Ndahet nga jeta piktori Gjelosh Gjokaj, Rama: Addio Maestro
Kryeministri Edi Rama ka shprehur sot ngushëllime dhe njëherazi keqardhje për ndarjen nga jeta të piktorit Gjelosh Gjokaj.
Në statusin e tij social Facebook mesditën e së dieles, kryeministri Rama shprehet: “ADDIO MAESTRO. I lindur në Malin e Zi dhe i formuar në shkollën jugosllave të pikturës, Gjelosh Gjokaj u bë maestroja që njohim të gjjthë, në Itali e pastaj Gjermani, ku piktura e tij mori trajtat e mirënjohura të personalitetit artistik të Gjeloshit. Mik si vëlla i Martin Camajt, Gjelosh Gjokaj na ka lënë një koleksion perlash të dala prej gurrës së kësaj miqësie mes poetit e piktorit, ndërsa thesarit të trashëgimisë sonë artistike i ka lënë një vepër të tërë dinjitoze”.
“Ndarja e tij nga jeta është e trishtueshme, pasi ndërpret një fazë tejet interesante ku kishte hyrë krijimtaria e tij, në moshën që Pikaso e quante ideale për t’u rikthyer në fëmijë! Por edhe personalisht, humbja e Gjeloshit më trishton, sepse na lidhi me të një miqësi e gjatë, lindur në fillimvitet ’90 kur studioja e tij në Augsburg, bëhej edhe dhoma ime e gjumit sa herë e vizitoja maestron e dashur! Ai iku pasi ia doli të lërë pas një vepër të bukur dhe një kujtim të mirë tek të gjithë ata që patën fatin ta njohin”, shkruan gjithashtu Rama.