Ministria e Kulturës: Dorëheqja e Kernit, akt individual

Ministria e Kulturës reagoi sot lidhur me dorëheqjen e drejtorit të TKOBAP, Ilir Kerni, pas një peticioni të artistëve të këtij Teatri drejtuar Kryeministrit, ku kërkohet mosfirmosja e dorëheqjes.

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, MK thekson për të gjithë artistëtë se në mbyllje të sezonit të dytë artistik të vitit 2016 do të fillojë puna për rikonstruksionin e teatrit dhe trupat do të vijojnë të plota dhe krejt njësoj jetën koncertale për një kalendar të ri artistik në skenat e tjera të Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë.

Sipas ministrisë së Kulturës, drejtori i përgjithshëm i TKOBAP, Ilir Kerni, paraqiti të premten kërkesën për dorëheqje nga detyra. Ky dikaster konsideron se dorëheqja është një akt individual vullnetar dhe si i tillë nuk komentohet.

“Historia e një Teatri ndërtohet nga brezat e artistëve që performojnë në të dhe nga gjurmët që lënë drejtuesit e tyre, në ‘murin’ e Teatrit, përfshi edhe kontributin e rëndësishëm 3-vjeçar të z. Ilir Kerni”, thuhet në deklaratën e MK-së.

Ministria e Kulturës vlerëson gjithashtu se Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, në vijim të reformës së kryer në institucionet skenike kombëtare, falë punës së jashtëzakonshme të trupave, jo vetëm të traditës, por edhe të prurjeve të reja shumë të fuqishme në këto vite, i ka sjellë skenës shqiptare ngjarje të mëdha kulturore, ka hapur dyert për artistët shqiptarë të suksesshëm në botë, ka disafishuar numrin e shfaqjeve dhe ka nderuar Shqipërinë në skenat ndërkombëtare.

Por, tashmë TKOBAP, sipas ministrisë së Kulturës, përgatitet për një sfidë të re në menaxhim.
Më herët artistët e TKOBAP i nisën një peticion Kryeministrit Edi Rama ku ndër të tjera vënë në dukje faktin se përmes përushtimit të tyre kanë arritur të mbajnë ndezur dhe madje shumë lart përpjekjen e arritjes së cilësisë në nivele të jashtëzakonshme suksesi.

Sipas tyre, në këto arritje kontribut të vyer dhe shembull motivues i pakrahasueshëm është drejtori ynë, Ilir Kerni.
“Prandaj me përulësinë e artistit, ju kërkojmë të mos firmosni kërkesën për dorëheqje të drejtorit tonë. Vazhdimësia e tij është garancia e punës së artistëve në të ardhmen. Kjo garanci e bën edhe punën tuaj më të lehtë për të luftuar hatëret, nepotizmin dhe padrejtësinë që ngërthen kudo, por që me figura të pastra si Ilir Kerni të cilat janë aq të munguara në habitatin tonë, dhe si ishuj të vetmuar në ujrat e ndenjura të shoqërisë, dhurojnë shpresën që e ardhmja do jetë e ndryshme dhe më e mirë”, thuhet në peticionin e artistëve.

SHKARKO APP