dushmani e Stefan Cernojeviç, bashkë me vellezerit dhe femijët e tyre me një rreth të gjerë perfaqesuesish që së bashku me shpurat e tyre e kthyen Lezhën në qendren më të madhe arbërore të momentit.
Gjergj Kastrioti – Skenderbeu zgjodhi Lezhën për të marrë mbështetjen e Venedikut, për të siguruar princat për asnjanësinë e Kuvendit dhe për të kënaqur Dukagjinët, të cilët indirekt e konsideronin vehtën zotër të shtëpisë në republiken e Shën Markut, pasi Lezha më parë kishte qënë pjesë e zotërimeve të tyre.
Mbërritja e Gjergj Kastriotit, Princit të Krujes dhe Matit, në Lezhë, dhe hyrja e tij në Katedralen ku u mbajt Kuvendi, u prit me shpresë në zemrat e pinjollëve të familjeve të mëdha të trojeve të Epirit. Fjalimi i tij në kuvend, vendosmëria e mençuria që manifestoi dhe perpjekjet për të arritur rezultatin e dëshiruar të Kuvendit, e rriten më shumë autoritetin e tij. Mbështetja që siguroi dhe vendimet që mori Kuvendi Kombëtar i Lezhës ishin plotësim i aspirates mbarëpopullore për rezistence të armatorur kundër perandorisë.
Gjergj Kastrioti, doli nga Kuvendi i Lezhës, Komandant i lidhjes, prijës i ushtrisë së përbashket, duke i dhënë jetë shtetit të parë të bashkuar të Arbërit.
Pas Kuvendit Gjergj Kastrioti doli vetë në të gjitha Principatat që u bënë pjesë të Bëslidhjes për të mbledhur ushtarë, dhe për t’u dhënë sinjal principatave të tjera se vetëm bashkimi në Beslidhjen e Lezhës do të shpëtonte edhe territoret e tyre nga shpata e rëndë e sundimit turk.
Kuvendi i Lezhës ishte një akt i madh emancipimi i princave shqiptarë, pasi deri atëherë nuk kishte ndodhur bashkimi i tyre në asnjë rast, në asnjë betejë dhe në asnjë kuvend me gjithë përpjekjet e bëra.
Prijësit shqiptarë në Lezhë ishin të bindur se fati i mëtejmë i popullit shqiptar, do të varej shumë nga rezultati i ndeshjeve me turqit, gjë që do të verifikohej shpejt pasi lufta kishte filluar dhe hordhitë otomane gjendeshin në kufijtë lindorë të Ballkanit.
Ushtritë e Bashkuara të lidhjes u shuguruan vetëm pak muaj me vonë kur në Qershorin e atij viti 15 mije luftëtarët e ushtrive të Arbërit shpartalluan në Torvioll një ushtri 40 mijë turqish. Fitorja e Torviollit, që u ndoq me kërshëri nga kancelaritë europiane, zgjoi shpresën se “turku mund të dëbohët nga Europa”.
Bashkimi në formë konfederate, si bashkim të barabartësh që u arrit në Lezhë, pati një bazë të gjerë dhe mbështetje popullore. Nuk ishte vetëm një bashkim sundimtarësh por një lidhje e të gjitha shtresave të popullsisë me frymëzim nga kleri katolik, faktori ndërkombëtar, dhe krerët shqiptare i cili ishte influent në të gjithë jetën shoqërore të kohës.
Kuvendi realizoi Besëlidhjen e madhe shqiptare, që i dha jetë shtetit më të fuqishëm mesjetar të Arbërit, ku u farkëtua shpirti i arbërve dhe identiteti ynë kombëtar.
Kryengritja e armatosur që zuri fill në Lezhë dhe vazhdoi me sukses për 24 vjet me rradhë ishte një kapitull i lavdishem ku u shkrua një ndër faqet më të ndritura të historisë tonë. Në këto vite Gjergj Kastrioti, arriti me mund e sakrifica të përqëndronte pushtetin në dorën e tij me mbështetjen popullore që siguroi dhe me luften e drejtë që zhvilloi në mbrojtje të atdheut.
Lezha mesjetare, do të kthehej në qendrën më të spikatur të Arbërisë, në pikëlidhjen më të rëndësishme të saj me botën perëndimore.
Kuvendi i Lezhës dhe Besëlidhja e madhe, e realizuar ne mesjeten e hershme edhe sot pas qindra vjetësh, na joshin e frymëzojnë, ato janë institucionalizuar në kodin e tonë zakonor
Ky kuvend ka frymëzuar në shekuj luftrat për liri, dhe kuvendet për bashkim të popullit tonë. Ai ishte pikë referimi e Kuvendit të Arbërit, Kuvendit dhe Besëlidhjes së Shën Mërisë në Mat, të Kuçit, Vlorë, të Janinës, Beratit, Lidhjen e Prizrenit dhe të Pejës, Kongresin e Manastirit, të Greçës e të Sinjës, Kuvendin e Vlores dhe Kongresin e Lushnjes, dhe deri tek kuvendet e pajtimit te gjaqeve, të cilat kanë patur për model organizimi, Kuvendin e Lezhës.
Shqiptarët nën flamurin e tyre kombëtar, gjithmonë kanë punuar e luftuar për paqen, lirinë, bashkimin dhe një jetë më të mirë. Në këtë kuptim kampioni ynë i madh i mesjetës, emblema jonë e luftës për liri, ka shumë ngjashmëri me emblemën tonë të paqes, mirësisë dhe sakrificës, me të madhen Nënë Terezë, ndaj respekti e mirënjohja për të i ka qëndruar shekujve.Besëlidhja e Lezhës përcaktoi formimin e shtetit të bashkuar shqiptar nën drejtimin e Skënderbeu dhe forcimi i faktorit shqiptar e bëri atë në mesjetë një aleat të preferuar të fuqive perëndimore të kohës dhe të Papatit, por edhe i përcaktoi një vend të rëndësishëm në projektet evropiane për të dëbuar nga Ballkani, Perandorinë ekspansioniste Lindore.
Nga njohja e historisë së epokës së Skënderbeut, konstatohet lehtësisht se rezultat i Besëlidhjes së Lezhës ishin fitoret e bujshme, ushtarake dhe organizimi i shtetit kalimi nga Lidhja në shtetin e përqendruar.
Megjithese, shteti i Skënderbeut kishte të gjithë karakteristikat e kohës së vet, ushtria që doli nga Kuvendi dhe Beslidhja e Lezhës me luftën e saj të drejtë i ka dhënë një kontribut të veçantë luftës së popujve ballkanikë dhe europianë kundër perandorisë osmane.
Ngjarjet që pasuan Kuvendin e Lezhës, fitoret e arritura kunder invazionit otoman në Europë, kanë patur ndikim fondamental në formimin e kombit shqiptar dhe identitetit tonë kombëtar.
Kuvendi i Lezhës është një ndër aktet më të shquara, të mesjetes, një permendore e gjallë e epokes së Gjergj Kastriotit –Skenderbeut dhe Beslidhja e Lezhës do të mbetet testament politik i Gjergj Kastriotit- Skenderbeut.
Fran Frrokaj
Kryetar i Bashkisë së Lezhës