Mal Berisha prezanton në Kosovë “1358 ditët e tij në Londër”  

“Rruga e Kosovës dhe e Shqipërisë drejt Europës është e pandalshme.”

PRISHTINË –  Akademia Diplomatike e Republikës së Kosovës promovoi së fundmi librin e diplomatit dhe studiuesit të njohur shqiptar, z. Mal Berisha, të titulluar “1358 Ditë në Londër” në kuadrin e diskutimit me temë –  “Fuqia e Butë si një Instrument i Diplomacisë Publike.”

Libri u paraqit nëpërmjet një prezantimi të ilustruar përpara një audiencë elitare, të përbërë nga diplomatë dhe punonjës të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Ambasadorë të Shqipërisë, Austrisë, Çekosllovakisë, të ngarkuarve  me punë të Britanisë së Madhe, Rusisë, Greqisë, diplomatëve të ndryshëm si dhe nga studentë, gazetarë e biznesmenë.

Ky aktivitet, i sponsorizuar bujarisht nga Kompania SIGAL UNIQA GROUP Austria, nxori në pah se pushteti i fortë ka qenë forma tradicionale e instrumentit të politikës së jashtme por në shekullin e 21-të, fuqia e butë mbizotëron dukshëm. Pikërisht ushtrimi i fuqisë së butë mbetet një nga aftësitë e forta të Ambasadorit Berisha të cilën e ka shfaqur gjatë gjithë karrierës së tij si diplomat për të kulmuar në vitet 2012-2015 kur shërbeu si ambasador në Britaninë e Madhe.

Libri është frut i një pune kërkimore që evidenton britanikët që kanë dhënë kontribut për çështjen shqiptare si dhe shqiptarëve të cilët kanë dhënë kontribut në Britaninë e Madhe. “Realitete shqiptaro-britanike: shënimet e një diplomati”, është i shtati në serinë e një numri botimesh nga Mal Berisha. Me karakter historik, kulturor e letrar, libri evidenton njëherësh aktivitetet e natyrës kulturore dhe diplomatike të zhvilluara nga Ambasada e Shqipërisë gjatë 1358 ditëve të mandatit të ambasadorit Berisha.

Libri, i shkruar gjatë 1358 ditëve ose viteve (2012-2015) që diplomati dhe studiuesi përfaqësoi Shqipërinë në Mbretërinë e Bashkuar, ofron një mori faktesh lidhur me perceptimin e britanikëve për popullin shqiptar, bazuar në shënimet e udhëtarëve të hershëm britanikë që kanë shkelur në tokën shqiptare që nga shekulli 17 e deri më sot. Gjithashtu, ai jep një panoramë të ngjarjeve kryesore që kanë formëzuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona, por edhe një përshkrim kronologjik të pranisë së misioneve diplomatike në dy vendet nga 1912-a e deri më sot. Në çdo faqe të tij, ky libër nënkupton diplomacinë kulturore si një nga mënyrat më të mira në njohjen e dy vendeve.

Gjatë prezantimit,  të moderuar nga Ulpiana Lama, drejtoreshë e Departamentit për Organizata Ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, autori i librit tha se ambasadorët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë kanë bërë dhe po bëjnë përpjekje sistematike të paraqesin para Britanikëve dhe Europës një popull shqiptar që i ka dhënë shumë vlera civilizimit.

“Shqipëria është një popull që ka etje për progres, një popull i cili është i orientuar drejt Perëndimit, një popull që ka kontribuar për qytetërimin perëndimor, dhe që rruga drejt Europës është e pandashme dhe që shumë herë, vështirësitë të cilat na krijohen duhen bërë edhe me një farë bona fide nëse mund të them dhe me një falje në qoftë se ne jemi pak të vonuar në histori. Por ne duhet të punojmë shumë jo vetëm që të plotësojmë standardet, por edhe ti tregojmë botës se kush jemi. Dhe kjo është detyrë e të gjithëve e në mënyrë të veçantë e diplomatëve,” tha Z. Mal Berisha, duke nënvizuar se “Rruga e Kosovës dhe e Shqipërisë drejt Europës është e pandalshme.”

Gjithashtu ai nxori në pah faktin se përveç përfaqësuese politikë, një rol të rëndësishëm në promovimin e Kosovës dhe Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve kanë luajtur dhe po luajnë edhe personalitet e njohura shqiptare nga fusha e kulturës dhe e artit.

Në promovimin e librit ishin edhe shumë figura publike nga fusha të ndryshme, ndër të cilët edhe ish- ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi.

“E gjithë biseda tregonte përpjekjet e ambasadorit Berisha për të dhënë një impakt sa më pozitiv lidhur me bashkëpunimin Shqipëri-Britani e Madhe. Mënyra se si u organizua i gjithë ky event ishte shumë, shumë interesante”, tha z.Minxhozi për mediat kosovare.

Për lexuesit e veprave të ambasadorit Mal Berisha, ky libër e pasuron bibliotekën e Kosovës dhe të Shqipërisë. “Ishte befasuese për mua.

“Ishte befasuese për mua. Vërtet shume shkresa të bukura dhe të mrekullueshme, shumë libra, me një histori dhe me një emocion të veçantë sidomos për popullin shqiptar dhe  rrënjët e tij,”-tha një nga pjesëmarrësit për Radiotelevizionin 21 të Kosovës.

“Realitete shqiptaro-britanike: shënimet e një diplomati” është promovuar edhe nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Shqipëri plot një vit më parë.  Gjatë kësaj ceremonie, ish-Ambasadori britanik në Tiranë, Nicholas Cannon, e vlerësoi punën dhe kontributin e z.Mal Berishës në detyrën e ambasadorit shqiptar në Londër ndërsa e konsideroi librin në fjalë “të vetmin që ekziston për marrëdhëniet midis dy vendeve”.

Ndërsa  z. Mal Berisha gjatë këtij aktiviteti tha se: “Unë e pashë si imperative të punës sime të tregoja para britanikëve: Cilët jemi ne për britanikët? Cilët kemi qenë ne për britanikët dhe cilët jemi ne sot? Këtë u përpoqa ta arrij nëpërmjet diplomacisë kulturore, hulumtimit, studimit, përkthimit të gjërave më të bukura që britanikët kanë shkruar për ne ndonjëherë. Këtë e kam parë si një mundësi për të tërhequr vëmendjen e britanikëve ndaj Shqipërisë, çfarë do të përkthehej edhe në turizëm, investime etj. Në rastin tonë, desha të tregoj cilët jemi ne sot?”, tha autori i librit me mbi 300 faqe. Kështu u lind edhe ideja e këtij libri. Në këtë libër gjenden pjesët më të zgjedhura nga 35 autorë britanikë rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve. Disa nga këta emra që kanë shkruar për Shqipërinë janë: Richard Knolles, Uilliam Martin Leake, George Gordon Byron, John Hobhouse, Charles Cockerell e deri te Noel Malcolm. Sipas z. Berisha, të gjithë këta britanikë, pavarësisht në çfarë detyrash kanë qenë, kanë lënë gjurmët e tyre në marrëdhëniet shqiptaro-britanike. “Prandaj, politika anglo-amerikane ndaj nesh duhet parë me simpati”, nënvizoi diplomati i karrierës.

SHKARKO APP