Mbrojtja e gjuhës shqipe-një urgjencë e kohës

Shënime për librin “Urgjenca gjuhësore”, shkruar nga Prof. dr. Gjovalin Shkurtaj

Nga Sejdo Harka

Akademiku Gjovalin Shkurtaj, ky emër i njohur i letrave shqipe, është një nga mbrojtësit më të zellshëm të pastërtisë së gjuhës shqipe. Ai tërë jetën ja ka kushtuar punës për zhvillimin, pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të saj. Krahas veprimtarisë së tij të drejtpërdrejtë si pedagog e mësimdhënës i gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës, ai ka bërë dhe vazhdon të bëjë me pasion një punë të madhe për hulumtimin, studimin dhe botimin e shumë shkrimeve, studimeve dhe librave me vlerë të madhe, jo vetëm për qarqet akademike dhe shkencore, por dhe për lexuesin e gjerë, brenda dhe jashtë vendit. Libri më i ri i Prof. Dr. Gjovalin Shkurtajt, i cili ka dalë në qarkullim kohët e fundit, titullohet “Urgjenca gjuhësore”. Ky libër, në të vërtetë, është një thirrje e hapur që tingëllon si një kambanë e fuqishme alarmi, që tenton të zgjojë nga gjumi dhe plogështia, jo vetëm shtetarët, politikanët dhe krijuesit e të gjitha fushave të jetës, por dhe gjithë shqipfolësit, për ta ruajtur pasuruar dhe zhvilluar më tej gjuhën shqipe. Që në fjalët paraprijëse të librit, autori trajton me kulturë e guxim problemin e zhvillimit dhe të ruajtjes së pastër të gjuhës shqipe nga fjalët e huaja e të panevojshme. Në këtë libër autori vlerëson lartë punën e madhe që kanë bërë Rilindësit tanë të mëdhenj N. Frashëri dhe K. Kristoforidhi dhe vazhduesit e tyri si: Gj. Fishta, Ndre Mjeda dhe E. Koliqi, E. Çabej dhe A. Kostollari, I. Kadare dhe D. Agolli…Bilbili i gjuhës shqipe, Naim Frashëri, edhe në ato kohë, kur disa pseudo-shqiptarë e kishin për turp të flisnin shqip, shkruante: “Shqip të flasim përherë, fjeshtë e të papërzjerë”. Ndërsa Gjergj Fishta, për ata që e nënvlerësojnë gjuhën shqipe, shkruan: “Pra mallkue nja i bir shqiptari, që përbuz këtë gjuhë hyjnore/e në gjuh të huaj kur s’ashtë nevoja/flet e t’vetën len mbas dore”(8). Kurse gjuhëtari i shquar kosovar, Akademiku Idriz Ajeti thekson se “Pa një gjuhë të pastër, s’ka as ide e mendime të larta”. Në këtë libër, Gjovalin Shkurtaj qorton maninë  e disa pushtetarëve, politikanëve, studiuesve dhe krijuesve të fushave të ndryshme, të cilët për t’u dukur si modernë e të ditur, në vend të fjalëve të gjuhës shqipe përdorin fjalët e huaja. Është e vërtetë që të gjithë jemi të pushtuar nga mania për t’u dukur modernë. Por e keqja është se disa prej tyre, me fjalën “modern” nënkuptojnë përdorimin me vend e pa vend të fjalëve të huaja, aq sa vlera e një studimi, shkrimi apo libri është matur me sasinë e fjalëve të huaja të përdorura në to, edhe kur për zëvendësimin e tyre ekzistojnë fjalët  e bukura të gjuhës shqipe. Kjo garë e heshtur ka sjellë lumenj të turbullt me fjalë të huaja, jo vetëm të dëmshme për gjuhën tonë, por dhe të pahijshme e të papranueshme, veçanërisht në emisionet humoristike televizive. Banalizimi dhe huazimet, gabimet e shumta drejtshkrimore dhe përdorimi i keq i shenjave të pikësimit në medjen e shkruar dhe atë elektronike, thekson Prof. dr . Ali Jashari, e kanë bërë aq të vështirë kuptimin e tyre, saqë për t’i “përkthyer”, duhen përdorur disa fjalorë në gjuhë të ndryshme të botës. Është kjo një nga arsyet që Gj. Shkurtaj, ruajtjen e gjuhës shqipe nga vërshimi i fjalëve të huaja e trajton si një urgjencë të vërtetë kombëtare, sepse sa më shumë të vazhdojë papërgjegjshmëria për mbrojtjen e saj nga “agresioni” i gjuhëve të ashtuquajtura të mëdha, aq më e vështirë do të jetë puna për mënjanimin e ndryshkjes dhe asimilimit të saj prej tyre.

