Ministrat evropianë të Turizmit: Të hapen të gjithë kufijtë

Të izoluar për tre muaj me radhë nga pandemia Covid-19, shtetet e Europës po nxitojnë të ringrejnë ekonominë dhe të rihapin turizmin. Ky i fundit është edhe sektori i cili ka pësuar goditjen më të rëndë.

Greqia është ajo e cila ka njoftuar se do e hapë sezonin në datën 15 qershor. Lajmin e bëri të ditur vetë kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis.

Ndërsa fluturimet ndërkombëtare charter do të rifillojnë në muajin korrik.

“Sezoni turistik do të nisë më 15 qershor, datë në të cilën do të hapen hotelet. Gradualisht nga 1 korriku do të rifillojnë fluturimet ndërkombëtare drejt destinacioneve turistike.

Turistëve do t’u merren kampionë për testim në aeroporte dhe do t’iu nënshtrohet protokolleve të higjienës, të cilat nuk do të eklipsojnë diellin dhe bukurinë natyrore të Greqisë”, tha Mitsotakis.

Kështu, turistët nuk do të jenë të detyruar t’iu nështrohen testeve para udhëtimit në Greqi, e as karantinimit 14-ditor.

Autoritetet e Athinës janë vlerësuar për mënyrën e menaxhimit të krizës shëndetësore, me vetëm 166 jetë të humbura dhe mbi 2800 raste me Covid-19.

Nga ana tjetër, ministrat e turizmit të BE-së ranë dakord se do të bënin çdo gjë të mundur për rimëkëmbjen e turizmit.

Ata mbështetën planet nga Komisioni Europian për heqjen e kufizimeve në udhëtime dhe hapjen graduale të tyre, duke respektuar rregullat e higjienës e distancimit social.

Të hënën, 11 shtete anëtare, mes të cilave Austria, Bullgaria, Kroacia, Gjermania, Italia e Spanja, ranë dakord lidhur më një sërë rregullash që do të lejojnë udhëtimet ndërkufitare, njëkohësisht duke minimizuar rreziqet e infektimit nga Covid-19.

Sipas planit, asnjë turist që viziton shtete të huaja anëtare nuk do të vihet në karantinë.

SHKARKO APP