Letër e ndjerë për mësues Mark Përgjonin: Sakrificë në beteja përditë
Nga Pashk Lika, ish-nxënës
I vogël, pesë a gjashtë vjeҫar do të kem qenë, kur mësova emrin e një mësuesi nga fëmijë më të rritur se unë. Po vjen mësues Marku! Një djalosh i sqimtë, simpatik e serioz më erdhi ai, si për herë të parë. Përshëndeste buzagaz cilindo që takonte. Më vonë në kohë e njoha nga afër edhe në raporte pune.
Mësues Mark Përgjoni!
Në moshën dhjetë vjeҫare mbeti jetim. I ati u nda nga jeta. Pa prekur të shtatëmbëdhjetat mote u ngjit në tavolinën e mësuesit, 6 nëntor 1953. Dhe ku? Në Derjan të Matit! I ri, pa përvojë, i panjohur në fshatin larg. Veҫ emrin i kish mësuar, gjerë kur shkeli atje. Shpejt u miqësua me nxënësit, prindërit e tyre e komunitetin mbarë. Fillimi i punës qe i lodhshëm, si ҫdo nisje nga e para. Gjithësesi ishte sprovë për të venë veten në “maratonën” e gjatë të porsanisur! Shërbeu atje afro një vit. La pas mbresa të pashlyera si njeri modest, edukator shembullor e misionar i përkushtuar. Mori me vete prej andej respekt e mirënjohje, siҫ ndiejnë e dhurojnë njerëzit bujarë të atyre anëve!
Kur nisi misionin, pat kryer shkollim 7 vjeҫare në Shkodër mesvitin”53”. U përzgjodh për të kaluar në kurs pedgogjik. Mundësitë për shkollim nuk preknin realitetin e kohës. Qenë më shumë katunde se mësues! E transferuan nga Derjani në Bozhiq, në kufi me fshatin e vendlindjes. U ndje mirënjohës për lëvizjen. Nuk do t’bënte analiza për motivin. Por, ndjente barrën e familjes, kur qe ndarë me adoleshencën pesëmbëdhjetë a gjashtëmbëdhjetë vjeҫare!
Qëndroi tetë muaj e tri javë atje. Shërbimi ushtarak nuk kurseu as një javë, kur do të mbyllej viti shkollor. Paradoks! E kreu atë në tre vite. Bëri emër si ushtar. Në përmbajtjen e vet qenë kristalizuar disiplina dhe përgjegjësia. Insistuan ta trajnonin për të bërë karrierë në ushtri. Jo, nuk pranoi! Ëndërr e tij ishte mësuesia. Njëzet e tre ditë do të kalonin nga kur mbaroi shërbimin në ushtri, e komanduan në Rrëshen, katër a pesë orë larg nga vendbanimi. Ani, Nana që si pa fytyrën në tre mote, sa dhjetravjeҫarë, tashmë do ta merrte n’grykë me duar t’vyshkura, një herë në javë! Pas një viti do ti “rezervonin” një vend në shkollën e Kuzhnenit, Kaҫinarë. Qëndroi tre vite atje. Çdo pasdite të s’shtunës kthehej në familje. Të dielën, pas mesit të natës, do të merrte udhën për t’u rikthyer. Vetëm, në dimër a verë, errësirë a dritë hëne orë të tëra.
Në mëngjesin e një dite të hëne përshëndetën të gjithë, mësues e nxënës që erdhën më vonë, si përherë. Njëri nga kolegët pyeti:
-Keni fjetur këtu, kur je kaq herët?
-Për besë, këtu kam qenë që në orën dy pas mesit të natës, por jo në gjumë, -përgjigji paksa i intonuar. E pandehu batutë. Kolegët e tjerë ishin banorë të fshatit a në rrethina afër.
Përgjatë atyre viteve nisi shkollimin e mesëm për mësuesi, pa shkëputje nga puna. Do të diplomohej në Pedagogike “Shejnaze .JUKA”. “Fakultet”mësuesie qe ajo aso kohe e vite më vonë. Pedagogët e saj me shkollim jashtë vendit, do të ligjëronin në auditorë universiteti. Atje mësoi edhe si të vetmësohet. Kur qe kryefamiljar, prind e mësues do të përballonte edhe të qenit nxënës. Madje gjithë jetën!
