Mjerimi historik i figurës së këtij kryeministri
Nga Redi Varaku –
Përmasa më e rëndësishme për një lider politik, është përmasa historike e figurës të tij. Është pikërisht kjo përmasë që në fakt përligj jo vetëm egzistencën , por dhe vazhdimësinë e tij politike, përndryshe ai mbetet një lider i zakonshëm, që thjesht kërkon pushtet për interesat e tij.Mungesa e një përmase të tillë historike është dhe fataliteti më i madh politik i një lideri.
Është pikërisht mungesa e kësaj përmase historike që më së shumti i mungon Edi Ramës . Kjo sepse pavarësisht sforcimeve, ai sot nuk përfaqëson asgjë as në rrafshin kombëtar dhe as në kontekstin historik.
Gjatë 23 viteve të tij në pushtet, ai jo vetëm ka prodhuar vetëm dështime spektakolare në kuptimin e menaxhimit të qeverisjes, por ai ka dështuar të jetë një lider historik, sepse nuk ka përmbushur asnjë aspiratë kombëtare të popullit shqiptar .
Sot konsiderohet nga të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve, si njeriu që e ktheu Shqipërinë nga një faktor i padiskutueshëm paqeje dhe stabiliteti në Ballkan, në një shtet shërbëtor dhe vasal të Beogradit, sidomos me projektin e Jugosllavisë së re , duke i futur kështu një thikë pas shpine Kosovës dhe interesit tonë më të madh kombëtar.
Ndërsa për sa i përket përmbushjes së ëndrrës historike të popullit shqiptar orientimin e tij Perëndimor dhe të bashkimit me BE , në vend që ta çojë përpara atë, ai e ka orientuar atë drejt Lindjes dhe Azisë, duke i shkaktuar një dëm të pallogaritshëm procesit të integrimit.
Në këtë kuptim ai nuk ka asnjë bilanc historik me të cilin të mund të përballet me shqiptarët. Përpjekja e tij për të sajuar një narrativë historike, gjoja sikur po e kërkon një mandat të tretë për të mbaruar punët e lëna përgjysmë, është më së paku sterilitet politik, por as nuk tenton ndonjë përmasë historike .
E vërteta është që e vetmja narrativë politike dhe ‘historike’, që ai ka prodhuar gjatë gjithë jetës së tij, në fakt ka qenë ’ Fajin e ka Saliu’, narrativë me të cilën po përpiqet paturpësisht të shpëlajë trutë e shqiptarëve dhe sot .
Me gjithë përpjekjet e tij prej burreci politik dhe ambicien e tij për tu shfaqur si një lider global, ai nuk ka arritur dot të bëhet as një lider i zakonshëm rajonal, le më Europian. Madje, në sytë e shqiptarëve më shumë bie në sy për inferioritetin dhe vasalitetin jargavitës ndaj liderëve si Erdogan apo Vuçiç, sesa si lider i një populli, që deri para se ai të vinte në pushtet ishte faktor i padiskutueshëm rajonal.
Ai është sot një burrë i vogël që ka thjesht gojë të madhe për pushtet, por kurrsesi ambicie historike dhe prova për këtë është mediokriteti i ofertës së tij politike.
Është e qartë që ai ka pasur vetëm një axhendë prej momentit që u shfaq në politikë nga hiçi. Axhenda e tij ka qenë dhe mbetet qartazi antishqiptare dhe tenton vetëm izolimin e Shqipërisë dhe rikthimin në pushtet të klanit pervers që ushtroi genocid mbi shqiptarët.
Dhe pikërisht se shqiptarët e kanë fare të qartë se çfarë përfaqëson ky njeri si nga pikëpamja politike ashtu dhe nga pikëpamja historike, ai pritet të marrë dhe refuzimin më historik të këtyre 30 vjetëve.