 -Të jesh pjesë e familjes së madhe të gjuhëve indo-europiane-theksonte gjuhëtari ynë i madh E. Çabej-nuk do të thotë të gjunjëzohesh, e aq më keq të asimilohesh prej tyre, sepse gjuha është tipari kryesor i mbijetesës së një kombi. Gjuha shqipe, thekson I. Kadareja, është njëra nga tri gjuhët më të vjetra të botës, që i ka rezistuar në shekuj asimilimit të saj nga gjuhët e huaja. (187)Por kjo nuk do të thotë se rreziku për asimilimin dhe ndryshkjen e saj ka mbaruar. Ajo vazhdon të gërryhet e dëmtohet herë nga padia e herë nga nënvlerësimi, herë nga mania për t’u dukur “modern” e herë nga papërgjegjshmëria. Për ta ruajtur dhe pasuruar më tej gjuhën shqipe, Gj. Shkurtaj rithekson disa rrugë, të cilat janë:Formimi i fjalëve të reja me burimin e shqipes si p.sh. “qëndrueshmëri”, “përuroj”; përdorimi i fjalëve dhe frazave të reja të marra nga goja e popullit si: “gërryerje”, në vend të fjalës së huaj “erozion”, gërryerës në vend të fjalës së huaj “eroziv”; aktivizimi i fjalëve të vjetra, që kanë zënë vend me kohë në leksikun e shqipes, si fjala “nismë”, në vend të fjalës së huaj“iniciativë”. Në këtë libër autori thekson se gjatë 25 viteve të fundit, përpjekjet e shtetit dhe të gjithë shoqërisë për ruajtjen e pastërtisë së gjuhës dhe zhvillimin e saj të mëtejshëm, janë minimizuar, për të mos thënë janë kthyer mbrapa. Disa nga arsyet janë këto:Rikthimi i disa fjalëve të huaja që me kohë ishin zëvendësuar me sukses; papërgjegjshmëria e shtetarëve dhe politikanëve, studiuesve, gazetarëve dhe krijuesve të fushave të ndryshme që, me ngathtësinë dhe paaftësinë e tyre, po e mbytin gjuhën tonë me fjalë shprehje dhe ndërtime morfologjiko-sintaksore të huaja. Është fatkeqësi, që sot edhe televizionet  kombëtare me emisionet e tyre të mëdha, janë mbytur me emërtime të huaja si “Top Channel”, “Klan” “Big Brother”…Kush ka rendur nëpër rrugët, lokalet dhe hotelet e qyteteve të vendit tonë dhe nuk e ka ndjerë veten të huaj në vendin e vetë, kur në emërtimet e tyre nuk ka parë asnjë fjalë shqip. Sot padrejtësisht edhe fjalë të vjetra latine si “Kuvend”, që kanë zënë vend me kohë në leksikun tonë, po zëvendësohen me fjalë të reja të huaja si “Parlament”, “Kryeparlamentar” etj.. Kjo tregon se gjuhën tonë po e dëmton rëndë orteku i fjalëve të huaja , të ashtuquajtura “modern”, si “sharm”në vend të fjalës shqipe “hir”, “destruktiv”, në vend të fjalës shqipe”shkatërrim” etj. Siç duket , thekson autori, sot shqipen po e kërcënon rreziku i një shqipanglitalishteje të prekura nga vërshimi i tepruar i anglicizmave dhe italianizmave. Prandaj, vazhdon ai më poshtë: “Nëse nuk duam që një shqipe e përçudnuar të përçudnojë edhe mendjen e shqiptarëve, duhet që shteti dhe gjithë shoqëria jonë e qytetëruar të shkundet nga letargjia dhe të dalin nga mjegullnaja e kësaj amullie që rrezikon të na kaplojë…Huazimet duhet t’i pranojmë nga halli dhe jo nga malli”. (14) Gjuha shqipe sot dëmtohet nga shpërfillja e shtetit, shoqërisë dhe individit. Ka gati një çerek shekulli, që jo vetëm botimet e shfrenuara, por dhe ligjet e shtetit kanë mbetur jashtë korrektimit dhe redaktimit profesional, sipas drejtshkrimit dhe normave të gjuhës letrare kombëtare. Ligjet dhe udhëzimet janë mbushur me fjalë të huaja. Mungon kodi zyrtar i komunikimit. Ka ligje që janë të mbushur me fjalë shumëkuptimëshe me ngjyrime emocionale, në një kohë që dihet se gjuha e ligjeve, thekson autori, duhet të jetë e ftohtë si vdekja dhe e njëjtë për të gjithë. (27) Shtrembërimet më të mëdha të gjuhës letrare shqipe sot i hasim në medien e shkruar. Në shtypin e ditës sot vërehen jo vetëm gabime ortografike, por dhe struktura të gabuara morfologjike dhe sintaksore. Ndërsa medien e sotme elektronike, fatkeqësisht po e mbulon “bloza e zezë”e fjalëve të ndyra e vulgare, të papranueshme për një shoqëri demokratike e të civilizuar. Edhe emrat e huaj në kontekstin e gjuhës shqipe shkruhen gabim. Ata nuk mund të shkruhen si në gjuhët e huaja përkatëse, por me mbaresat tipike të emrave në gjuhën shqipe, sepse ndryshe vështirësohet kuptimi i tyre në fjali. Vlera të veçanta merr ky libër, jo vetëm sepse ai jep rrugët e ruajtjes dhe pastrimit të gjuhës shqipe, por dhe se nëpërmjet një fjalorthi, që zë një vend të rëndësishëm në të, ndihmon për ruajtjen dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe. Në këtë fjalorth autori paraqet, jo vetëm fjalë të veçanta, por dhe çerdhen e plotë të fjalëve të huaja, të cilat i zëvendëson me fjalët e brumit të shqipes. Kështu, fjalët e huaja, si: “konsulent”, “konsultim”, “konsultohem”, i zëvendëson me fjalët përkatëse të gjuhës shqipe: “këshillues”, ”këshillim”, “këshillohem”.

