Margarita Xhepa: “Dhurata më e bukur, shalli që më dërgoi Kryeministri”

 

 
 
INTERVISTA 
Aktorja Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”, flet për urimet dhe mesazhet e veçanta që ka marrë në 81-vjetorin e lindjes 
 
Nga Zenepe Luka
Aktorja Margarita Xhepa, ka festuar më 2 prill 81 vjetorin e lindjes. Sidoqë nuk ishte përvjetor, për të kanë qenë surprizë 100 telefonata urimi. Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, aktorja e mbushur me emocione, shprehet, kjo ditëlindje ka pasur mjaft surpriza për të. “Nuk më kish shkuar ndërmend kurrë se ky 2 prill, dita ime e lindjes, do të më sillte kaq shumë surpriza”.
Znj. Xhepa, cilat ishin surprizat e kësaj dite?
Ishin pa fund. Numërohen mbi 100 telefonata urimi nga të afërm, kolegë dhe artdashës që nuk i njihja. Unë dua të përmend urimet që më dërguan zonjat që janë pjesë e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, si Vitore Stefa Leka që fliste nga Trieste, Dr. Makbule Çeço, që megjithëse ndodhej në Itali, përcolli urime zemre. Kështu edhe prof. Migena nga Gjakova, artistja nga Mitrovica me emrin e bukur Çamëri, shkencëtarja nga Prizreni Ajtene Krasniqi, Diana nga Athina, Marieta Zace. Kryetari i bashkisë së Lushnjës, vendlindjes time, për të shkuar tek numri 100, që është puthja e nipit, Martinit.
Cila ishin surprizat e kësaj dite?
Pa fund. Trokitjen e parë në derë e bëri Arta Saro, që më solli një buqetë të madhe me lule në emër dhe një puthje për të gjitha gratë e Fondacionit. Pastaj vërshuan komshiet, por kryesurpriza ishte veprimi që bëri Kryeministri Edi Rama.
Çfarë ndodhi me z. Rama?
Më parë m’u bë një telefonatë, ku më vunë në dijeni se Kryeministri do t’i uronte ditëlindjen dhe vetëm pas pak trokiti dera. Një djalë i ri pasi më uroi nga ana e tij, më zgjati një pako dhe më tha: Keni një dhuratë nga Kryeministri. Kur e hapa gjeta një shall të bukur që nuk ma kish zënë syri ndonjëherë. E hodha mbi supe dhe dallova koloritin e ngjyrave që të jepnin jetë, shpresë, ishin shijet e piktorit-kryeministër. Do ta ruaj si një gjë të shtrenjtë. Sinqerisht ndjehem e prekur dhe nuk mund te rrija pa ia shprehur mirënjohjen. I përcolla një mesazh në celularin e tij, duke e falënderuar megjithë zemër, që më kujtoi, për dhuratën e çmuar që më dërgoi.
E kam thënë edhe herë tjetër, unë i kam shprehur mirënjohjen e thellë kryeministrit Rama dhe Ministrit të shëndetësisë z. Ilir Beqja, që u përkujdesën për shëndetin tim dhe paguan faturën financiare të një operacioni të vështirë që bëra. E konsideroj një vlerësim që i bëhet gruas që ka kontribuar në fushën e artit. 
Ta mbyllim bisedën duke ju uruar të bëheni 100 vjeç?
Do të dëshiroja të përmendja edhe urimin që më dërgonte kryetari i Komunës Strugë, Ziadin Sela. Do doja ta përsërisja të plotë urimin e tij, që për mua mbetet e i veçantë. Ja ç’më shkruan: “Gëzuar ditëlindjen e madhja Margaritë! Më 2 Prill të 1934, në qytetin historik, të kulturës e të artit shqiptar, në Lushnjën e “Kongresit” lindi një yll, që do të shndriste skenën dhe ekranin shqiptar, e madhja Margarita Xhepa Nderi i Kombit. Ndoshta nuk kemi patur fatin që pjesën më të madhe të roleve, përkatësisht shfaqjeve teatrale të Margarita Xhepës, t’i ndjekim nga afër, por ne kurrsesi nuk do t’i harrojmë zonjën e “Koncert në Vitin 1936″ apo gruan e nënën e “ Dimri i Fundit”. Janë pamje që ne na kanë mbajtur me frymë e që nuk do t’i harrojmë kurrë. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse me respekt të veçantë, “Qytetares së Nderit të Strugës”, znj. Margarita Xhepa t’i uroj shëndet të plotë, jetë të gjatë, rrethuar me miq e dashamirë! Struga do të jetë gjithmonë e nderuar nga fjala juaj e ngrohtë. Gëzuar ditëlindjen e madhja Margaritë!”.
 
BOX
Disa nga dhe rolet kryesore të aktores 
Margarita Xhepa, diva e skenës shqiptare
Margarita Xhepa Nderi i Kombit,lindi më 2 prill 1934 në qytetin e Lushnjës. Vlerësohet se një nga Divat e skenës dhe kinematografisë shqiptare. Ajo u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar në vitin 1950 dhe gjatë karrierës së saj ka interpretuar mbi 150 role në teatër dhe kinematografi. Si kryerole mund të përmendim: Majlindën tek “Majlinda” (Xh. Broja), Dafina tek “Lumi i vdekur” (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull te J. Xoxes), Filja tek “Cuca e maleve” (L. Papa), Zonja Meme tek “Kush e solli Doruntinen” (dramatizim nga E. Budina e P. Mani i romanit me të njejtin titull të I. Kadaresë), Nëna tek “Përballë vetes” (R. Pulaha) etj.
Margarita Xhepa ka qenë shumë e suksesshme edhe në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek “Hamleti”, Vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, Dado tek “Romeo e Xhulieta” Mbretëresha Margaret tek “Rikardi i III”, të Shekspirit. Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea tek “Dhelpra dhe rrushtë” (Figereido), Lena tek “Xhaxha Vanja” (Çehov), Ledi Milford tek “Luiza Miler” (Shiler), Zonja Berling tek “Vizita e inspektorit” (Pristli), Zonja Lomen tek “Vdekja e një komisioneri” (A. Miller), Ana Andrejevna tek “Revizori” (Gogol), Marsela tek “Qeni i kopshtarit” (De Vega), Mashenka tek “Mashenka” (Afigenov), ShejIa tek “Morali i zonjes Dulska” (Zapolska), apo Dado tek “Elektra” e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, ne Teatrin Kombetar te Greqisë, në Athinë.
Aktorja ka realizuar edhe 32 role në kinema, duke punuar e preferuar nga regjisorët shqiptarë. Me Kristaq Dhamon xhiron “Vitet e para” dhe “Gjurmët”, me I. Muçajn e K. Mitron “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Një djalë edhe një vajzë” dhe “Apasionata”, me V. Gjikën “Gjeneral gramafoni”, me E. Musliun “Rrethi i kujtesës” dhe “Vitet e pritjes” (E. Musliu), me K. Çashkun ,”Dora e ngrohtë”, me Dh. Anagnostin “Gurët e shtëpisë sime”, me P. Milkanin, “Pranvera s'erdhi vetëm”, me S. Kumbaron, “Koncert në vitin 1936”, me Gj. Xhuvanian, “E diela e fundit” dhe “I dashur armik” etj. Ajo interpretoi në filmin grek “Mirupafshim” (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u laureua me Çmimin e Madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa mori Çmimin e Nderit.
 
 
 

SHKARKO APP