Mushkëritë shërojnë ‘si me magji’ dëmin e shkaktuar nga duhani – Shkencëtarët bëjnë zbulimin e pabesueshëm
Mushkëritë tona kanë një aftësi thuajse “magjike” për të riparuar mutacionet kancerogjene të shkaktuara nga duhani, por kjo sipas shkencëtarëve mund të ndodhë vetëm nëse e lini atë.
Mutacionet që çojnë në kancerin e mushkërive janë konsideruar si të përhershme dhe që vijojnë edhe pas lënies së duhanit. Por të dhënat e reja të publikuara në Nature, tregojnë se ato pak qeliza që arrijnë të shpëtojnë të padëmtuara mund të riparojnë mushkëritë.
Ky efekt surprizues është parë edhe tek pacientët të cilët kishin pirë një paketë në ditë për 40 vjet, përpara se të hiqnin dorë. Mijëra kimikate që ndodhen në cigare ndryshojnë ADN-në e qelizave të mushkërive, duke i shndërruar dalëngadalë nga të shëndetshme në kancerogjene.
Studimi zbuloi se kjo ndodhte në shkallë masive tek mushkëritë e duhanpirësve, edhe përpara se ata të prekeshin nga kanceri. Pjesa më e madhe e qelizave kishin pësuar mutacion për shkak të duhanit. Ato përmbanin mbi 10 mijë ndryshime genetike.
“Këto mund të konsiderohen si bomba të vogla me kohë, që presin për goditjen e radhës dhe që i bën ato të progresojnë në kancer”, shpjegon Dr Kate Gowers, një prej eksperteve në UCL (Kolegji Universitar i Londrës).
Megjithatë, një numër vogël i qelizave nuk preken. Mënyra ekzakte sesi ato arrijnë që të shmangin shkatërrimin genetik që shkaktohet nga duhanpirja mbetet e paqartë, por shkencëtarët thonë se “duket se ekziston një bunker bërthamor”.
Pasi një person heq dorë nga duhani janë pikërisht këto qeliza që rriten dhe zëvendësojnë qelizat e dëmtuara në mushkëri.
Tek ata që kishin hequr dorë nga duhanpirja, mbi 40 përqind e qelizave të tyre dukeshin njësoj si ato të njerëzve që nuk kishin pirë kurrë duhan.
Duke folur për BBC, Dr Peter Campbell nga Instituti Sanger tha: “Ishim totalisht të papërgatitur për këto gjetje. Ekziston një grup qelizash që gati si me magji shërojnë rrugët e frymëmarrjes. Një prej gjërave më të jashtëzakonshme ishte që pacientët që kishin hequr dorë nga duhani, edhe nëse kishin pirë për 40 vjet, kishin rigjenerim të qelizave të cilat kishin dalë të pa prekura nga ekspozimi ndaj duhanit”.
/tvklan.al