Për gjuhën shqipe, shkruan E. Çabej, është e rëndësishme jo vetëm lufta për ruajtjen e saj nga “pushtimi” prej fjalëve të huaja, por dhe nga puritanizmi, si dukuri konservatore, që e mbyll atë në vetvete, duke përjashtuar absolutisht huazimet, edhe aty ku nuk ekziston fjala përkatëse shqipe. Do të ishte marrëzi, thekson më poshtë autori, nëse do të bënim përpjekje për të zëvendësuar edhe fjalë të tilla të huaja si “qytet”, “shëndet”, “analizë”, “skenë”, të cilat kanë zënë vend me kohë në leksikun e gjuhës shqipe. Me vlerë për gjuhën e sotme shqipe janë dhe ndërkombëtarizmat dhe fjalët që emërtojnë mjetet dhe dukuritë e reja të elektronikës së sotshme moderne.

Së fundi, mund të themi se libri “Urgjenca gjuhësore”, shkruar nga gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj, është jo vetëm një vepër me vlera të papërsëritshme për problematikën që trajton, por dhe tepër i domosdoshëm bibliotekat dhe tryezat e punës së të gjithë shqipfolësve, kudo që punojnë dhe jeton, veçanërisht në ditët e sotme, kur gjuha shqipe sulmohet nga të gjitha anët dhe mbrohet shumë pak nga ne. Ky fakt i hidhur shtron para shtetit, strukturave të tij dhe gjithë shoqërisë detyra urgjente për mbrojtjen dhe pasurimin e pandërprerë të gjuhës sonë. Në një kohë kur dhe kombet e mëdha luftojnë me fanatizëm për mbrojtjen e gjuhës së vet, atëherë, thekson më poshtë autori, ne si komb i vogël duhet të luftojmë dyfish. Prandaj, që gjuha shqipe të “shërohet”nga “kafshimet dhe gërryerjet”, duhet kuruar me urgjencë. Këtë libër, me vlera të veçanta për të gjithë shqiptarët, autori e mbyll me këtë sentencë të bukur kuptimplote:”Që ta mbrojmë shqiptarinë dhe të mbetemi shqiptarë të përjetshëm, duhet ta mbajmë të gjallë gjuhën e bukur shqipe, e cila është në fakt vetë “palca” e kombit tonë”.

SHKARKO APP