“Më kërcënonte një i çmendur, nuk u procedua”/ Gazetarja tregon historinë, Imeraj: Jemi në 2019, ka ndryshuar…

Në ditën Ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave, Prokuroria e Tiranës ka organizuar një tryezë me temë “Bashkë kundër dhunës” ku merrnin pjesë prokurorë, gazetarë e përfaqësues të organizatave të huaja. Gazetarja e njohur Rudina Xhunga ka treguar një histori të sajën personale të vitit 2003, ku një person e kërcënonte me mesazhe. Xhunga tha i ishte dashur të bënte padi në Prokurori për përndjekje, ndërkohë që përgjigja që i erdhi asokohe ishte; “personi në fjalë nuk kishte kryer asnjë vepër penale, pasi e donte”.

Kam një eksperiencë personale me prokurorinë e Tiranës në 2003-2004. Më kërcënonte një njeri i çmendur, më çonte mesazhe pa fund. E durova, pasi mendova se “je person publik dhe se duhet të paguash një ‘çmim’”. E lejova të vazhdonte të shkruante, deri sa e padita deri sa u friksova, pasi më kërcënoi. Por më erdhi përgjigja; se ai nuk kishte shkaktuar asnjë vepër penale, pasi më donte. Epo kjo është dhunë ndaj gruas, ndaj njeriut. Një i çmendur më donte. Një i ri që nuk donte veten e vet, më donte mua. Dhe unë duhet ta lejoja?! Ligjet ndryshuan. Tani nuk është kaq e lehtë të duash në këtë mënyrë. Kjo është përndjekje. Tani e sqaruan se kjo është përndjekje dhe jo dashuri. Atëherë mungonte ligji. Kështu bëhen ligjet pa kapak. Duhet të ngrihet zëri duke mos pasur turp që të dëgjojnë. I ndodh shumë grave, i ka ndodhur nënave tona. Na ndodh neve, mund t’u ndodh edhe fëmijëve tanë po nuk folëm. Duhet t’i kthejmë fjalët në ligje, të bëhesh bashkë. Uroj që të shtohen gratë prokurore, të më falin burrat, pasi ka dhe nga ata që nuk do t’i kapë vettingu. Por vettingu na bën mirë të gjithëve. Kemi nevojë për një shoqëri të pastër, pa dhunë. Nuk e di nëse jam në vendin e duhur, për të kujtuar për amnistinë grave të dhunuara. Uroj për to të bëhet diçka, pasi nuk janë në të njëjtat pozita si burrat që vrasin. Të paktën tani. Më vonë se di si do të ndryshojë shoqëria jonë”, tha Xhunga.

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj iu përgjigj gazetares duke i thënë se Prokuroria nuk është më si në vitin 2003. Imeraj u shpreh se Prokuroria është përmirësuar dhe se prokurorët në mënyrë të përditshme kryejnë veprime hetimore dhe kanë përballë një grua të dhunuar por pas këtij episodi dhe pas këtyre veprimeve ka diçka më shumë.

 “Që nga 2003 Prokuroria ka ardhur duke u përmirësuar, jemi në 2019, kështu që nuk është më i njëjti trajtim. Këta prokurorë në mënyrë të përditshme kryejnë veprime hetimore dhe kanë përballë një grua të dhunuar por pas këtij episodi dhe pas këtyre veprimeve ka diçka më shumë.

Për këtë arsye ligji parashikon në mënyrë të detajuar të drejtat e viktimës dhe për këtë arsye janë krijuar në mënyrë të posaçme brenda prokurorisë dhe organizma si koordinatori për mbrojtjen e të drejtave të viktimës dhe për këtë arsye ligji ka në mënyrë kaq të detajuar të njohura këto të drejta. Ajo çka ne duhet të bëjmë është që jo thjesht t’i lexojmë, t’i kuptojmë por edhe t’i zbatojmë”, tha në fjalën e saj Imeraj.

SHKARKO APP