Pas tre vitesh e “mëshiruan”. Në tre vite të njëpasnjëshëm do të jepte mësim në shkollën Shebe e Tharri. I bënë “favor”. Vetëm tre orë në këmbë do të përshkonte përgjatë ditës vajtje e kthim pasdite vonë! “Humanizmi” s’kishte të sosur. Do ta përzenin për të dhënë “Përvojë” në shkollën Fang Rubik një vit shkollor! Paskëtej do t’a largonin nga sistemi me motivacion: ”Pa arsim përkatës”! Dy provime klase, për arësye sezoni, do ta ҫonin te provimet e maturës. Ani. Shkollimin do ta mbulonin “të devotshmit” me shkollim 7-vjeҫar partajm! Nuk do të braktisej. “Komod” do të ndjehej në minierë, nëntokë. Kur s’pat vend atje, punoi tek fabrika e pasurimit, lopatist katër muaj. Pas këtej erdhi në mision për gjithë vitet e mbetura nga karriera. Nëse protagonisti është kthyer ndonjëherë pas ndër vite, do të ketë pyet veten: “A jam unë, si erdha deri këtu”?! Përgjatë asaj udhe në errësirë pa mbarim, ka mbajtur mbi vete barrën e rëndë të biografisë nga dajat. Qenë ata daja me të cilët është krenue Selita e më gjërë. Komunizmi do t’i gremiste nga buza në rrëzë të shkëmbit. Shkëmb ishin vetë Ata!
Jeta do ta dënonte të rriste edhe jetima. Bashkëshortja, Gjela, u nda para kohe nga jeta. La Gegën, Anetën, Andrean, Dritanin, Gencin, Adelinën e Dashamirin. Aneta ndërroi jetë në lule të rinisë. Të tjerët zgjodhën rrugët e jetës. Të gjithë janë shkolluar. Janë bërë prindër, edukator si i Ati. Krenari i dhurojnë atij.!
***
Kontributi i mësues Markut ka qenë sa modest aq edhe i ҫmuar. Jo pak kumtesa janë bërë objekt bashkëbisedimi, pse jo edhe referenca për proҫesin e mësimdhënies. Me kompetencë pedagogjike ka drejtuar komisione lëndore a cikël shkollor. PREMIERË vinte ora e mësimit, teksa dirigjonte ai! Sensi “kohë” nuk funksiononte. Tingujt e ziles në kësi rastesh, veҫ sa zhurmonin. Mbetet i pakontestueshëm, etalon në plejadën e vet.
Ruaj në kujtesë shumë episode nga raportet në punë me mësuesin: Kërkova leje për një ditë drejtorit, mësuesit tim të mirënjour e të paharruar, BIB NIKOLLI. Mirë, përgjigji ai. Komuniko me mësues Markun. Ai bën zgjidhje! Kështu u bë. Të nesërmen u ktheva pasdite vonë, paksa pa rënë muzgu, nga ku qeshë. Nxënësit nuk ishin shpërndarë. U befasova. Me një frymë mora rrugën për tek shkolla. Për ҫudinë time vazhdonte mësimi. Teksa përshëdeta indiferent, mësuesi më pikasi e foli serioz: ”Fëmijët kur vijnë në shkollë duhet të marrin ҫfarë u mungon…”. Ai kish përcjellë gjithë ditën në punë e, unë…!
Shtatë a tetë vite më vonë nga ky episod qesh emruar drejtor shkolle. Cikli i ultë në Lëkundë qe aneks, vartës. Një ditë i vjen një informacion drejtorit për disipinën në punë, të njërit nga mësuesit atje. Tre a katër qenë ata. Informatori do të mbetej anonim. Informacioni qe fakt i kryer. Atakonte disiplinën, por…! Bëra me dije informacionin. U mirëkuptuam. Ripërsërita mesazhin për forcimin e disiplinës. Artikulova si i parë ndër të barabartë, pa poza zyrtari. U ndamë duke u përshëdetur. Mësues Marku qëndroi. Pandeha se po më priste, pasi kishim udhën bashkë. Jo?
