“NDERI” që shqiptoi Ramush Haradinaj, fjalë e huaj në politikën e Shqipërisë

“Jam dorëhequr me rujt NDERIN e Kryetarit të Qeverisë” – tha zoti Haradinaj ku ngriti peshë mbarë opinionin publik në Shqipëri.

Nga Erald Shulla

Po a ekziston NDERI në politikën e Shqipërisë?

Një fjalë e huaj, tek ne nuk ruhet ligji, e aq më pak NDERI që tha zoti Haradinaj.

Vetëm në 6 vjeçarin e fundit kreu i qeverisë në Shqipëri Edi Rama, ka pasur më dhjetëra episode skandalesh që ligjërisht duhet të jepte dorëheqjen, ndërsa po ta kthejmë në ruajtjen e NDERIT ato do jenë me qindra përgjatë dy mandateve.

Mentaliteti që karrigia e kreut të ekzekutivit është personale, e fituar vetëm prej aftësive të tij si lider politik është një drame në shoqërinë tonë, e trashëguar nga sundimet e shumta që ka pasur vendi ynë.

Në politikën tonë, gjatë fushatave thuhen premtime nga politikanët që as ata vetë nuk i besojnë që mund t’i realizojnë. Por deri më sot ne nuk kemi dëgjuar ndonjë politikan që të dali të dorëhiqet, sepse nuk mundi ti realizonte premtimet ndaj elektoratit të tij dhe para qytetarëve. E në NDERIN e tij të deklarojë dorëheqjen.

Shumë larg më duket dita që kjo gjë mund të ndodhi, që një politikan të deklarojë se është në NDERIN e tij. Sepse janë të gjitha premtime të pandershme.

Në politikën tonë gjuha politike është e mbushur me akuza shumë të rënda, politikanët gjatë 24 orëve e akuzojnë njëri-tjetrin nga lidhjet me trafiqet dhe trafikantët, deri tek aferat korruptive të familjarëve.

Por deri më sot nuk kemi dëgjuar që një politikan i akuzuar për çfarëdo lloj shkelje ligjore të dalë e të deklarojë: “Është në NDERIN tim që deri sa të zbardhen akuzat ndaj personit tim apo familjarëve të mi në gjykatë unë dorëhiqem nga politika”.

Në politikën e pandershme shqiptare kemi parë deputetë, ministra, kryeministër, President, kryetar Parlamenti, të akuzuar, apo në shumë raste të faktuar në përgjime, apo filmime që kanë shkelur ligjin. Por për asnjë çast nuk kanë menduar dorëheqjen.

Në një vend ku nuk zbatohen ligjet nga vetë ligjbërësit dhe për ta ligji dhe gjykatat janë të pafuqishme për të vepruar, ne nuk mund të presim që NDERI mund të shfaqet gjëkundi.

Dje në shqiptarët prej Ramush Haradinajt mësuam shumë, nga patriotizmi i një njeriu që ka sakrifikuar jetën për lirinë e vendit të tij. Por dhe që në politik ka njerëz që më të shenjtë se çdo gjë tjetër kanë NDERIN.

“NDERI” kjo fjalë shqipe që tingëllon e huaj për politikën tonë.

Asnjë shqiptar sot, nuk e imagjinon dot të përfytyrojë Edi Ramën të thotë është në NDERIN tim të dorëhiqem!

FalëmNderit që na mësove diçka të madhe dhe të huaj, edhe pse në shqip, z. Haradinaj!

SHKARKO APP