Manastirliu: Po rindërtojmë Shëndetësinë që e lanë gërmadhë
“Kur patën mundësi për ta bërë shëndetësinë e lanë gërmadhë, ndërsa tani flasin se si mund të ishte shëndetësia që ata e shkatërruan”, deklaroi sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila bashkë me zv/kryeministrin, Erion Braçe inspektuan qendrën e re shëndetësore në Grabjan të Divjakës.
Braçe dhe Manastirliu iu përgjigjën tryezës së Partisë Demokratike për shëndetësinë. “Fjalët tona janë punët që bëjmë, puna e tyre janë fjalët”, u shpreh zv.kryeministri Erion Braçe, gjatë inspektimit të qendrës së Grabjanit, e rindërtuar nga e para në kuadër të programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore.
Ndërsa, ministrja Manastirliu tha se “nuk është investuar në 30 vite për qendrat shëndetësore dhe ata që kur e kishin mundësinë e lanë shëndetësinë gërmadhë sot mblidhen në tryeza dhe flasin si duhej të ishte shëndetësia”.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se si qendra e Grabjanit, janë rindërtuar me të njëjtin standard 180 qendra shëndetësore nga veriu në jug, në çdo cep të vendit dhe puna do të vijojë me 120 qendra dhe ambulanca të tjera.