-Nuk artikulove si mësues, o…, -foli papritur ai.
-Mësues jeni ju, unë jam drejtori, -i përgjigja paksa sert.
-Po, po të njoh dhe e di, por të thashë, se…? Mora adrenalinë, sa t’i orientoja derën.
-Nxirre nga goja ҫ’ke për të thënë, mos mërmërit prej hunde!
-Qeshi me të madhe, tejet i sinqertë.
-Provokova, disa herë ne mësuesit intonohemi, sa gërvishten muret e klasës. Jo rrallë ledhatojmë plangprishës për të ndërtuar imazhe fallso. Puna dhe disiplina janë binom!
Përgjatë një bisede të zakonshme pa objekt me një koleg timin erdhën natyrshëm në rrjedhë, të ndryshme, rastësore. Kësisoj do të lakonim edhe emrin e këtij mësuesi. Bashkëbiseduesi është ishnxënësi i tij. Ka kryer shkollim të lartë, është mësues i mirëfilltë. Ka ngjitur disa shkallë në hierarkinë e drejtimit të shkollës. Edhe pse nuk ligjëron në auditorët e saj, të gjithë e njohin. Profesor Bardhoku. Ndenjëm bukur gjatë në këtë lakim. Bashkëbiseduesi do të rrëfente me admirim e nostalgji për sakrificën, kompetencën, përkushtimin dhe karakterin e mësuesit të vet. Pas një pauze të shkurtër, më erdhi sikur denonconte një peng: “Vlerat e njerzëve në hije do të ndrijnë një ditë mbi tokë”. Jeta e Mark Përgjonit po troket në 85 vite. Teksa kalojnë, vitet lënë gjurmë. Natyrshëm energjitë shterrojnë nga para në pasdite. Ndikimet psikologjike bëhen evidente. Ligji i kompensimit shfaqet dukshëm. Ngrene krye egoizmi, shpërfillja ndaj të tjerëve, atribute ndaj vetes.
Mbetet i kthjelltë, aktiv dhe vital. Sfidon vitet! Është imunizuar nga sindromi i moshës. Komunikon me grupmoshat si njëri në mes tyre. Ulet e ngjitet natyrshëm atje. Ruan e ndërton raporte afinitive me fëmijët. U dhuron edhe shkrime. Me gjasa, e rikthejnë në vite pas… .
-O Gjysh, të lutem më jep një libër të bukur që mbani ju, -foli papritur nipi, SERXHO 8 vjeҫar!
-Ta gjenë gjyshi pa para, se dhuratë e kam.
-E mori duke më falenderuar dhe lexoi me kërshërinë e moshës. Dy a tre ditë më pas më pyet përsëri:
-Kush ka shkruar kaq bukur, o gjysh?
-Mësuesi im, përgjigja buzagaz!
-Ti je vet mësues…?
-Kam qenë dikur nxënës i tij dhe prap ai është mësuesi im!
-Do ta dua sa gjyshin, për ato që ka thënë,-foli i ngazëllyer! Mësoi emrin e autorit nga libri. Pretendonte më shumë njohje. Një ditë do ta takonte nga afër.
Përgjatë viteve të fundit ka promovuar disa lira: skica e tregime, vargje e poezi. Në rreshta e faqe pena nuk gërvisht. Stampon përmbajtjen e autorit. Prej andej vijnë mesazhe të njeriut të letrave për jetën. Mbresëlënëse janë vargjet ”Për fëmijët e bjeshkëve të mia”. Udhërrëfejnë shtigje të panjohur, ushqejnë imagjinatën e saj. Jeta e tij është komplekse, dimension. Sakrificë në beteja përditë. Me gjasa do të lexohet: ”Fitore e thellë në luftë të gjatë”. E ka shkruar nga vetë protagonisti. Unë, veҫ sa erdha. Jo gjatë ndenja këtu. Pak rrëfeva.