LRE hap fushatën në Durrës dhe Krujë!
LRE – Lëvizja e Re, ka vijuar me aktivitet e saj politike në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, duke prezantuar kandidatët e Qarkut të Durrësit.
Kryetari i LRE ka prezantuar në qytetin e Durrësit të gjithë listën e kandidatëve të kësaj partie, e cila kryesohet nga Traineri i Ekipit të Boksit të Teutës, njëkohësisht edhe pedagogu e edukatori, sportisti dhe kampioni Jani Nano.
Jani Nano ka një aktivitet të njohur sportiv dhe edukativ në qytetin e Durrësit, sikurse edhe ka një të shkuar si drejtues në lëvizje e protesta studentore.
Jani Nano është një prind e bashkëshort dinjitoz dhe qytetar i denjë i Durrësit.
Gjithashtu, në Bashkinë e Krujës është prezantuar edhe Inxhinieri dhe Sipërmarrësi Bledar Lleshi i cili është i dyti në renditjen e kandidatëve për deputetë të LRE për Qarkun e Durrësit.
Bledar Lleshi është i njohur në Bashkinë e Krujës dhe në Fushë Krujë për aktivitetet dhe nismat e tij të shumta sociale, ndihmuese dhe kontribuese në shërbim të komunitetit.
Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë të LRE në Qarkun e Durrësit, Kryetari i LRE z. Arian Galdini deklaroi se: “LRE është e vetmja parti politike në këto zgjedhje që hyn me firmat e qytetarëve shqiptarë. Plot 6432 qytetarë shqiptarë kanë firmosur që LRE – Lëvizja e Re, të konkurojë në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Ne si LRE, jemi duke bërë një betejë epike, sepse jemi e vetmja parti e qytetarëve, nga qytetarët për qytetarët. 6432 firma qytetarësh janë tashmë një histori fantastike e demokracisë shqiptare, sepse janë 6432 firma që janë dhënë për një parti me zero para, zero financime, zero sponsorizime, zero fuqi, zero pushtete dhe zero media. Pra janë firma besimi dhe fryme. Mediat dhe Sondazhet e mohojnë dhe shpërfillin ekzistencën e LRE. Por 6432 qytetarë e kanë vulosur dhe firmosur besimin e tyre tek LRE. Ne do të jemi surpriza e zgjedhjeve të 25 prillit ndonëse mediat dhe sondazhet na bllokojnë, çensurojnë, shpërfillin e kanë vendosur të mos na përmendin kurrkund. Kjo tregon vetëm një të vërtetë të madhe, të vërtetën se ne jemi e vetmja forcë, e vetmja familje politike e krijuar dhe mbështetur nga qytetarët dhe vetëm nga qytetarët.”